Shkruan: Mr.sci.Bedri Bytyçi
Prishtinë, 05.03.2018
Si 9 vjeçar që isha para 20 vjetëve, nuk mbaj mend pothuajse asgjë nga ajo që ka ndodhur atëherë, di nga ajo që kam dëgjuar dhe “lëxuar” më vonë!
Nga ajo që di, pyes veten se ç’nobel duhet për ta vlerësuar mundin dhe sakrificën e JASHARAJVE, ç’çmim njerëzor do ta vlerësonte diçka jonjerëzore?
Them jonjerëzore sepse sakrifica e JASHARAJVE buron nga diçka “hyjnore”, themelet e asaj sakrifice nuk mund të jenë nga njerëzorja e zakonshme, të sakrifikosh tërë familjen për atdheun është diçka e jashtëzakonshme që ka ndodhur në mesin e një populli të zakonshëm!
Sakrifica e JASHARAJVE bëri që bota të reagojë e t’i dalë në mbrojtje një populli që 100 vjet vuajti nga regjimi sllav dhe që i kishte ardhur fundi me sakrificën e JASHARAJVE!
Ata sakrifikuan, po për kë?
Për komandant gjarprin që akoma nuk e vizitoi familjen e mbetur të JASHARAJVE?!
Për “veteranët” që marrin rrogë në saje të sakrificës së tij pa prekur e parë pushkë me dorë?!
Për “komandantët” që kishin planifikuar postet e pasluftës?!
Për ata që vazhdimisht mohojnë të krenohen me Kosovën e Ademit para se të krenohen me Kosovën e Ritës e Duas që nuk dinë të flasin shqip nga “dashuria” për Kosovën?!
Për “politikanët” që shesin tokën e mbrojtur me gjak apo për politikanët që popullin e mjeruan me politikat e tyre për ta pasuruar e graduar veten dita-ditës?!
Adem, Zoti nuk deshi të të lë të gjallë që t’i shohësh paturpëristë e atyre që ishin të kujdesshëm gjatë “luftës” për të mbijetuar!
Adem, për sakrificën tënde, jam i bindur se prehesh i qetë në parajsën që Zoti ka përgatitur për shehidët e “gjallë” që ranë për këtë tokë!
Adem, unë, lëxuesi i historisë sate, jam betuar se asnjëherë nuk do të shkel mbi gjakun tënd edhe nëse duhet ta paguaj me gjak!
Unë, ushtari yt i pastërvitur, do të krenohem me ty si komandant, kado që shkoj do të ndihem krenar me Kosovën e Adem Jasharit!
Gradat më të larta të Xhenetit qofshin shpërblimi yt për veprën tënde!
