E martë, Tetor 28Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi – Fjalim në Kuvendin e Kosovës për Ligjin e veteranëve të UÇK-së (30.12.2016)

GKelmendi3
Dr.Gëzim Kelmendi – Fjalim në Kuvendin e Kosovës për Ligjin e veteranëve të UÇK-së

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!
I nderuar kryeministër, ministër,
Kolegë dhe kolege deputetë të nderuar.
Më lejoni që edhe unë t’i bashkëngjitëm urimit për veteranët, Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Debati i sotëm padyshim është një ndër debatet më të rëndësishme ngase po flasim për pjesën, për shtresën e popullsisë e cila ka kontribuar më shumti për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi, për ata djem dhe ato vajza, të cilët ishin të gatshëm që të sakrifikohen edhe me jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë që ne e gëzojmë sot.

Duke pasur parasysh kontributin dhe sakrificën e tyre, unë mendoj se me këtë ligj më shumë nuk i bëjmë mirë se sa që i bëjmë mirë. Kjo për faktin se një djalë dhe një vajzë i cili ka qenë i gatshëm ta sakrifikojë jetën të paguhet për atë unë nuk pajtohem me këtë, unë mendoj se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të paguhen, ata duhet të shpërblehen për faktin se kanë dhënë shumë.

Dhe kur jemi te pagesa, unë mendoj se edhe këto pensione, të cilat janë kategorizuar në tri kategori jo vetëm që nuk i mbulojnë nevojat e tyre për jetë, por në anën tjetër e fyejnë luftën dhe kauzën e tyre për liri dhe pavarësinë e këtij vendi. Një djalë i ri apo një vajzë e re ka nevojë nga veteranët, po flasim për ta, ka nevojë për punësim të mirëfilltë dhe ai të jetë i privilegjuar prej të tjerëve.

Do të thotë shteti duhet të jap beneficione veteranëve në punësim, të kenë punësim vërtetë meritor, por jo të marrin paga duke ndenjur. Ne e dimë që një pjesë e mirë e veteranëve janë edhe të punësuar dhe në këtë rast ligji ka paraparë që për ata që janë të punësuar të marrin 50% të pensionit. Unë si deputet, fillimisht jam kundër pensioneve edhe për deputetët pensione suplementare, jam kundër edhe pagës së përjetshme të presidentit, të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kryeministrit dhe të gjithë zyrtarëve të lartë. Këtë arsye kam edhe të drejtën morale të flas që jam kundër këtyre pensioneve, ngase prapë po kthehem veteranët duhet të shpërblehen më shumë se çdo tjetër.

Nëse dikush pas luftës e meriton të shpërblehet më shumë, janë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo të paguhen ata, ngase na me këtë formë me pagesat e tyre apo si është definuar me ligj, me pensione të veteranëve ne po krijojmë një shoqëri parazite ngase ata që janë duke punuar i marrin edhe 50% pension, ndërsa ata që nuk punojnë e marrin pagën pa punuar fare.

Mendoj që nuk pajtohem me këtë pikë për faktin se kjo është fyerje për luftën e tyre të shtrenjtë që kanë dhënë ata. Ata duhet të shpërblehen shumë më shumë se kjo pagë, tu jepet hapësira të ndryshme shteti duhet të mendojë për ta, qoftë në punësim, para të gjithë të tjerëve për shkak të kontributit, qoftë shkollim nëse ka nevojë, ndërsa ata që janë të moshuar normal të marrin pensionet e tyre. Unë mendoj se janë dy faktorë të cilët e dëmtojnë këtë kategori që vërtet ka dhënë shumë për këtë liri.

Në radhë të parë janë, që u përmend këtu, lista e ekzagjeruar, lista e madhe e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pa dyshim e kalojnë një jetë të keqe, ngase është një numër tejet i ekzagjeruar që e dinë të gjithë dhe është përfolur shumë, por fatkeqësisht askush s’e ka marrë guximin ta hetojë at listë.

Dhe faktori i dytë tjetër që i dëmton këta janë edhe shumë shokë të tyre, milionerë të pasluftës.

Mos të harrojmë se mbi 45 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë vetëvrasje pasluftës në Kosovë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, ndërsa disa shokë të tyre sot i kanë milionat. Për atë arsye unë mendoj që në radhë të parë duhet të fokusohemi në këtë pikë që ta privilegjojmë dhe ta shpërblejmë dhe jo assesi t’i paguajmë dhe të krijojmë shoqëri parazitare.

E dyta, vetë projektligji i ka defektet e veta për faktin se ka bërë një kategorizim ku përfshihet veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1991, ne të gjithë e dimë në vitin 1991 që nuk ka pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës, së paku publikisht, nëse dikush e dinë mirë. E dyta, ajo çka unë e kam nëse dëshirojmë t’i përfshijmë të gjithë aktivistët për lirinë dhe pavarësinë e vendit atëherë janë shumë, janë edhe studentët e viteve të ‘90-ta dhe gjithë të tjerët.

Prandaj, unë mendoj që në dy fusha mund t’i kontribuojmë kësaj kategorie: këto mjete të cilat ndahen për veteranët të destinohen për familjet e dëshmorëve, për familjet e invalidëve, për familjet e atyre veteranëve që e kanë dhënë jetën pasluftës, që kanë bërë vetëvrasje pasluftës, që kanë lënë jetimë pas vetes dhe me këto mjete t’i ndihmojmë ata, ndërsa veteranëve të cilët janë shëndoshë si molla, mos t’i bëjmë parazit, por tu japim mundësi të reja, në radhë të parë punësim, kush të dojë edhe shkollim, për ata të moshuarit pensionim.

Faleminderit!

Kuvendi i Kosovës,
Prishtinë, 30.12.2016

VIDEO FJALIMI NGA KUVENDI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.