
Debat parlamentar lidhur me gjendjen e arsimit në Luginën e Preshevës
Prishtinë | 6 Maj 2015 | Kuvendi i Kosovës
Debat parlamentar lidhur me gjendjen e arsimit në Luginën e Preshevës, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë tjerë
Deputeti Nait Hasani dhe gjashtë deputetë të tjerë nënshkrues në bazë të nenit 15, pika 8 e Rregullores së Kuvendit, ka kërkuar mbajtjen e një debati parlamentar lidhur me gjendjen e arsimit në Luginën e Preshevës, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!
Të nderuar kolegë deputetë,
Unë mendoj që, fatkeqësisht, e kemi të njëjtën klimë të debatit si të ditës së djeshme, për të cilën gjithashtu shpreha edhe mendimin tim dhe pakënaqësinë time, fillimisht nga ne si Kuvend i Kosovës, ngase për këto tema me mjaft rëndësi sikur që është kjo sot për gjendjen e arsimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës – Kosovë Lindore, konkretisht, nuk jemi duke treguar respekt dhe interesim e përkushtim aq sa duhet sa vërtet e meritojnë bashkëkombësit tanë atje në atë vend, në atë zonë ku jetojnë atje, për faktin se këtu po e them sot, e thashë edhe dje në debatin kur e kishim për zhdukjen e profesor Ukshin Hotit dhe shumë të pagjeturit e tjerë dhe se ne si Kuvend i Kosovës nuk jemi të interesuar të punojmë dhe të japim atë që vërtetë ata e meritojnë ngase nga 120 deputetë sa i ka kjo legjislaturë vetëm ¼ jemi sot këtu, pra rreth 30 deputetë, kurse ora është 14:00 pasdite, ndërsa nga Qeveria nuk është asnjë ministër.
Edhe dje, edhe sot u përmend shumë edhe faktori ndërkombëtar dhe faktorët tjerë, e si mund të presim ne prej tyre kur ne vetë nuk po e japim atë çfarë vërtetë e meritojnë ata, pra për bashkëkombësit tanë, për shqiptarët që jetojnë atje dhe të mos e fajësojmë askënd, por ta fajësojmë vetveten tonë.
Gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, konkretisht në Kosovën Lindore është mjaft e rëndë dhe jo vetëm në fushën e arsimit për çka po debatojmë ne sot këtu, ngase ne e dimë se po shkelen të drejtat themelore të shqiptarëve atje, nuk respektohet liria sa duhet atje.
Në mandatin e kaluar, kur ne e miratuam si Kuvend i Kosovës një rezolutë e kam shprehur qëndrimin tim dhe qëndroj prapa atij qëndrimi tim edhe në këtë mandat, se kërkoj që shqiptarëve në Kosovë lindore t’u jepen ato të drejta të cilët i kanë edhe qytetarët serbë në Republikën e Kosovës, të jenë të barabartë të përfaqësuar edhe në Qeverinë e Serbisë, atje, edhe në Kuvendin e Serbisë, edhe në nivele komunale ashtu sikur Qeveria e Kosovës u ka dhënë të drejta qytetarëve serbë.
Prandaj, të mos lejojmë ne që të shtypen shqiptarët dhe të mos jenë të barabartë, sikur ne këtu u kemi dhënë të drejtat tjerëve. Prandaj, kjo ështëajo çka duhet të themi nga se kemi shkelje në shumë fusha, jo vetëm në arsimin e Kosovës Lindore.
Komisioni parlamentar i Kuvendit të Kosovës e ka vëzhguar situatën atje, duke qenë edhe vetë prezent atje dhe normal para neve këtu ka sjell edhe disa rekomandime që mirëpret nga ne t’i përkrahim, por unë mendoj se shteti i Kosovës nuk mund ta ndihmojë aq sa duhet arsimin në Kosovë Lindore për faktin se vetë arsimi në shtetin e Kosovës është i degraduar dhe në një gjendje mjaft të rëndë.
