E hënë, Tetor 27Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi – Intervistë dhënë për Gazetën Infopress

Gëzim Kelmendi

Dr.Gëzim Kelmendi – intervistë dhënë për Gazetën Infopress

Deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi në një intervistë dhënë për Gazetën Infopress flet për demarkacionin, futjen e lëndës fetare në shkolla, rrezikun nga terrorizmi dhe për zgjedhjet e ardhshme.

Interivtoi: Drilon Gashi

Gazeta Infopress: Sot është festa e Fitër Bajramit. Cili është mesazhi juaj për qytetarët? Sa është solidar populli i Kosovës?
Gëzim Kelmendi: Me rastin e festës së Fitër Bajramit, uroj gjithë qytetarëve të besimit islam, Fitër Bajramin. Uroj që Zoti i lartëmadhëruar të ketë pranuar agjërimin dhe gjitha veprat e mira gjatë Muajit të bekuar të Ramazanit. Uroj që të jemi solidar, human dhe respektues të njëri-tjetrit, ta duam dhe ta mbrojmë vendin tonë, ta ruajmë dhe kultivojmë respektin, bashkëjetesën dhe tolerancën me të gjithë qytetarët e vendit tonë, pa dallim të përkatësisë fetare, kombëtare dhe racore.
Fakti që në vendin tonë varfëria ende është në shkallë të lartë, unë mendoj që duhet të jemi edhe më shumë solidar me njëri-tjetrin.

Gazeta Infopress: Ditë më parë ndodhën sulme terroriste në Turqi. A rrezikohet Kosova nga sulme të tilla?
Gëzim Kelmendi: Sulmet terroriste që ndodhën në Republikën e Turqisë, tregojnë qartë se edhe Kosova sikur çdo shtet tjetër, duhet të ngritë nivelin e sigurisë dhe të shtoj dhe profesionalizoj strukturat në mbrojtjen kundër çdo sulmi eventual terrorist, ngase, Kosova është e rrezikuar sikur çdo vend tjetër i Ballkanit dhe Evropës.

Gazeta Infopress: A duhet të futet lënda e edukatës fetare në shkolla dhe ç’model duhet ndjekur?

Gëzim Kelmendi: Lënda fetare duhet domosdoshmërish të futet në shkollat e vendit tonë, ngase mësimi dhe edukimi fetar i mirëfilltë i rinisë tonë, është arma më e sigurt dhe më e fortë kundër çdo lloj forme të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Duhet marr modelet e vendeve të BE që kanë përvojë shumëvjeçare sikur Gjermania, Austria, Kroacia dhe vendet e tjera.

Gazeta Infopress: Një pyetje e pashmangshme është edhe çështja për Demarkacionin. Pasi jeni nga Peja, cili është mendimi juaj, a po humb tokë Kosova?
Gëzim Kelmendi: Sa i përket Demarkacionit, jam deputeti i parë që jam ngritur këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, ne 25 Mars të vitit 2011. Atë vit kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të i ndërmerr gjitha masat e duhura me qëllim të ruajtjes së territorit të Republikës së Kosovës, ngase autoritetet malazeze kanë hyrë thellë në territorin e Kosovës. Kështu Kosova rrezikon të humb një pjesë të territorit të saj.
Dhe tash, reagimet për Demarkacionin janë të vonuara dhe politike.

Gazeta Infopress: A e përjashtoni një koalicion me PDK e LDK-në, apo më shumë do të preferonit të hyni në bashkëqeverisje me VV-në ose AAK-në?
Gëzim Kelmendi: Sa i përket koalicionit nuk jemi duke menduar fare për një gjë të tillë, ngase jemi duke bërë përgatitjet e duhura që në zgjedhjet e përgjithshme të hyjmë vetëm, d.m.th pa koalicion, ndërsa për bashkëqeverisje nuk po mendojmë fare në këtë fazë.

Gazeta Infopress: Cili është mendimi juaj për komunitetin LGBT?
Gëzim Kelmendi: Mendimi im për komunitetin LGBT, është tashmë i njohur. Pasi që jam nga fusha e mjekësisë, studimet e mia 14 vjeçare në mjekësi, ma japin forcën argumentuese shkencore se homoseksualizmi është sëmundje me karakter degjenerues psikologjik, dhe si i tillë shkatërron familjen dhe të ardhmen e njerëzimit.

Gazeta InfopressL: Për fund një pyetje për partinë tuaj FJALA. Si po ju ecin zhvillimet, sa ka interesim nga qytetarët të bashkohen me partinë tuaj dhe a jeni shtrirë në mbarë vendin?
Gëzim Kelmendi: Partia FJALA, si parti e re politike në vendin tonë, që shtylla kryesore ka sundimin e drejtësisë dhe zhvillimin ekonomik, është duke ecur suksesshëm dhe sigurt në rrugëtimin e saj. Përkrahja dhe anëtarësimi i vazhdueshëm i kuadrove të reja dhe profesionale, janë tregues të qartë se jemi në rrugë të mbarë drejt sukseseve të mëdha. Për një kohë të shkurtër kemi arritur të shtrihemi gati në tërë territorin e Kosovës dhe në diasporë. Tash jemi në fazën e Kuvendeve Zgjedhore nëpër degët e komunave të ndryshme. Dhe, po përgatitemi për zgjedhjet e përgjithshme, që mendojmë se do të mbahen para vitit 2018.

Shiko linkun e intervistës nga Gazeta Infopress:
http://gazetainfopress.com/aktualitete/43041/gezim_kelmendi_kosova_rrezikohet_nga_sulmet_terroriste_duhet_te_ngritet_niveli_i_sigurise

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.