E hënë, Tetor 27Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Islami: Kah po shkon populli im!

Lulzim Islami
Islami: Kah po shkon populli im!

E gjithë ajo gjeneratë e popullit të shtetit tim kaloi nga tranzicioni në tranzicion. Kaloi nga ish- Jugosllavia, me statutin e Republikës (edhe pse thirrej Krahinë), në atë të regjimit të Millosheviqit dhe, së fundi, nga ai millosheviqian në lirinë tonë të ëndërruar kaherë me shekuj. Ëndërr e lyer me gjak, e realizuar fal Zotit dhe, pastaj, ndihmës nga shtetet mike. Nga shtetet, që mbrojtën demokracinë, mbrojtën të drejtat e lirive të njeriut dhe dëshirën e popullit shqiptar. Shtete, që dërguan bijtë e tyre në mbrojtje të shtetit tonë, krahas Ushtrisë sonë Çlirimtare, bijëve dhe bijave të popullit tonë. Nga radhët e të cilëve ushtarë, edhe pse të kombeve të ndryshme, kemi heronj, sepse disa prej tyre ndërruan jetë për këtë vend dhe në këtë vend, në vendin e Shqiponjave, pra, në Kosovën tonë të dashur, me të vetmin dëshirë – ta shijojmë lirinë e shumëpritur.

Populli ynë, i është mirënjohës miqve, atyre që na ndihmuan të jetësojmë ëndërrën e dëshiruar – Lirinë e shtrenjtë. Që ne, të gjithë qytetarët e saj, të jetojmë, më në fund, në liri dhe demokraci në shtetin më të ri të Ballkanit.
Duke u nisur nga këto kujtime, sa e sa herë kemi pyetur veten: Si do të duket shteti ynë një ditë? Ëndërronim jetesën tonë, shkollimin e gjeneratave të reja, të cilët do të çonin shtetin përpara duke u lavdëruar e duke u mburrur me gjenezën tonë, se ne, si popull i lashtë që jemi, kemi popullsinë më të re në rajon; se shteti do të lulëzojë në të gjitha fushat, qoftë blegtori, bujqësi, apo shkenca të ndryshme; se do të kemi një ushtri, që do të mbrojë popullin e tij.

Kanë kaluar thuajse 18 vjet prejse “u çliruam” nga kthetrat e gjenocidit serb, një diktaturë e paparë më herët, një okupim total dhe një izolim i popullit shqiptar që bëhej në atë kohë. Ishte kohë kur u dëbuan shqiptarët nga ushtria e ish- Jugosllavisë. Ata që kishin fatin e keq nuk ktheheshin për të gjallë, por në arkivole, me pretekstin, se “donin” apo kryen akt “terrorist” ndaj shtetit. Dëbuan thuajse komplet nga puna mjekët, arsimtarët dhe punonjësit shqiptarë të të gjitha lamive në të gjitha fushat, kurse rininë e dëboi nga shkollat e veta që të mos arsimohej, që të bëhej një rini servile ndaj okupatorit.
Populli ynë i lashtë mori hapat e duhur – u vetorganizua në mënyrën më të mirë të mundshme. Hapi shkollat private dhe, me sakrificën e mësimëdhënësve tanë, pa rroga, pa siguri edhe për jetën e tyre, dhanë kontributin për arsimimin e fëmijëve tanë, që të mësojnë dhe të dinë si ta orientojnë popullin Shqiptar drejt lirisë.

Edhe mjekët, edhe ish- ushtarakët, edhe policët, edhe të gjithë ata, të cilet u dëbuan nga punët e tyre nuk ndejën duarkryq, por kontribuan si më mirë për çështjen kombëtare. As hoxhollarët, as klerikët nuk ndejën duarkryq, lëshuan objektet dhe faltoret në shërbim të kauzës kombëtare. Si rezultat i gjthë kësaj lëvizje popullore fituam simpatinë e shteteve demokratike në botë dhe, më vonë, nxori në pah Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Më në fund, në horizont lindi dhe u bë realiet ëndrra jonë e kahmotshme – formimi i ushtrisë sonë, UÇK-së, që në gjirin e vetë kishte djemtë dhe vajzat më trima të popullit tonë. Sakrifica e tyre i dha një shtytje të madhe lirisë së popullit tonë dhe formimit të shtetit të quajtur Kosovë.

I gjithë ky kujtim që ndahet me juve, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sado pak në pika shumë të shkurtra, është bërë me qëllim të vetëdijësimit tonë. Pyetje që duhet bërë vetit: Kah jemi duke shkuar ne si shtet? Ku mbetet synimi ynë? Në këto 18 vjet – çka realizuam për përparimin e shtetit tonë, në cilëndo fushë qoftë? – a thua kush do t’u japë përgjigje!

Pas luftës, pra me çlirimin e Kosovës dhe me bërjen shtet Sovran dhe të pavarur, ne harruam traditat tona, harruam vlerat tona. Po gjurmuam nëpër shekuj gjejmë shkrime dhe libra për jetën dhe lashtësinë e popullit shqiptar, të një populli me vlera dhe virtyte, që nuk mund të haset tek asnjë popull tjetër. Harruam dhe injoruam çdo gjë që lidhet me traditat tona. Po përmendim vetëm dy prej tyre, që me të vërtetë është dhimbje e madhe për këtë popull të lashtë, trim dhe bujar, t’i humbet, e ato janë:
Fjala apo besa e dhënë – Gjëja më e vlefshme e popullit tonë. Po lexuam ato që shkruajtën të huajt për këtë virtyt tonin, të rrëqethet trupi, të vie inat. Duhet të shtrohet si çështje, si pyetje: Ku mbeti kjo traditë, ky virtyt i lartë që nuk e gjen te popujt e tjerë?!

