
Debat lidhur me rritjen e pagave për Depuetet dhe Kabinetin Qeveritar
Prishtinë | 23Mars 2014 | Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryetar!
I nderuar kryeministër,
Ministra,
Të nderuar kolegë deputetë,
Edhe unë jam mbështetës i asaj që në këtë rritje të pagave të mos përfshihet rritja e pagave të deputetëve për faktin se e dimë të gjithë, edhe krahasuar me tërë rajonin, pagat e deputetëve të Kosovës janë pagat më të larta. Prandaj, unë propozoj që jo veç për deputetët, por për të gjithë zyrtarët të lartë publikë, duke filluar nga Presidenca, Kabineti qeveritar dhe deputetët të mos kenë rritje të pagave.
Ndërsa për kategoritë tjera, e përgëzoj kryeministrin për këtë rritje. Por, dua ta ngre këtu edhe një çështje mjaft serioze. I ftoj të gjithë deputetët, së paku të jemi të drejtë dhe korrektë, ngase para pak kohësh në Komisionin për Legjislacion e kemi kaluar Ligjin për deputetët dhe, fatkeqësisht, e them këtë publikisht, nuk kemi pasur këso kundërshtimesh për privilegje të deputetëve. Askush nuk ka kundërshtuar, përveç meje dhe përfaqësuesit të “Vetëvendosjes”.
Të gjithë kanë qenë unanimë për privilegjet e deputetëve, ndërsa këtu dalim kundër rritjes së pagave. Unë jam kundër rritjes së pagave të deputetëve dhe kundër privilegjeve të deputetëve. Ndërsa për zyrtarët tjerë, qoftë nëpunës, qoftë shëndetësi, qoftë arsim, unë e mbështes dhe e përgëzoj kryeministri për këtë rritje të pagave. Ndërsa deklarohem publikisht që jam kundër rritjes së pagave për deputetët dhe për zyrtarët e lartë publikë.
Faleminderit!