E martë, Tetor 28Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Gëzim Kelmendi: Debat parlamentar, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga Qeveria e Kosovës

GK - Kuvendi 3
Debat parlamentar, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga Qeveria e Kosovës

Prishtinë | 17 Tetor 2012 | Kuvendi i Kosovës

Debati parlamentar, me kërkesën e deputetes Alma Lama, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga Qeveria e Kosovës, ka qenë i radhitur në mbledhjen plenare të mbajtur më 12 tetor 2012, por në mungesë të kuorumit seanca i ka ndërprerë punimet dhe me propozim të Kryesisë është caktuar seanca ose mbledhja për sot.

GËZIM KELMENDI: Faleminderit!

I nderuar kryesues,
Të nderuar ministra,
Kolegë deputetë, të nderuar,

Ky debat, do të thotë, për keqpërdorimin e parasë publike nga ana e Qeverisë, padyshim se është një debat i njëanshëm edhe politik, po shihet qartë për faktin se ne si shoqëri jemi të vetëdijshëm që për një kohë shumë të shkurtër, për të mos thënë më pak se një dekadë, korrupsioni apo keqpërdorimi ka marrë përmasa shumë të mëdha dhe mjaft me pasoja negative për shoqërinë tonë. Dhe është padrejtë dhe e njëanshme të themi se vetëm në institucione apo konkret isht në Qeveri, bëhet keqpërdorimi i parasë, kur ne jemi dëshmitarë dhe mjaft koshientë se keqpërdorimi i parasë publike bëhet në të gjitha nivelet, në të gjitha institucionet dhe në të gjitha strukturat e shoqërisë kosovare.

Raportet e ndryshme, qoftë të progresit dhe raportet e bashkësisë ndërkombëtare, që e kanë klasifikuar Kosovën si një vend me shkallën më të lartë të keqpërdorimit dhe të korrupsionit, janë aq të vërteta dhe ne duhet të merremi me atë brengë, e cila vërtet na ka përfshirë të gjithëve.

Korrupsioni apo keqpërdorimi i parasë publike, është një kancer i cili në mënyrë mjaft të heshtur është duke e përfshirë shoqërinë kosovare, duke shkatërruar dhe denigruar çdo nivel të shoqërisë së Kosovës.

Korrupsioni, më mirë të them keqpërdorimi i parasë publike është duke ndodhur në çdo nivel. Jemi dëshmitarë në shumë drejtori , nivele komunale dhe nivele qendrore, në Postë – Telekomin e Kosovës, në KEK dhe çdo kund është duke ndodhur një dukuri e tillë e keqpërdorimit, prandaj, të themi se vetëm në Qeveri, atëherë do të jemi të njëanshëm.

Ne e kemi këtë problem dhe duhet të mendojmë mirë se si ta menaxhojmë këtë problem. Është për të ardhur keq se si drejtorë të drejtorive, qoftë të arsimit , qoftë të niveleve tjera, keqpërdorin pozitën e tyre për të punësuar mësimdhënës të rinj apo qoftë nevoja edhe për të kryer ndonjë praktikë të thjeshtë në nivelin arsimor.

Korrupsioni apo keqpërdorimi e ka përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës, me keqardhje mund të themi, jemi dëshmitarë se shumë profesorë abuzojnë me detyrat e tyre. Korrupsioni e ka përfshirë edhe shëndetësinë, kemi një krizë etike në nivelin shëndetësor në të gjitha nivelet e institucioneve shëndetësore.

Prandaj, të themi se vetëm në Qeveri, atëherë do të jemi shumë të padrejtë.

Ne do të duhej të jemi shumë më koshientë, të jemi shumë më vigjilentë dhe të dalim me një propozim të mirëfilltë se çka të bëjmë si shoqëri që ta mposhtim këtë dukuri të tillë, apo më mirë të themi këtë kancer të shoqërisë, e cila është mjaft vështirë. Dhe duhet ta pranojmë një fakt, se shumë vende kanë kaluar me vite e dekada të tëra për ta mposhtur këtë dukuri dhe padyshim se edhe neve na duhet, mos me thënë vite, por edhe dekada që ta zhdukim këtë dukuri, prandaj është shumë vështirë të çrrënjoset korrupsioni, e korrupsioni apo më mirë të themi, zhdukja e korrupsionit e ka vetëm një adresë – kur në pozita udhëheqëse menaxhuese vijnë njerëz të ndershëm – besimtarë, se njëri kur s‟i frikësohet zotit, nuk i frikësohet as pozitës dhe as pushtetit.

Faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.