TA SHIQOJMË TË ARDHMEN ME SYTË E ZEMRËS
Autor: Qebir Kamberi
Sot, Dr.Gëzim Kelmendi përfaqëson një figurë shumë të njohur, me përvojë të mirëfilltë në skenën politike dhe shoqërinë e Kosovës.
Doktori sot konsiderohet nga shumë qytetarë si kandidat i shkëlqyer për kryeministër të Kosovës, si nga aspekti profesional dhe moral, ashtu edhe si njeri me profil shembullor dhe karakter të lartë në mesin e shoqërisë kosovare.
Unë e njoh, por e njihni edhe ju doktorin e nderuar, që nga koha kur ai ishte zgjedhur deputet i popullit. Zëri i tij kurrë nuk pushoi së mbrojturi me dinjitet dhe përkushtim atë që i kishte premtuar elektoratit të vet. Ai doli faqebardhë, sepse kurrë nuk iu nënshtrua “bossave” të tij kur ishte në pyetje interesi i popullit dhe premtimet që kishte dhënë.
Me një angazhim të thellë në jetën publike, ai është dalluar për qëndrimet e tij parimore, përkushtimin ndaj vlerave morale dhe mbrojtjen e interesit qytetar mbi kalkulimet politike.
Si kryetar i Partisë FJALA, doktori i nderuar mishëron një vizion politik që synon ndërtimin e një shteti të drejtë, me institucione të forta, sundim të ligjit dhe përgjegjësi morale në qeverisje.
Gjithashtu, me një diskurs politik të fokusuar në transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe fuqizimin e familjes si bazament për një shoqëri të aftë dhe të shëndoshë.
Si gjithmonë, ai ka theksuar shpesh nevojën për një politikë që i shërben qytetarit të zakonshëm e jo interesave të ngushta të grupeve të caktuara.
Një fitore e mundshme e Partisë FJALA do të sillte në vëmendje një model ndryshe të udhëheqjes, me një lider që flet hapur, vepron me përgjegjësi dhe synon të rikthejë besimin e qytetarëve në politikat vendimmarrëse. Përkrahësit e Dr. Gëzimit e shohin atë si një zë autentik që mund të kontribuojë në ndryshimin pozitiv të vendit dhe në forcimin e demokracisë përmes vlerave dhe parimeve të qëndrueshme.
Doktori i nderuar është i vetmi lider që del ballëhapur para qytetarëve të vet, me një karrierë të pastër politike, me një bagazh të pasur morali dhe dijeje. Ai sot shpreson në ngritjen e vetëdijes sonë për një të ardhme shumë më të mirë se deri më sot.
Për të mbjellë grurë duhet zgjedhur një arë e plehëruar, kurse për të mbjellë dije, mirëqenie dhe ardhmëri te brezat e ardhshëm duhet zgjedhur një udhëheqës vizionar, i moralshëm dhe i pakorruptuar, që ka frikë Zotin.
Unë besoj se populli është i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur gjatë periudhës pas luftës. Populli i njeh të gjithë ata që pas luftës vodhën milionat e një shteti të varfër dhe të shkatërruar. Prandaj, ndryshimi duhet të fillojë sot ose kurrë. Vota juaj është arma më e fortë e demokracisë. Ju sot vendosni se si doni ta shihni Kosovën në të ardhmen dhe si do ta ndërtoni të ardhmen e fëmijëve tuaj.
Andaj, zgjidhni më të mirët, ata që kurrë nuk pushuan së qeni në shërbim të popullit të vet, pa asnjë çmim.
Qebir Kamberi
