Dr.Gëzim Kelmendi – Mysafir në emisionin e portalit Saktë në First Channel
Këtë javë i ftuar në intervistën “Saktë” ishte Deputeti dhe Kryetari i Partisë “FJALA”, Gëzim Kelmendi.
Kelmendi ka folur rreth qëndrimit të tij ndaj marrëveshjeve për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe.
Poashtu ai është shprehur se këtë mandat ai është kandidat i pavarur, por ka pasur oferta për bashkëpunim nga të gjitha partitë.
Ai ka shtuar se “Partia FJALA është për tërë qytetarët e Republikës së Kosovës. Me sa di unë, në partinë tonë e në rrjetin e anëtarësisë kam parë edhe anëtarë të besimit katolik”.
Ai po ashtu ka thënë se femrat në Kosovë duhet të punojnë vetëm 4 orë në ditë dhe të paguhen njejtë me meshkujt.
I pyetur se a është kundër komunitetit LGBT, ai ka thënë se është kundër sëmundjes.
Ai për këtë bazohet në faktin se ka kryer 14 vite studime në fushën e mjekësisë dhe e quan këtë si sëmundje të fituar me vullnet.
Kelmendi është shprehur se ka qenë kundër marshit për të drejtat e LGBT-së dhe ka folur rreth pjesëmarrjes së Presidentit Thaçi në këtë paradë.
Ai ka thënë se si qytetar i Kosovës nuk i ka ardhur mirë ta shohë pjesëmarrjen e Presidentit në këtë marsh, duke shtuar se Presidenti i një vendi nuk duhet të promovojë diçka që nuk i dëshiron familjes së vet.
Kelmendi ka treguar se ka pasur bisedime për poste zyrtare dhe për ministri, por asgjë konkrete, oferta këto të bëra nga Presidenti i tanishëm Hashim Thaçi.
Ky emision realizohet si bashkëpunim i televizionit First Channel dhe portalit saktë.net si dhe transmetohet çdo të enjte nga ora 22:00.
Ndiqni emisionin e plotë në youtube: