
Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit
Prishtinë | 7 Maj 2015 | Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit i nderuari kryetar,
I nderuari ministër,
Kolegë deputetë të nderuar,
Debatin të cilin ne sot po e zhvillojmë për figurën emblematike, për prijësin e çështjes së çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës për Ukshin Hotin dhe për të gjithë të zhdukurit e tjerë, mendoj se ka degraduar në dy forma, edhe në aspektin juridik edhe në aspektin praktik.
Pse e them këtë?
Sepse, duke u nisur edhe nga përvojat e legjislaturave të kaluara dhe legjislaturës së fundit para kësaj, shohim se në 2012 Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Rezolutë pikërisht për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të pagjeturve të tjerë, ndërsa sot ka degraduar sa ka ardhur që kjo çështje të diskutohet ë mesin e shumë pikave të rendit të ditës, 32 pikave sa i ka paraparë t’i kenë këto seanca që do të zgjasin për këto 2 – 3 ditë dhe është futur në mesin e këtyre 32 pikave si një pikë kërkesë e Komisionit për të drejtat dhe barazinë gjinore, e rekomanduar nga peticioni i qytetarëve të komunës së Rahovecit.
Do të thotë, në aspektin juridik ka degraduar nga një rezolutë e fuqishme e vitit 2012 dhe është futur në mesin e 32 pikave sot që po i debatojnë. Në aspektin praktik, edhe këtu kemi degradim të tërësishëm sa i përket kërkesës dhe interesimit tonë për zbardhjen e fatit të profesor Ukshin Hotit dhe të 1650 të zhdukurve të tjerë, si shifër që flitet jo zyrtare, dhe mund të ketë edhe më shumë. E them në aspektin praktik se e ka degraduar, meqë jemi dëshmitarë edhe vet këtu, prezentë, koshientë dhe të vetëdijshëm se nga 120 deputetë sa i ka legjislativi i Kosovës vetëm 30 vetë jemi në sallë sot kur debatojmë për fatin e tyre, të Ukshin Hotit dhe të tjerëve, ndërsa nga Qeveria është vetëm një ministër prezent, prandaj kjo tregon edhe vetë interesimin tonë si shoqëri kosovare, pa dallim orientimeve të ndryshme politike.
Dikush nga kolegët e përmendi se po frikësohet se ndoshta edhe ky debat do të jetë për sy e faqe, ndërsa kolegu tjetër tha frikësohem se këto rekomandime fare nuk mund të zbatohen. Edhe unë po e them me bindje të plotë as njërën as tjetrën, por po them se edhe ky debat në Kuvend është për sy e faqe dhe asnjëra nga këto pika nuk do të realizohen, nga se ne si shoqëri qe 15 vjet pas lufte nuk kemi treguar interesim serioz për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të tjerëve.
U përmend këtu edhe faktori ndërkombëtar, partnerët ndërkombëtarë se kinse ata duhet të bëjnë presion për këtë çështje. Unë mendoj se ne nuk mund ta fajësojmë faktorin ndërkombëtar. Duhet ta fajësojmë vetveten tonë. Nuk kemi punuar as sa duhet në diplomacinë ndërkombëtare, fillimisht me diplomaci vendore e më pastaj ndërkombëtare, para se t’i fajësojmë të tjerët. E ne e dimë një fjalë popullore që thotë: “nëna nuk i jep qumësht fëmijës pa qarë fëmija”. Edhe ne, pa u ankuar dhe pa punuar vetë, nuk duhet të presim prej të tjerëve.
Prandaj, si shoqëri kosovare fillimisht fajin duhet t’ia adresojmë vetvetes sonë për të gjitha ato që janë bërë. Unë mendoj se edhe profesor Ukshin Hoti dhe të tjerët nuk kanë nevojë për poezi apo për qaste poetike këtu, kanë nevojë më së shumti që ne të kujdesemi dhe të interesohemi për çështjen e trupave të tyre pasi që dihet se janë të vrarë e të zhdukur, kanë nevojë që ne ta pasojmë rrugën e tyre dhe më së paku t’u thurim poezi atyre ngase veprat që ata i kanë lënë pas veti janë më të mëdha se çfarëdo lloj poezie që u thuret atyre në këto momente dhe pavarësisht
kohës dhe momentit.
Për të mos e zgjatur shumë, prapë po them se ky debat nuk mund të jetë produktiv për shumë arsye që i përmenda më herët dhe unë i kam dy propozime konkrete, nëse u shtojmë atyre rekomandimeve që i ka propozuar Komisioni për të Drejta dhe Barazi Gjinore.
Propozimi i parë i imi bazohet në punën tanë që të kërkojmë nga Kuvendi I Kosovës, pa dallim orientimeve apo pa dallim prej grupeve të ndryshme parlamentare që të jemi unikë dhe këmbëngulës në kërkesën tonë përball
ë Qeverisë së Kosovës. Ne e dimë, shpeshherë nga mandatet e kaluara edhe në këtë mandat se grupet e ndryshme parlamentare për realizimin e programeve të tyre politike, që është e drejtë e plotë e demokracisë parlamentare kanë ditur ta bojkotojnë seancën apo ta lëshojnë seancën, dhe atëherë edhe ne duhet si Kuvend I Kosovës, nëse është nevoja, të përdorim edhe këtë hap të fundit, të jemi unikë dhe të kërkojmë bojkotim të seancave të ardhshme me një afat kohor dhe ta shfrytëzojmë këtë afat kohor duke i dërguar një mesazh të qartë Qeverisë së Republikës së Kosovës se nëse nuk ndërmerr hapa konkretë në lidhje me zbardhjen e këtyre, atëherë ne si Kuvend i Kosovës, pa dallim orientimi politik, nëse është nevoja, do të bojkotojmë edhe punën tonë për një çështje mjaft madhore siç është zbardhja e fatit të këtyre të pagjeturve.
Në anën tjetër, propozimi im i dytë është që në diplomacinë ndërkombëtare Qeveria e Kosovës, konkretisht në bisedimet në raport me Serbinë, në mesin e delegacionit në bisedime të marrë një përfaqësues nga anëtarët e familjeve të pagjeturve, të dërgojë një mesazh ndërkombëtar se ky person që do të jetë pjesë e delegacionit kosovar do të ketë vendin këtu deri sa të zbardhet personi i fundit, i cili është i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Edhe një herë, Faleminderit për vëmendjen dhe kureshtjen e juaj!