
Debat parlamentar lidhur me gjendjen në Veri të Kosovës
Prishtinë | 18 Prill 2012 | Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar nënkryetar!
I nderuar kryeministër,
Të nderuar ministra,
Kolege dhe kolegë deputetë,
Padyshim që situata aktuale në veriun e Kosovës, konkretisht Mitrovicës është shqetësuese, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Aktet e fundit terroriste në fillim, në muajin korrik që pasohen me vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi dhe pastaj djegia e pikave kufitare, dhuna e vazhdueshme atje dhe së fundi vrasja në mënyrën më të ulët dhe më trishtuese për vet familjen e tij e shqiptarit Selver Haradinaj, të japin të kuptojmë se kemi të bëjmë me grupe terroriste të organizuara mirë, me banda kriminale që strategjitë e tyre kanë jo vetëm dëbimin e shqiptarëve, por edhe të gjithë komuniteteve tjera joserbe atje, duke përfshirë edhe boshnjakët, turqit dhe ashkalitë, egjiptasit dhe të tjerë, që një fund do të ketë një rezultat pastrimin etnik të asaj ane çka edhe rezulton vetëm në shifra statistikore, në kohë të fundit që vërejmë një numër shumë të vogël proporcional në krahasim mes shqiptarëve dhe serbëve që jetojnë në atë anë.
Duhet të jemi realist se kjo situatë në veriun e Kosovës nuk i përshtatet askujt dhe askush nuk e dëshiron. Njëherit, të gjithë e dimë që në këtë pjesë të Kosovës nuk po respektohet Kushtetuta e Kosovës, nuk po respektohet sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial, nuk po respektohen institucionet policore dhe institucionet doganore të Kosovës, çka do të thotë se kemi mungesë të respektimit të rendit dhe të ligjit.
Njëherit shkalla e pasigurisë ka kaluar çdo nivel. Qytetarët jo serbë të asaj ane, janë duke përjetuar atë çka ne para viteve ‟99 e kemi përjetuar.
Por, duhet ta pranojmë edhe një fakt se aktualisht ne ende jemi të pafuqishëm në zbatimin e rendit dhe të sigurisë në atë anë, ende jemi të pafuqishëm në zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Republikës së Kosovës, andaj përgjegjësie në atë anë, pjesë të Kosovës bie mbi të gjithë neve si qytetarë të Kosovës jo vetëm mbi një parti apo mbi një qeveri të caktuar.
Njëherit duhet të jemi më koshient, më syçelë për ballë të gjitha këtyre sulmeve të orkestruara dhe kriminale që shpeshherë po e kanë mbështetjen e strukturave udhëheqësve të Beogradit dhe në veçanti të ministrit të Punëve të Brendshme, i cili me mburrje edhe me një nostalgji për ish – regjimin e Millosheviqit, krenohet me arrestimet e fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës, si masë reciprociteti ku se fundi pasuan edhe me arrestimin në vetë tokën e Kosovës të dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ne nuk bëjmë dhe nuk guxojmë që në asnjë moment të bimë në nivelin e tyre për faktin se ne e kemi zgjidhur një rrugë, rruga jonë është e qartë, rruga jonë është integrimi në Bashkimin Evropian, për këtë kemi edhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Për atë arse çdo akt i ulët i cili ngjason me aktet e Serbisë, vetëm do të na degradojë dhe do të na stopoj mbrapa nga jemi nisur.
Por një gjë, në anën tjetër duhet ta kemi parasysh se nuk bënë të jemi latent, të lejojmë veten të bimë në gjumë se tjetërkush punon për aktin tonë dhe për ardhmërinë tonë, por duhet që me mençuri edhe në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtarë, të kontribuojmë në zgjidhjen e kësaj krize politike.
E them politike, nga se çështja e veriut, është çështje politike. Njëherit duhet t‟i japim një mesazh të qartë se problemi i Mitrovicës nuk është vetëm problem i Kosovës, por është problem kombëtar bile – bile problem ndërkombëtar. Unë mirëpres që nga kjo seancë të nxjerrim një përfundim, një mesazh të qartë për të gjithë ata që mendojnë ta sfidojnë rendin dhe sigurinë në atë pjesë veriore të Kosovës, se pjesën veriore, konkretisht, veriu i Mitrovicës ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e Kosovës.
Ju faleminderit!
