
Interpelanca e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,
z.Ramë Buja, lidhur me çështjen e arsimit në Kosovë
Prishtinë | 02 Maj 2013 | Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit, kryetar!
I nderuar kryetar,
I nderuar ministër,
Të nderuar deputetë,
Përkufizimi i drogës si dukuri negative, mendoj se nuk është përkufizim adekuat për faktin se nëse merren parasysh pasojat që vijnë nga përdorimi i drogës, atëherë nuk mund të gjejmë ndonjë term adekuat që ta definojmë konkretisht drogën, megjithatë pasojat janë shumë të rënda dhe shumë katastrofale dhe shpeshherë edhe fatale për jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Është mjaft shqetësues fakti që për një kohë shumë të shkurtër përdorimi i substancave narkotike, konkretisht edhe drogës, në fjalori popullor ka gjetur vend në vendin tonë, dhe fatkeqësisht e ka atakuar edhe pjesën më të ndjeshme të popullatës sonë, kryesisht gjeneratat e reja, adoleshentët, konkretisht shkollat e mesme.
Prandaj, përgjegjësia bie mbi gjithë këtë, qoftë si deputetë, qoftë si Qeveri, qoftë si prindër, qoftë si mësimdhënës. Të gjithë e kanë barrën e përgjegjësisë për lejimin apo konkretisht indiferencën ndaj hapjes së kësaj dukurie në vendin tonë. Nuk është vetëm droga, ajo e cila ka kapluar rininë tonë. Janë shumë dukuri tjera të rënda ,të cilat fatkeqësisht kanë gjetur te rinia jonë.
Është edhe alkooli, i cili konsumohet. Në masë shumë të madhe në shkollat e mesme është duhani. Është e pranishme mungesa e faktorit siguri, konkretisht dhuna në shkolla, e cila ka gjetur gjithnjë vend në shkollat tona.
Pastaj, e kemi një krizë morale në institucionet shkollore. Të mos harrojmë se vetëm në tre vjetët e fundit e kemi një rritje flagrante të kurbës së aborteve te moshataret e reja, konkretisht te nxënëset e shkollave të mesme. Dhe e gjithë kjo tregon një pasqyre të saktë, konkretisht një krizë morale të vendit tonë, konkretisht të rinisë sonë.
Të mos harrojmë në këtë rast, kur po i përmendi prindërit, edhe të gjithë ne, nuk do të jemi indiferentë ndaj këtyre dukurive për faktin se janë shumë vende, apo shumë pika, apo shumë termine të caktuara që po u japin rrugë drogës dhe këtyre dukurive negative.
Janë pikërisht të mbrëmjet e gjysmë – maturave dhe të maturave, kur lejohet të përdoret edhe alkooli, edhe duhani, por edhe droga në mënyrë indirekte. Ndërsa edhe prindërit, edhe mësimdhënësit qëndrojnë indiferentë në emër të asaj se është i ri dhe duhet ta shijojë jetën.
Askush nuk është që rinia të mos e shijojë jetën, por jetën në suaza të normales, për faktin se nëse kthehemi vetëm 10 vjet më herët, apo para lufte, për ne thuajse këto dukuri kanë qenë të panjohura.
Ne si shoqëri, qoftë si Legjislativ, qoftë si Ekzekutiv, duhet të merremi më shumë me parandalimin e përdorimit të drogës, sesa të merremi me trajtimin e saj. Për faktin se parandalimi apo preventiva në kuptimin e plotë të fjalës, e ka edhe koston financiare më të ulët, por edhe kërkon angazhim më të vogël, në krahasim me trajtimin e drogës dhe të gjitha këtyre sëmundjeve tjera që e kanë përfshirë vendin tonë.
Ne të gjithë e dimë dhe u përmend këtu se fatkeqësisht në institucionet tona shkollore, qoftë fillore, qoftë të mesme, rëndësi primare e jepet komponenti arsimor, ndërsa komponentit edukativ fare nuk i jepet hapësirë. Të mos harrojmë kur jemi te komponenti edukativ, konkretisht te edukimi i mirëfilltë i nxënësve, me keqardhje e them, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon dhe vendi i vetëm në Bashkimin Evropian që nuk e ka pjesë të procesin mësimor mësimin fetar, edukimin fetar, i cili deshëm apo jo e ka rolin e vet në edukimin e mirëfilltë të brezave të rinj dhe në parandalimin e të gjitha këtyre sëmundjeve.
Prandaj, unë edhe një herë bëj thirrje që nëse synojmë që të integrohemi në strukturat e Bashkimit Evropian, duhet edhe t‟i marrim shembujt më të mirë, të cilët i kanë zbatuar ata për rininë e tyre. Të mos i mbyllim sytë para aë vërtetës, të mos qëndrojmë indiferentë, e më pas të merremi me pasojat, por të merremi me preventivat.
Faleminderit!