E enjte, Tetor 30Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Debat parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovës

GK - Kuvendi 3
Debat parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovës

Prishtinë | 27 Mars 2014 | Kuvendi i Kosovës

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryetar!

Të nderuar ministra,
Deputetë të nderuar,

Fillimisht dëshiroj të përgëzoj për këtë debat ata që e kanë iniciuar, kolegët deputetë, por njëherësh do të dëshiroja të shpreh edhe rezervat dhe shqetësimin tim, ngase jo gjithmonë rekomandimet e Kuvendit kanë hasur në zbatim në praktikë, prandaj nuk dëshiroj të jem pesimist dhe të druaj se nuk do të zbatohen as rekomandimet e sotme apo të nesërme varësisht prej kuorumit që do ta kemi sonte në sallë, por shpresoj se do të gjeni mirëkuptim edhe në politikat e ardhshme qeverisëse të këtij vendi sa i përket arsimit parauniversitar, për faktin se vërtet e kemi gjendjen shumë të ulët në sistemin shkollor fillor dhe të mesëm në Kosovë, e veçanërisht këto vitet e fundit ku për ne si shoqëri janë mjaft të rënda dhe të papranueshme të gjitha këto akte të dhunës, të vrasjeve, ngacmimeve seksuale, shantazheve dhe kushtëzimeve të notave që po ndodhin nga dy palët në sistemin shkollor.

Jemi dëshmitarë se shkollat fatkeqësisht janë shndërruar edhe në pista, sfilata të modës, edhe në fushëbeteja të ndeshjeve fizike, edhe në vendtakime të ndryshme, ndërsa më pak të mësimnxënies nga nxënësit prej profesorëve të tyre.

Prandaj, është shumë e rëndë dhe shumë alarmante për shoqërinë tonë kjo gjendja aktuale që po ndodh në vendin tonë.

U përmend edhe më herët se prioritet duhet t’i jepet sigurisë në shkolla, qoftë nëpërmjet sigurisë fizike apo kamerave të ndryshme, por unë me përgjegjësi të plotë them se nuk qëndron problemi te siguria në shkolla.

Problemi qëndron te komponenti, te edukimi i mirëfilltë i nxënësve në shkolla, ngase rastet e fundit që kanë ndodhur kudo në tërë territorin e Kosovës, kanë dëshmuar se siguria nuk është faktor që i mbron ata, se kemi pasur raste të vrasjes, të lëndimeve edhe në vendet ku nuk mund të jetë i pranishëm as polici dhe as kamera. Kemi pasur vrasje dhe lëndime në tualete të shkollave, në vende të fshehta, kemi pasur vrasje edhe në stacion të autobusëve, ku nxënësit takohen duke nisur për në shkolla.

Do të thotë, jo vetëm Policia e Kosovës, por asnjë polici e vendeve të tjera nuk mund t’ia sigurojë sigurinë personale nxënësve në shkollat e tyre. Por, ne kemi të bëjmë me sigurinë e nxënësve, në përgjithësi, e jo vetëm sigurinë në shkolla, e sigurinë e nxënësve nuk e jep Policia e Kosovës, nuk e japin kamerat e tyre, ngase ato nuk mund të jenë në vendet më intime bashkë me nxënësit e tyre, as polici e as kamera, por sigurinë e nxënësve e jep edukimi i mirëfilltë i nxënësve.

Ne e dimë që në arsimin parauniversitar të Kosovës mungon komponenti edukativ. E kemi vetëm komponentin arsimor, domethënë kemi arsimim ndërsa edukim nuk kemi dhe kjo është pasoja kryesore pse e kemi shkallën e lartë të dhunës, të vrasjes, të ngacmimit seksual në shkollat tona, do të thotë mungesa e komponentit edukativ.

Fundja e fundit, shumë ministra, shumë ministri, konkretisht po flasim këtu për Ministrinë e Arsimit, ngase kemi të bëjmë për shkolla, i dëgjojmë qëndrimet e tyre për integrime evropiane, po mirë, nëse flasim për integrime evropiane, pse nuk e marrim model atëherë legjislacionin e Bashkimit Evropian, ngase thuhet se duhet të harmonizohet legjislacioni i Kosovës me legjislacionin e Bashkimit Evropian si kusht për integrime evropiane.

Nëse harmonizimi i legjislacioneve është kusht integrimi evropian, atëherë pse nuk e kanë shkollat fillore komponentin, konkretisht edukatën fetare, të cilën e kanë të gjitha shkollat e Bashkimit Evropian? Të gjitha shkollat në rajon. Është për keqardhje se si nxënësit tonë në Kosovë privohen dhe janë të degraduar në raport menxënësit bashkëmoshatarë të tyre në rajon, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo qofshin ata, por edhe në Evropë, që nuk e kanë edukatën fetare të shkollave të tyre, ndërsa kolegët e tyre e kanë.

Prandaj, edhe një herë i bëj thirrje Ministrisë së Arsimit, nëse vërtet rruga e Kosovës është për Bashkimin Evropian, harmonizojeni Ligjin për arsimin parauniversitar siç e ka Bashkimi Evropian dhe ju lutem njëherë e përgjithmonë ta kini parasysh të jetë pjesë e arsimit edhe komponenti i edukatës fetare.

Faleminderit!

https://www.youtube.com/watch?v=7RMfqkdoZ4M

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.