E premte, Tetor 31Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Shqyrtimi i Raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2011

GKelmendi1
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2011

Prishtinë | 17 Shtator 2012 | Kuvendi i Kosovës

Komisioni Funksional për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione e ka shqyrtuar Raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2011 dhe Kuvendit ia ka rekomanduar për miratim.

Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka shqyrtuar Raportin vjetor financiar të Avokatit të Popullit për vitin 2011 dhe Kuvendit ia ka rekomanduar për miratim.

Bazuar në nenin 135 të Kushtetutës, me kërkesë të Avokatit të Popullit, Kuvendi ia mundëson që ai t‟i drejtohet Kuvendit.

GËZIM KELMENDI: Faleminderit!

I nderuar kryesues,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,

Fillimisht dëshiroj ta përshëndes punën e Institucionit të Avokatit të Popullit për një raport,të cilin e ka paraqitur këtu para nesh. Dhe, megjithatë, është bërë paraqitje e shumë fushave, e shumë sektorëve nga Avokati i Popullit dhe për të gjitha këto që shumica nga ne u pajtuam, është se në Kosovë po ballafaqohemi me një situatë të rëndë të moszbatimit të ligjeve, të cilat i kemi miratuar ne si Kuvend dhe moszbatimin e Kushtetutës në shumë nene të caktuara. Dhe, në anën tjetër, aty ku kemi mungesë të ligjeve na dalin udhëzimet mbi ligje dhe mbi Kushtetutën.

Është për të cekur situatën mjaft të rëndë në sistemin e Gjyqësorit, ku mungesa e shumë rasteve dhe prolongimi ka çuar në moszgjidhjen e shumë problemeve nga sektori civil.

Gjithashtu, edhe në fushën penale, ku ne jemi shumë të vetëdijshëm për mungesën e këtyre gjykimeve dhe konkretisht të një keqpërdorimi nga vetë ata që e udhëheqin drejtësinë, konkretisht bashkëpunimin apo zinxhiri si urë lidhëse ndërmjet avokatit – gjyqtarit dhe e fundit prokurorit, kemi mosshprehje të dënimit të merituar ndaj personave me vepra penale.

Jemi dëshmitarë se nëpër rrugët e vendit tonë sillen shumë njerëz të cilët nuk e meritojnë të jenë të lirë, por prapa grilave, ndërsa në anën tjetër, gjithashtu mungesë e këtij sistemi të Gjyqësorit kemi edhe rritjen e hakmarrjes në një shkallë shumë të madhe në vendin tonë.

Gjithashtu, është për t‟u përmendur edhe vlerësimi që është bërë sa i përket diskriminimit në aspektin e të punësuarve. Është elaboruar në shumë pika çështja e diskriminimit në punësim, por unë e kisha shtuar edhe çështjen e punësimit dhe shkallën e lartë të korrupsionit. Jemi koshientë se në shumë fusha të punësimit në institucionet publike është shfaqur një dukuri mjaft e rëndë, e cila ka të bëjë me paradhënien për një vend të punës, ku shumë drejtorë apo udhëheqës të atij institucioni pranojnë para për ta punësuar një punëmarrës të ri.

Kjo është një dukuri e cila ka zënë fill në shumë fusha tona dhe duhet luftuar.

Gjithashtu, kemi edhe diskriminimin gjinor sa i përket punësimit, ku shihet se femra kosovare është e diskriminuar në aspektin e punësimit, e gjithashtu e diskriminuar edhe sa i përket pushimit të lehonisë, ku në shumë fusha i ndërpritet kontrata e punës për shkak të lehonisë që ka. Femra kosovare është e diskriminuar edhe në shumë fusha, e këtu në Raportin e Avokatit të Popullit është cekur kryesisht te komuniteti ashkali, rom, egjiptian, por unë kisha shtuar se është e diskriminuar edhe te komunitetet tjera, edhe te komuniteti shqiptar. Përparësi në punësimin e femrës nuk ka përvoja apo kualifikimi i saj intelektual, por, me keqardhje mund të them, dukja dhe ekstravaganca e saj.

Gjithashtu, është për t‟u përmendur edhe diskriminimi i qytetarëve të Kosovës sa i përket korporatës së KEK – ut, meqë kategorizimi ABC është dëshmuar se është diskriminues. Shumë qytetarë që janë pagues të rregullt të KEK -ut diskriminohen për fajin e atyre që nuk janë pagues të rregullt, vetëm e vetëm për shkak të diskriminimeve të këtij kategorizimi diskriminues, A, B dhe C.

Gjithashtu, vlen të përmenden, edhe te Avokati i Popullit është cekur këtu, edhe dukuritë, të cilat janë shqetësuese për shoqërinë kosovare, por unë do të shtoja se mungojnë edhe disa dukuri që janë mjaft shqetësuese për shoqërinë kosovare.

Është çështja e fajdexhinjve, që është mjaft e aktualizuar në Kosovë.

Çështja e atyre që marrin haraç apo reket, që e pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të bizneseve të vogla apo të mëdha kosovare, pastaj rrëmbimet, kidnapimet dhe dhunimet e ndryshme, që ndodhin në Kosovë.

Gjithashtu, është për t‟u përmendur se ne po ballafaqohemi me këtë rast si mungesë zbatimit të ligjeve në fuqi. Kemi shumë ligje që nuk zbatohen, por në raste tjera kur nuk kemi ligje apo kemi nene të Kushtetutës së Kosovës, në këtë rast kur udhëzimet administrative i tejkalojnë kompetencat e ligjeve dhe të Kushtetutës. Rastin e fundit e kemi kur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht neni 38, paragrafi 3 shkruan se asnjë qytetari nuk ka të drejtë t‟i mohohet manifestimi publik i bindjeve të tij fetare.

Gjithashtu, edhe Ligji për arsimin parauniversitar, neni 3 paragrafi 3, thotë se arsimimi është i obligueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe askush nuk guxon të privohet nga arsimi, pa dallim race, feje, etnie, ndërsa, ne jemi dëshmitarë, në vitet e fundit, kryesisht nga viti 2010, kemi një udhëzim administrativ, i cili e tejkalon edhe Kushtetutën edhe Ligjin për arsimin universitar dhe ky udhëzim ka shkaktuar shumë probleme në këto institucionet e shkollës, kryesisht në shkollat fillore dhe të mesme, të cilat janë obligative dhe me këtë çështje kemi gjithashtu edhe raportin nga Avokati i Popullit, kur shumë vajza në Republikën e Kosovës janë të larguara nga shkolla për shkak të mbulesës së tyre.

Kjo bie ndesh, në radhë të parë, me liritë dhe të drejtat individuale të njeriut, bie ndesh me nenin 38 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 3 të Ligjit për arsimin parauniversitar dhe në këtë rast shumë prindër janë detyruar që të gjejnë zgjidhje apo t‟i izolojnë vajzat e tyre në shtëpi.

Në këtë rast ne po luftojmë kundër të drejtave të njeriut, po luftojmë kundër lirive fetare dhe po e rritim analfabetizmin në Kosovë.

Andaj, unë e përshëndes raportin e Avokatit të Popullit, me shpresë që institucionet kosovare në të ardhmen do të vetëdijesohen, do t‟i zbatojmë ligjet aty ku kemi miratuar ligje, ndërsa aty ku kemi mungesë të ligjeve, të miratojmë ligje të mirëfillta.

Faleminderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.