
Intervistë : Agani duhet të flas për mosrealizimin e premtimeve elektorale – Express.com
Prishtinë |23 Nentor 2014 | Portali Express
– Nuk jam pjesë e koalicionit PDK-LDK dhe do të funksionoj si i pavarur. Ferid Agani duhet të flas për premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës elektorale. Çështja e shamisë do të zgjidhet sepse është e drejtë Kushtetuese. Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Arsimit duhet të anulohet. Deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, flet për Express.
Express: Cili është pozicioni i juaj në raport me koalicionin e ri PDK-LDK?
Gëzim Kelmendi: Jam deputet i pavarur dhe e mbaj atë qëndrim, do të thotë nuk jam deputet i grupit parlamentar të PDK’së dhe vazhdoj të jem i pavarur. Ky është qëndrimi im politik brenda Kuvendit të Kosovës, ndërsa jam ende kryetar i Partisë së Drejtësisë.
Express: E pozicioni i Partisë së Drejtësisë ku ju jeni Nënkryetar?
Gëzim Kelmendi: Partia e Drejtësisë është në koalicion me PDK’në. Është e përfaqësuar me një deputete në koalicion. Ndërsa unë, deputeti i dytë, jam jashtë atij koalicioni, jam i pavarur dhe i pavarur do të funksionoj.
Express: A prisni të realizohen kërkesat e PD’së dhe premtimet e Ferida Aganit në këtë koalicion qeveritar?
Gëzim Kelmendi: Unë tash nuk mund të flas në emër të koalicionit, pasi që nuk jam pjesë e tij. Unë kurrfarë pritje nuk kam prej asaj marrëveshjeje që e kemi pasur. Po mendoj, në këtë pikë ju ndihmon më shumë ndoshta dikush që është ende pjesë e asaj marrëveshjeje, e kam fjalën për kryetarin e Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, sepse meqenëse janë në koalicion me ta, edhe pritjet duhet të jenë prej tyre. Unë për faktin që, nuk kam pasur përgjigje pozitive edhe nuk jam me ta. Do të thotë arsyet e mia kanë qenë të qarta, jemi larguar për çështje parimesh, për mosrespektim të fjalës dhe premtimit, e sa u përket çështjeve të tjera, ata mund të përgjigjen më mirë.
Express: Është përmendur mundësia që Ferid Agani dhe PD t’ju largojnë nga partia. Çka ka ndodh në këtë drejtim?
Gëzim Kelmendi: Pa dyshim që është përmendur një gjë e tillë. Në mbledhjen e fundit që e kemi pasur si kryesi e Partisë së Drejtësisë, nuk ka ndodhur kjo gjë. Ka mbetur që në takimet e ardhshme të kryesisë së Partisë së Drejtësisë, të merret një vendim, përkitazi me qëndrimin tim përball koalicionit me PDK’në.
Express: Cili është vlerësimi për punën e Aganit? A ka arritur t’i realizojë gjithë ato premtime elektorale?
Gëzim Kelmendi: z. Agani ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe unë mendoj që e ka udhëhequr këtë ministri me një profesionalizëm, këtë fakt nuk mund ta mohojmë. Mospajtimet që i kam unë me kryetarin Agani, kanë të bëjnë me qëndrimet tona politike karshi koalicionit, mirëpo sa i përket punës në Ministrinë e Shëndetësisë mendoj që ka dhënë kontribut në shoqërinë kosovare.
Express: Mirëpo, Ferid Agani pikërisht për punën në Ministri është nën hetime për rastin e stendave?
Gëzim Kelmendi: Nuk e di nëse aktualisht Ministri është ende nën hetime, nuk kemi qenë në kontakt, por e di që ka qenë i intervistuar, ndërsa se si ka vazhduar procedura nuk e di.
Express: A prisni që çështja e shamisë nëpër shkolla të rregullohet gjatë këtij mandati qysh keni kërkuar ju?
Gëzim Kelmendi: Unë mendoj që çështja e shamisë do të zgjidhet, pavarësisht qëndrimeve të mia apo të tjetër kujt, pasi që është e drejtë kushtetuese dhe nëse Kosova dëshiron të shkojë në Bashkimin Europian, duhet të respektojë ligjet e Bashkimit Europian. Nuk ka dyfytyrësi nga kreu politik i Kosovës që në çdo të dytën fjalë e përmend shkuarjen në Bashkimin Europian ndërsa në anën tjetër i shtypë qytetarët e Kosovës, duke ua mohuar të drejtën e shkollimit. Prandaj çështja e shamisë do të zgjidhet me lejen e Zotit, jo pse dikush thotë, por sepse e thotë Kushtetuta dhe e thonë ligjet e Bashkimit Europian.
Express: Çka ka ndodhur me një grup ndërministror për çështjen e shamisë?
Gëzim Kelmendi: Ai grup ndërministror ka qenë mashtrim për elektoratin dhe për të gjithë ata që kanë menduar se do të bëhet diçka. Mirëpo ne e kemi ditur se aty nuk ka asgjë konkrete, sepse nuk ka nevojë për formimin e një grupi ministror, vetëm për ta nxjerrë një udhëzim administrativ. Si e ka vendosur ai ministër në vitin 2010 një udhëzim në 2010’ën, ashtu edhe do të hiqet, ngase është udhëzim jokushtetues dhe nuk ka nevojë të formohen grupe ministrore. Kjo ka qenë një lojë e cila është parë qysh në fillim dhe ka përfunduar ashtu siç ka qenë, vetëm një lojë.
