
Debat parlamentar lidhur me gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës të Republikës së Kosovës
Prishtinë | 01 Mars 2012 | Kuvendi Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit!
I nderuar kryetar,
I nderuari Kabinet qeveritar,
Të nderuar kolegë dhe kolege deputetë,
Padyshim që ky debat parlamentar është më se i domosdoshëm, por në anën tjetër është pak sa i vonuar, mbase është dashur të kalojnë më se 13 vite nga paslufta dhe tash në nivel të Parlamentit të diskutohet për gjendjen e tyre vërtet të mjerueshme dhe nënçmuese.
E them nënçmuese nga se e ardhura mujore prej 45 eurove deri në 80 euro, të gjithë e dimë se nuk është pension, por është më tepër një asistencë sociale. Përgjegjësia mbi të gjithë për faktin se kemi të bëjmë me një numër jo të madh, konkretisht me një kategori të pensionistëve, që nuk përbëjnë përqindje në indeksin e përqindjeve numër shumë të madh, duke marr parasysh me përqindjen moshës të qytetarëve të Kosovës. Andaj kemi të bëjmë me një përqindje shumë të vogël dhe me një, nëse nuk jemi në gjendje të menaxhojmë me një numër kaq të vogël, konkretisht me kthimin e dinjitetit të mirëfilltë të pensionistëve të Kosovës, atëherë ne tregojmë se vetë nuk kemi dinjitet dhe nuk kemi respekt për shoqëri e cila është e dëmtuar vite me radhë, përderisa shprehim shqetësimin për këtë situatë jo të lakmueshme më mirë me thënë të mjerueshme për pensionistët e Kosovës, është e udhës që tu ofrojmë edhe zgjidhje.
Zgjidhja nuk është e pamundur për faktin se Kosova në dallim prejvendeve tjera qoftë rajonit, qoftë nivelit evropian, e ka indeksin e moshës së re shumë më të madh se sa vendet e tjera. Do të thotë, përqindja e popullatës moshës së re është shumë më e madhe se vendet e tjera, andaj edhe taksapaguesit dhe kontribuuesit e tillë janë në numër shumë më të madh se sa mosha e vjetër dhe me një menaxhim të mirëfilltë një gjë e tillë shumë lehtë mund të arrihet, kështu që nëse rroga e parë do të jetë me rritjen e taksave të këtyre të punësuarve, konkretisht taksapaguesve apo të kontribut paguesve që të ndahet një pjesë nga të ardhura të tyre dhe të rritet fondi pensional.
Në anën tjetër, si zgjidhje tjetër alternative për situatën aktuale të cilën ndodhet Kosova, do të ishte më e mirë të bëhet lidhja në mes të Fondit të Trustit Pensional dhe Fondit Pensional, skemës pensionale në mënyrë që të derdhen apoalokohen ato mjete.
Por, në këtë rast, duke pasur parasysh se mjetet të fondit të trustit pensional, i takojnë qytetarëve të Kosovës dhe vetë qytetarëve të Kosovës, atëherë është e udhës që të mbahet një referendum në mënyrë që të merret pëlqimi i qytetarëve të Kosovës për alokimin e këtyre mjeteve nga trusti pensional në funksion të skemave pensionale për çka unë jam i bindur që askush nga qytetarët e Kosovës nuk do të dale kundër këtij vendimi që të ndihmohet shtresa e pensionistëve të Kosovës.
Për fund, ne siç shoqëri nëse nuk i respektojmë paraardhësit tanë, nuk e respektojmë as shtetin tonë, dhe kur nuk e respektojmë shtetin, atëherë padyshim është aktuale kjo dukuri që ndodhë ngase shtetin e konsiderojmë si mjet ku përfitojmë e jo si një vend ku duhet të kontribuojmë për shtet.
Prandaj, ne si unë fuqishëm e përkrahi kërkesën e pensionistëve se vërtetë ata duhen të marrin pagë të dinjitetshme, jo ndihmë, jo lëmoshë, jo asistencë sociale, por në bazë të standardeve të cilat janë në vendet e rajonit.
Ju faleminderit!