E shtunë, Nëntor 1Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Debat parlamentar lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës

GK - Kuvendi 2
Debat parlamentar lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës

Prishtinë | 26 Janar 2015 | Kuvendi i Kosovës

Seanca plenare rreth Migrimit ilegal

Debat parlamentar lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës 26.01.2015

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!

Të nderuar ministra,
Kolegë dhe kolege deputetë të nderuar,

Tema për të cilën po flasim sot, e cila në fakt është pasojë e shumë shkaqeve që ndodhin në Kosovë dhe që ka të bëjë me migrimin, unë mendoj që nuk është një temë apo një fenomen i panjohur në shtetin tonë.

Edhe pse këtu në shkresën që e kemi marrë nga Sekretaria, kërkesa është bërë që debati të jetë debat parlamentar për migrimin ilegal.

Ne të gjithë jemi koshientë e të vetëdijshëm se nuk kemi të bëjmë me migrim ilegal, por përkundrazi kemi të bëjmë me migrim legal, ngase qytetarët e Kosovës me dokumente valide, me letërnjoftim, e kalojnë kufirin e Kosovës me autobus dhe migrojnë drejt Evropës.

Do të thotë kemi të bëjmë me një migrim legal, i cili është i nxitur nga shumë faktorë. Por, fatkeqësisht, mendoj që edhe ne si Kuvend i Kosovës, edhe Qeveria, po mendoj gjithë spektri politik i Kosovës jemi përgjegjësit kryesorë për migrimin ilegal që po ndodhë në Kosovë. Pse?

Janë shumë faktorë, të cilët po mundohem në pika të shkurtra t’i përmend, por në radhë të parë të mos harrojmë: Unë mendoj se ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk kemi të drejtë morale t’u themi qytetarëve të Kosovës mos migroni dhe të jemi kundër migrimit, ngase ne e dimë që fatkeqësisht, edhe kjo legjislaturë, edhe në legjislaturat e kaluara, paga e deputetit të Kosovës është tetëfishti i pagës mesatare në Kosovë, paga e ministrit të Kosovës është tetëfishti i pagës mesatare në Kosovë, presidenti e ka 15-fishin e pagës mesatare në Kosovë dhe ka pagë të përjetshme edhe pas mandatit të tij, qoftë me zyrë, qoftë me asistent, qoftë me vozitës.

Prandaj, të gjitha këto e bëjnë situatën mjaftë të rëndë dhe për shumëkënd edhe mjaft të arsyeshme që të migrojë drejt Evropës, edhe pse unë personalisht jam kundër migrimit dhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të migrojnë e ta lënë vendin e tyre por unë prapë, po them që edhe ne si deputetë të Kosovës e mbajmë një pjesë të përgjegjësisë për migrimin që po ndodh në Kosovë.

Faktor tjetër pa dyshim është që 15 vjet pas luftës është edhe krimi i organizuar dhe shkalla e lartë e korrupsionit, për të cilin flasin raportet ndërkombëtare. Prandaj, kur i kemi të gjitha këto parasysh, atëherë është një argument që një pjesë e qytetarëve të Kosovës të migrojnë drejt vendeve tjera.

Këtu u përmend edhe gjendja shumë e rëndë ekonomike në mjaft detale dhe shumë sfera të ndryshme.

Por, prapë e them ata që migrojnë nuk kanë marrë vendim të duhur, për faktin se të mos harrojmë edhe gjeneratat e kaluara, edhe prindërit tanë, edhe gjyshërit tanë kanë jetuar ndoshta në kushte edhe më të rënda ekonomike, por nuk u ka shkuar mendja fare ta lënë vendlindjet e tyre, atdheun e tyre, ngase vatani nuk lihet lehtë.

Dhe, të mos harrojmë që pasojat nuk janë vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik, sepse sot popullsia e Kosovës gjithnjë e më shumë është duke migruar dhe kjo shkon, siç thotë një fjalë popullore “çon ujë në mulli të tjetërkujt”. Prandaj, imazhi i Kosovës po dëmtohet në shumë sfera.

Andaj, ne duhet të mobilizohemi të gjithë, të punojmë, ta dëshmojmë nga vetvetja jonë që jemi kundër migrimit, e jo t’i ndihmojmë migrimit, ngase siç e përmenda, fatkeqësisht ne sot po debatojmë për migrimin, i cili është pasojë e shumë shkaqeve. Në vend se ne të merremi me shkaqet, ne po merremi me pasojat.

Prandaj, unë po propozoj që në ato pikat që janë dhënë si rezolutë të votohet në Kuvendin të Kosovës të shtohen shtylla kryesore, që do të ndikojnë në migrimin aktual dhe në migrimin afatgjatë.

E para, të jetë nga vetvetja jonë, të jemi realistë dhe të jemi të
barabartë me popullin. Të kërkojmë që rroga e deputetit të zvogëlohet dhe të ardhurat e të gjithë zyrtarëve të lartë politikë të zvogëlohen, nëse dëshirojmë të kontribuojmë kundër migrimit.

E dyta, ta harmonizojmë strategjinë kundër luftës, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngase kjo është një ndër shkaktarët kryesorë që rinia është e pasigurt dhe pa shpresë në vendin tonë, dhe

E treta, të kërkohet nga Bashkimi Evropian që edhe Kosova, që ka mbetur i vetmi shtet i izoluar, të përfshihet në vendet ku qytetarët e saj mund të lëvizin pa viza, ngase një mundësi e tillë u pamundëson qytetarëve të migrojnë në mënyrë legale dhe të kërkojnë azil politik.

Unë ju falënderoj për vëmendjen, pa dashur ta zgjas më shumë, faleminderit.

https://www.youtube.com/watch?v=x4pQ6S37UBI&t=4s

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.