Ne e dimë se arsimi i Kosovës, e veçanërisht ai i sistemit universitar, është i monopolizuar, i kriminaliziuar, nepotizuar dhe kemi shumë afera të rënda korruptive në këtë sistem universitar, dhe arsimor në përgjithësi, por megjithatë mos interesimi për t’i mbështetur shqiptarët në Kosovën Lindore tash edhe për këtë arsim, është argument i qartë se Kosova nuk mund t’u ndihmojë atyre shumë atje dhe argument më të qartë e kemi edhe prezencën këtu nga ana e deputetëve dhe nga mungesa e tërësishme e Qeverisë së Kosovës, prandaj nuk jemi ne vetë sa duhet ngase egoja për pushtet dhe ambicie personale ka bërë që t’i harrojmë ata që vërtetë e meritojnë dhe të mos harrojmë se Kosova Lindore ka ndihmuar në forma të ndryshme të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Por, ajo që është e rëndë atje, përveç arsimit, e kemi edhe një fakt të rëndë të cilin nuk e përmenda se qytetarët e Kosovës Lindore këtë e kam vërejtur edhe vetë kur kam qenë në vizitë në vitin e kaluar, nuk shohin perspektivë jetesën në atë vend atje. Pjesa dërmuese e rinisë shqiptare në Kosovën Lindore janë duke migruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian edhe më larg, prandaj ne do të shohim nëse ky trend i largimit dhe migrimit të qytetarëve nga Kosova Lindore, në vende të ndryshme do të vazhdojë kështu, atëherë do të shohim për një periudhë shumë të shkurtër që ajo popullatë do të zvogëlohet, ndoshta edhe do të ndryshohet përbërja demografike e asaj zone, nuk do të kemi shumicë shqiptare, atje.
Prandaj është më se urgjente që Qeveria e Kosovës, bashkë me Kuvendin e Kosovës, njëherë e përgjithmonë ta tregojnë atë çka vërtet duhet të mos mbajmë ne folklorizëm dhe poezi këtu, por të veprojmë.
Dhe, ajo për fund çka dua të them, pa dashur ta zgjas më shumë, e thashë edhe dje në debatin për Ukshin Hotin, e po e them edhe sot këtu, fatkeqësisht nga përvoja që kemi nga mandati i kaluar edhe në këtë mandat, qoftë rezoluta të votuara në Kuvendin e Kosovës, qoftë rekomandime të votuara në Kuvendin e Kosovës, asnjëherë nuk janë marrë për bazë nga qeveritë e ndryshme në Republikën e Kosovës.
Fuqia legjislative dhe politike e Kuvendit të Kosovës është shumë e zbehtë përball vendimeve të Qeverisës ë Kosovës, prandaj ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës duhet të jemi unikë, pavarësisht dallimeve politike e partiake dhe në qoftë nevoja, edhe ta afatizojmë Qeverinë e Kosovës, në formë bojkoti të punës tonë.
Shpeshherë e kemi parë, në praktikën tonë parlamentare se partitë e ndryshme nga pozita dhe opozita, dinë të bojkotojnë seancën, dhe në këtë rast është mundësi e mirë që ne si deputetë të jemi unikë dhe nëse është nevoja ne në mënyrë unike ta bojkotojmë seancën dhe të kërkojmë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen çështje që ndërlidhen me fatin e shqiptarëve, qoftë në Kosovë, siç ishte rasti i të pagjeturve dje, në krye me Ukshin Hotin, edhe sot që po debatojmë për fatin e shqiptarëve në Kosovë Lindore, prandaj çdo votim, çdo rekomandim dhe çdo rezolutë e votuar në Kuvendin e Kosovës, koha e treguar, nuk po them me paragjykime, por po e them me fakte që kemi kaluar nëpër to, se çdo gjë që është votuar në Kuvendin e Kosovës, nuk ka gjetur dhe nuk është duke u respektuar nga asnjë qeveri në Republikën e Kosovës, prandaj edhe votimet e sotme, po them me bindje të plotë, do të mbesin vetëm në letër, ndërsa ky debat i yni do të jetë vetëm debat para televizioneve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Faleminderit!