
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës
Prishtinë | 13 Shtator 2012 | Kuvendi i Kosovës
Në bazë të nenit 56 të Rregullores së Kuvendit, Komisioni Funksional e ka shqyrtuar Projektligjin dhe Kuvendit i ka paraqitur raportin me rekomandime për shqyrtim në parim.
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryesues!
Të nderuar zëvendëskryeministër dhe ministra,
Kolegë deputetë, të nderuar,
Projektligji për themelimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk mund të themi në kuptim të plotë të fjalës që është i mirëpritur për faktin se nëse e kemi parasysh edhe deklaratën e ministrit të Financave se ka implikime buxhetore dhe vjen në një kohë kur kemi shumë prioritete si institucione dhe si shtet përballë këtyre dukurive tjera.
Ne jemi të gjithë dëshmitarë se pas luftës kemi pasur një trend të ndërtimit të pakontrolluar të komplekseve memoriale, do të thotë, kemi pasur një dobësi sa I përket këtyre komplekseve memoriale, duke menduar se përmes memorialëve nderojmë të vdekurit tanë – atyre që e dhanë jetën për Kosovën dhe ne të gjithë e dimë se memoriali nuk i nderon ata.
Nderi i tyre është më së shumti duke ndjekur rrugën e tyre. Jo sot nuk jemi në kohë të luftës që të luftojmë, por të ndjekim në mënyrë paqësore ata për çka edhe e janë jetën dhe nder më i madh për ta është nëse kujdesemi për familjet e tyre, ngase edimë që familjet e shumë dëshmorëve jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe ne duhet të përkujdesemi për ta. Dhe, ky është përkujdesi më i madh ndaj atyre që dhanë jetën për Kosovën dhe jo memorialet.
Ndërsa, themelimi i kësaj agjencie për menaxhimin e këtyre komplekseve vjen do të thotë mbi një themel jo të shëndoshë, ashtu sikur që e përmendi edhe deputeti më herët, e kemi një kaotizëm sa i përket ndërtimit të këtyre komplekseve dhe pikërisht kjo agjenci themelohet në bazën e një kaotizmi, do të thotë si pasojë e një gabimi, jo mirë të menaxhuar ndërtohet tash edhe kjo agjenci i cili është një gabim tjetër në veti.
Ne kemi shumë prioritete si institucione. Të marrim parasysh faktin që ne këtu në Parlament kemi kthyer prapa Ligjin për veteranë dhe invalidë të luftës, që janë kategori që kanë dhënë pjesët më të shtrenjta të trupit të tyre për lirinë tonë, i kemi pensionistët, i kemi shumë familje në shkallë të rëndë sociale, ndërsa sot duhet të merremi me diçka që është më sekondare përballë këtyre fakteve, do të thotë të miratojmë një ligj, i cili gjithashtu nuk e ka pasur përkrahjen e ministrit të Financave dhe kërkon implikime buxhetore.
Faleminderit!
