
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës, replika me Gratë Deputete rreth Imamit Irfan Salihu
Prishtinë | 6 Qershor 2013 | Kuvendi i Kosovës
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës
Replika me Gratë Deputete rreth Imamit Irfan Salihu
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryetar!
I nderuar Kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë,
Padyshim që në situatën në të cilën po kalon Kosova në vazhdimësitë e ratifikimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe arrestimet e fundit të komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është e rastësishme kjo çka po ndodh.
Sa u përmend tash këtu edhe kjo video e hoxhës së nderuar Irfan Salihut, e cila për ta analizuar të saktë nuk duhet marrë një fragment i kësaj ligjërate, por duhet në tërësi të dëgjohet dhe të kuptohet a është fyer femra, apo janë fyer ato të pandershmet?
Dhe, nuk kemi të bëjmë vetëm me gjininë femërore, por është fyer edhe gjinia mashkullore, ata që janë të pandershëm, të pamoralshëm.
Prandaj, më befason fakti se si po bëhen unikë edhe pozita edhe opozita në mbrojtje të amoralitetit, e para.
E dyta, ju që folët në emër të grupeve parlamentare, si zonja Teuta Sahatqija, Blerta Deliu – Kodra dhe Alma Lama, ju jeni anëtare të Grupit të Deputeteve të Grave, ju pse nuk reaguat kur para dy javësh po nga i njëjti koleg i Irfan Salihut, por mësues në shkollën e mesme “Zenel Hajdini”, i cili është mësues i educates fizike, ngacmoi seksualisht një vajzë të shkollës së mesme. Pse ju nuk reaguat, kur në Mitrovicë vitin e kaluar është ngacmuar nga arsimtari nxënësja e shkollës fillore, seksualisht.
Pse në Pejë, vitin e kaluar, kur është dhunuar një vajzë nga mësuesi i saj, nuk reaguat. Këto janë akte më të rënda, se sa kritika ndaj amoralitetit. Dhe, këtu u përmend se duhet Bashkësia Islame të distancohet nga ky qëndrim.
Unë ju them këtyre zonjave të nderuara, fillimisht këto duhet t‟i kërkojnë falje Bashkësisë Islame dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ngase këto me dorën e tyre kanë votuar duke menduar që po votojnë kundër mbulesës, kanë votuar kundër mbulesës fetare në shkolla. Këto janë që e kanë rrënuar ardhmërinë e vajzave kosovare dhe tash paraqiten, kinse “gardianë të mbrojtjes së gjinisë femërore” -përkundrazi, këto e kanë përgjegjësinë që e kanë shkatërruar ardhmërinë e tyre, i kanë lënë jashtë shkollave të tyre, jashtë procesit mësimor, ndërsa, në anën tjetër, dalin në mbrojtje të amoralitetit.
Faleminderit, kryetar!