
Dr.Gëzim Kelmendi – Kundër demarkacionit dhe raportit të komisionit i cili është i ndikuar politikisht nga Qeveria | Intervistë për portalin Indeksonline
Prishtinë, 27.02.2017
Pothuajse gati të gjithë deputetët që ishin kundër demarkacionit në votimin e tij të parë në shtator të vitit të kaluar, janë duke shprehur qëndrim të njëjtë pra ardhjes së këtij projektligji në Kuvend.
Atyre nuk ua mbushi mendjen as gjetjet e komisionit të ri qeveria e cila para disa ditësh nxori para publikut të dhënat për vijën kufitare me Malin e Zi.
Deputetët kundërshtues të koalicionit qeveritar, janë shprehur se nuk u frikësohen ndëshkimit të shefave të partisë, duke thënë se vota e deputetit të Kuvendit të Kosovës, është e lirë atë nuk e dirigjon as partia e as Qeveria.
Deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi është shprehur kundër demarkacionit dhe raportit të komisionit të ri qeveritar, i cili sipas tij është i ndikuar politikisht nga Qeveria.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Kelmendi ka treguar se këtë version nuk do ta votoj, ai po ashtu i ka ftuar gjithë deputetët që të mos e votojnë këtë version të dështuar të demarkacionit.
“Unë mendoj që është gabim që të sjellët në Kuvend ky version i demarkacionit, ngase është i njëjtë me atë të vjetrin i cili dëshmon se Kosovës po i merret sipërfaqe tokësore. Unë personalisht nuk do ta votoj as këtë herë, dhe kërkoj edhe nga deputetët e tjerë mos ta votojnë, ngase do të na dënon populli dhe do të na mallkojnë brezat e ardhshëm për këtë dëm dhe tradhti që i bëhet Kosovës”, ka thënë Kelmendi.
Më tej ai ka shtuar anëtarët e komisionit për matjen e territorit të Kosovës, kanë qenë të ndikuar politikisht nga Qeveria e Kosovës.
“Këtë çështje e bën më të rëndë edhe fakti kur e dimë se pjesë të këtij komisioni për matjen e territorit, janë vartës të Qeverisë dhe të ndikuar politikisht”, ka përfunduar ai.