Dija – e përcjell brez pas brezi nga të parët tanë, me ato mundësi dhe njohuri që i kishin. Mbase një numër i madh i popullit tonë nuk kishte nivelin e arsimit sikurse sot, por me atë dije sa kishin na mësuan se si ta duam dhe respektojmë njëri-tjetrin, si ta duam vendin; se, nuk duhej të rreshtoheshim në radhët e tradhtarëve të popullit; dhe se, më mirë të vdisje sesa t’i bëje dëm vendit tënd. Pra, i nderuar lexues, të parët tanë ndoshta nuk na shpjeguan kiminë, fizikën apo fusha të tjera shkencore, ama ata na shpjeguan dhe na lanë amanet brez pas brezi që të mos i bëjmë dëm kombit dhe vendit tonë.
A thua vallë, a kemi guximin t’u referohemi këtyre dy gjërave të shenjta të traditës sonë? Të tjerat nuk po i përmendim.

Pas luftës, këto 18 vjet, ne ndërtuam pallate, me ose pa leje, me ose pa dëshirë. Sot, po të dalësh në rrugë, shohim vetura nga më të ndryshmet, vetura me firmat më me renome botërore pra luks i paparë. Po ç’lamë pas? Lamë njerëzinë, lamë doket dhe traditat. Sa e sa pjesëtarë të popullit tonë vuajnë për kafshatën e gojës, sa dalin në rrugë dhe kërkojnë lëmoshë – nëna, baballarë, motra e vllezër të këtij kombi? Këta mund të jenë nënat tona, baballarët tanë, motrat tonë e vëllezërit tanë! A thua ku mbeti virtyti i fjalës së dhënë te të parët tanë që vëllai duhet të ndihmohet, që duhet të ndahet kafshata e bukës!

Arsimi këto vite është bërë si mos më keq, respekti nxënës – arsimtar dhe anasjelltas ka humbur, cilësia e arsimit është nën zero nuk mund të krahasohemi as me disa vende afrikane që tashmë vonë kanë hapur universitete.
Po shëndetësia, ku mbeti? Ku mbeti ajo pak krenari që kishim, kur mjekët e huaj na çmonin lart?! Na vlerësonin për mjekë shumë të aftë, se diagnoza e qëlluar, edhe pse me teknologji të prapambetur, prapëseprapë është e barabartë me diagnozën perëndimore, që kanë mjetet më të përparuara teknologjike! Si e katandisëm shëndetësinë kështu kur sot mjeku nuk mund të mjekojë si duhet për arsyen më banale – Mungesa e barërave dhe mjeteve të tjera të nevojshme?

Ç’brez po rrisim? Çfarë shtylle po i bëjmë shtetit tonë Kosovës?
Të nderuar dhe të respektuar, a nuk mjaftuan këto vite që të zgjedhim gjithmonë prijësit e njëjtë? Prijës që na katandisën e po na syrgjynosin? Prijës që për egot e tyre janë në gjendje të bëjnë gjithçka në dëm të Kosovës dhe popullit të tij? Prijës që mbushën xhepat e tyre, kurse ne na varfëruan! Deri kur kështu? A e kemi pyetur ndonjëherë veten: A mund të jem unë fajtori? Apo do të vazhdojmë me avazin e vjetër të ankesave nëpër kafeteri për Qeverinë e katandisur dhe për katandisjen tonë nga Qeveria?

Jo vëlla dhe motër e dashur! Mos bini pre e asaj se po të digjet vota! Me të vërtetë, vota jote, për 18 vjet, është bërë shkrumb e hi! Vetëm mendo “të mirat” që sollëm ti dhe unë me votën tonë! Vetëm shiko pazarllëqet e partive politike se si bëhen në kurrizin tonë. Vota jepet për partinë që ka vizionin tënd, apo vizion të përbashkët! Nëse ke dhënë votën për një parti, se të ka bindur me programin e saj, dhe po kjo e njëjta të ka bindur se partia tjetër ka qenë e korruptuar, atëherë, si u bë që po kjo të bashkohet, apo të bëjë koalicion, me të korruptuarën?! Cili është qëllimi, nëse jo interesi personal?

“Bashkimi bën fuqinë!”, thënie e të parëve tanë. Në të vërtetë, sikur të ishte bashkim për të mirën e shtetit tonë! Deri dje akuzonin njëri-tjetrin më akuzat më të rënda, kurse sot nëpër fushata i dëgjojmë duke lavdëruar njëri-tjetrin. A thua, nuk është hipokrizi kjo? A nuk na mjafton të shohim të gjithë ata ambasadorë të shteteve mike se nuk duhet të votohen të korruptuarit!?

Edhe pse na u zbeh imazhi para tyre prapëseprapë mundohen të na bindin që të mos i votojmë njerëzit e korruptuar. Njerëzit që po i bëjnë dëm Kosovës, prapëseprapë mundohen të na ndihmojnë që të ecim krahë për krahë me këto shtete mike drejt një të ardhmeje më të ndritur. Një të ardhme pa korrupsion dhe krime nga më të ndryshmet.
Për fund, populli im i dashur, mendo, bisedo me veten tënde. Pyete ç’do të dëshironte për ardhmërinë e fëmijëve tanë, të shtetit tënd, Kosovës heroike, që edhe pse kanë kaluar 18 vjet në liri prapëseprapë lëngon nga bijtë e vetë politikanë.
Mendo demarkacionin, asociacionin, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, ekonominë e shumë fusha të tjera që sa vijnë e shtohen.

Mendo dhe gjyko e pastaj voto!

Lulzim Islami – Prishtinë
Kandidat për deputet i Partisë Fjala

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.