E shtunë, Nëntor 1Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetërorë

Gëzim Kelmendi - Kuvendi
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetërorë

Prishtinë | 6 Tetor 2011 | Kuvendi i Kosovës

KRYESUESI! Në emër të Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, deputeti Gëzim Kelmendi.

GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuari kryesues!
Të nderuar ministra,
Të nderuar kolegë dhe kolege deputetë,

Pa dyshim që ky projektligj është i mirëseardhur dhe pjesa e parë, e cila ka të bëjë me kontrollin e kufirit kufitar, shihet qartë që është bërë me një qasje mjaftë profesionale dhe mangësitë janë më të vogla në krahasim me pjesën e mbikëqyrjes së kufirit shtetëror.

Nuk do isha ndalur shumë, përjashtimisht në këto tri nene, në të cilat vërehet një diversitet dhe një mospërputhje, ndoshta brendapërbrenda nenit. Te neni 35, ku ceket qëllimi i mbikëqyrjes së kufirit shtetëror, ka të bëjë me parandalimin e kalimit ilegal të kufirit shtetëror dhe parandalimin e krimit tejkufitar ndaj personave të cilët hyjnë në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës, është harruar apo nuk e di me çfarë qëllimi nuk është përmendur në këtë nen, do të thotë, përveç personave të cilët hyjnë në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës, kemi të bëjmë me një faktor shumë të rëndësishëm, kontrabandën me mallra dhe substanca të ndaluara apo të lejuara, të cilat nuk janë të regjistruara.

Ngase ne e dimë, kohët e fundit Kosova po përballet me një dukuri shumë të rëndë dhe të tillë, gjithashtu në kohët e fundit e kemi edhe raportin, i cili paraqet Kosovën si një vend destinacion i kontrabandës, përveç me qenie njerëzore, edhe me mallra. Ndaj në këtë rast, në këtë nen mungon elementi kryesor – ndalimi i kontrabandës së mallrave.

Nen tjetër, i cili do të thotë ka të bëjë gjithashtu me mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, janë masat e policisë në brendi të shtetit, te neni 46, ku zyrtarët policorë kufitarë, me qëllim të parandalimit të krimit brenda territorit të Kosovës marrin kompetenca që ta luftojnë këtë dukuri.

Unë mendoj në këtë rast se këto kompetenca nuk duhet të kufizohen vetëm te zyrtarët policorë kufitarë, por edhe te zyrtarët policorë jo kufitarë, ngase ata e njohin më mirë territorin brenda vetë shtetit të Kosovës.

Dhe, neni tjetër, i cili gjithashtu ka të bëjë me dispozitat kundërvajtëse, është neni 59, ku me gjobë 500 deri 800 euro do të shqiptohet dënimi, këtu ceket, disa personave të cilët bëjnë shkelje brenda kalimit të kufirit, por këtu është paragrafi 1.3. i këtij neni, ku thotë se personi i cili nuk jep dokumentin, personi i cili refuzon të përgjigjet ndaj personave, zyrtarëve policorë kufitarë dhe i cili reziston, duhet të gjobitet me gjobë 500 deri 800 euro, çka unë mendoj dhe është e logjikshme që ai person, jo të gjobitet, por fare mos të lejohet të hyjë në territorin e Kosovës.

Ne, si grup parlamentar do ta mbështesim këtëprojektligj, me shpresë që do të mbërrijnë amendamentimet e këtij ligji.

Faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.