E martë, Tetor 28Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

GK - Kuvendi 4
Debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Prishtinë | 1 Shkurt 2014 | Kuvendi i Kosovës

Korrupsioni dhe arrestimet në Universitetin e Prishtinës

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!

Të nderuar ministra,
Kolegë deputetë të nderuar,

Padyshim që debati për universitetin është një debat i cili ka ngjallur kureshtjen jo veç të neve këtu, por gjithë opinionit kosovar dhe institucioni fatkeqësisht i cili është përgjegjës për prodhimin e kuadrove të reja, të cilat në të ardhmen do të udhëheqin me Kosovën, është implikuar në korrupsion dhe skandale të ndryshme.

Shumë herë është përmendur se nuk është mirë të politizohet çështja e këtyre problemeve në Universitetin e Prishtinës, por fatkeqësisht vetë universiteti është i politizuar dhe kjo nuk po ndodh vetëm në vitin e fundit, por nëse e shikojmë në mënyrë analogjike që 15 vjet mbas luftës ne kemi probleme të tilla me Universitetin e Prishtinës.

Korrupsioni e ka përfshirë çdo shtresë duke filluar prej studentëve e deri te profesorët e dekanët e tyre, prandaj është një gjendje mjaftë e rëndë dhe mendoj që vetëm dorëheqja e rektorit apo dikujt përgjegjës nuk i zgjedh problemin, ngase sikur të ishte veç deri te rektori atëherë gjithë do të ishim unanim që të japë dorëheqje dhe të zgjidhet problemi, por mendoj që çka do të zgjidhte nëse eventualisht rektori jep dorëheqje kur e dimë që problemet janë më shumë se një dekadë, kanë zënë rrënjë të thella në Universitetin e Prishtinës.

Kemi gjendje shumë të rëndë, kemi numër enorm jashtë listës, jashtë konkursit të studentëve të pranuar në fakultetet të ndryshme, veçanërisht në Fakultetin e Mjekësisë, vite me radhë. Kemi punësim pa kritere, kemi nepotizëm klasik në Fakultetin e Mjekësisë dhe në fakultetet e tjera, kemi dhënie jo të rregullt të provimeve nga ana e studentëve në bashkëpunim me profesorët e tyre dhe më e rënda që është përfolur kohëve të fundit, kemi edhe diploma në mënyrë jo legale të dhëna. Kjo mendoj që është pjesë e hetuesisë ata duhet të merren nëse eventualisht ka dhënie të tilla të diplomave të tilla.

Prandaj, gjendja në universitet duhet të gjithëve të na shqetësojë, të mos kërkojmë që vetëm një figurë të jetë përgjegjëse për këtë, por përgjegjësia është mbi të gjithë klasën politike që 15 vjet mbas luftës që ka lejuar që të vijë universiteti në gjendje të tillë, ngase nga kjo gjendje e tillë e Universitetit kanë përfituar fatkeqësisht edhe një pjesë e mirë e politikës së tashme dhe të kaluara, ku dimë edhe titujt shkencorë mirë se si janë marrë dhe se si janë avancuar.

Prandaj, unë mendoj që duhet të shikojmë të gjithë, të gjejmë një rrugë zgjidhje edhe si institucion legjislativ të jemi krah për Universitetin e Prishtinës dhe të mos kërkojmë vetëm kokën e një personi konkretisht rektori që ai të japë dorëheqje, por të mendojmë për një zgjidhje më afatgjatë ngase dorëheqja e tij unë mendoj që nuk e zgjidh problemin.

Kushdo që të jetë aty, nëse e zgjedhim figurën më kredibile në Kosovë është shumë problematike ta zgjidhë problemin që është në Universitetin e Prishtinës më shumë se 10 vjeçar.

Por, duhet një angazhim gjithëpërfshirës dhe mendoj të flasim për apolitikë është jo e drejtë, ngase e dimë që shumë udhëheqës, shumë struktura të cilët vijnë aty, janë prej strukturave të ndryshme politike, por për shkak të ligjit duhet të deklarohen që më nuk janë aktiv në atë parti politike, përndryshe universiteti është i politizuar, vazhdon të jetë i politizuar, por neve si politikë na takon ta ndihmojmë Universitetin dhe mos të fajësojmë figura të ndryshme për faktin se problemet janë gjithëpërfshirëse, janë më masive dhe nuk janë individuale.

Faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.