
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës
Nxënësve duhet t’u sigurohet një mbrojtje fizike nëpër rrugë magjistrale
Prishtinë, 25 Qershor 2015 Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryetar!
I nderuar ministër,
Kolege dhe kolegë deputetë të nderuar,
Arsyeja pse e mora fjalën është se desha ta shfrytëzoj edhe praninë këtu të ministrit të nderuar të Infrastrukturës, për faktin dhe për një problem shumë serioz që po u kanoset qytetarëve të Kosovës, e veçanërisht moshave të reja – nxënësve, që janë aktivë në procesin mësimor.
Ne e dimë që pas luftës në Kosovë është bërë një investim i madh në infrastrukturën rrugore të rrugëve të Kosovës. Çështja e kualitetit të materialit apo asfaltit, e dimë që nuk ka qenë në nivel të duhur, si dhe keqpërdorimet dhe investimet e shumta në infrastrukturë, por ajo që më detyroi të flas më së shumti është siguria e qytetarëve të Kosovës, konkretisht e nxënësve që janë në procesin mësimor, e të cilët duhet të kalojnë me kilometra brenda ditës që të shkojnë nëpër shkollat e tyre.
Është shumë e rëndë t’i shohësh nxënësit nëpër rrugë magjistrale, pa mbrojtës fizikë. Prandaj, ministër, është një kërkesë urgjente e qytetarëve të Kosovës, e nxënësve, të cilëve duhet t’u sigurohet një mbrojtje fizike nëpër rrugë magjistrale, kur kalojnë nëpër ato rrugë, qoftë nga një fshat në fshatin tjetër, apo deri në qytetin e caktuar, për faktin se po kanoset siguria e tyre. Nuk kërkohen investime prej miliona eurosh. Është një investim shumë modest, por ka të bëjë me rëndësinë e tyre jetike për shkollimin e tyre.
Prandaj, kërkoj edhe një herë nga ministri aktual, i cili është i pranishëm, që ta marrë këtë kërkesë serioze, e cila nuk kërkon investim të madh, por kërkon një qasje serioze që ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë jetësore të nxënësve, me paraqitjen dhe ndërtimin e mburojave fizike nëpër rrugë magjistrale.
Faleminderit !