
Debat parlamentar për Ditën Ndërkombëtare të Gruas
Prishtinë | 09 Mars 2012 | Kuvendi i Kosovës
Grupi i Grave Deputete, i përkrahur nga 44 deputete, nënshkruese, ka parashtruar në Kuvend, kërkesë për seancë të veçantë pune, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
GËZIM KELMENDI:
I nderuari kryetar,
E nderuara ministre,
Të nderuar kolegë dhe kolege deputetë,
Në bazë të praktikave të deritashme parlamentare, sa herë që kemi pasur debate parlamentare, kryesisht unë por edhe të tjerët kemi folur ulur nga vendi ku jemi. Por, për faktin se sot kemi një debat parlamentar që ka të bëjë me të drejtat e gruas në Kosovë dhe respektin që e kam për gjininë femërore vendosa të dal këtu para jush dhe të ju përshëndes dhe shpreh përkrahjen dhe mbështetjen e plotë për juve.
Njëherit, Grupin e grave deputete e përgëzoj për këtë organizim të këtij debati, por nuk pajtohem me një çështje që ky debat të jetë vetëm me një ditë të caktuar, ashtu siç është bërë për nderë të 8 marsit, por ky debat të jetë më i fuqishëm, më I mbështetur dhe të jetë më i organizuar dhe më i shpeshtë për faktin se gruaja nuk meriton të nderohet vetëm 1 ditë brenda 365 ditëve, por duhet të nderohet vazhdimisht çdo ditë, më fuqishëm dhe në mënyrë më dinjitoze.
Prej se ekziston njerëzimi në këtë planet, gruaja e ka pasur rolin kryesor në zhvillimin, edukimin, përparimin dhe civilizimin e shoqërisë dhe të njerëzimit në përgjithësi. Në luftë dhe në paqe gruaja ka qenë faktor dominant në zhvillimin dhe civilizimin i cili nuk mund askush ta kundërshtojë.
Edhe te ne në Kosovë, nëpër të gjitha periudhat e ndryshme historike, gruaja ka luajtur rolin e vet dhe ka ushtruar ndikimin e saj sa që është për tu marrë lakmi nga të gjitha gratë e vendeve të tjera që e lakmojnë këto rol që e kanë ushtruar.
Unë nuk dua t’i përmend këtu emrat e grave nëpër histori të Kosovës që kanë kontribuar, por dua të përmendi atë që ndoshta nuk më ra rasti të dëgjoj dhe me të cilën mburrem – me nënën Zahide Jashari e cila i lindi, rriti dhe luftoi bashkë me djemtë e tyre Adem Jasharin dhe Hamzën, për çka edhe kolegët tjerë e paskan përmend.
Po sot pyesim se çka po bën shoqëria jonë kosovare për gruan në përgjithësi. Unë them me përgjegjësi të plotë se gruaja nuk është duke u trajtuar me meritën dhe respektin të cilin vërtetë ajo e meriton. Them jo, nga se në shoqërinë tonë gruaja nuk vlerësohet si personalitet me vlera të larta intelektuale por vlerësohet dukja dhe ekstravaganca e saj. Thënë shkurt, vlerësohet më shumë për bukurinë që e ka se sa për vlerat e mirëfillta që i gëzon. Jemi dëshmitarë për shumë keqpërdorime, abuzime, shantazhe dhe kërcënime që i bëhen gruas kosovare.
Duhet ta pranojmë dhe një fakt dhe një aktualitet prezent te ne në Kosovë, çka nuk ka qenë i njohur deri më tani, se vërtet Kosova është e zhytur në një krizë të thellë morale. Dhe kjo për faktin se mungon respekti dhe vlerësimi i duhur përballë gruas në Kosovë dhe ajo sot shihet me sy si objekt tërheqës e i keqpërdorimit dhe jo që kontribuon për shoqërinë tonë. Kjo krizë e ka një zgjidhje e për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi prindërit dhe mbi institucionet arsimore dhe në krye me Ministrinë e Arsimit.
Fëmija në familje dhe në shkollë duhet të edukohet ashtu siç zoti i madhëruar kërkon që nëna të respektohet më shumë se babai, që gruaja të respektohet nga bashkëshorti. Kur është në raport me shoqëri të ketë kolegia përparësi ndaj kolegëve meshkuj dhe kur është pyetja te fëmijët vajza të respektohet, të duhet e çmohet dhe të jetë prindi më i kujdesshëm ndaj vajzave se sa ndaj djemve.
Zgjidhjen e këtij problemi në gjitha vendet e Bashkimit Evropian me dekada e kanë nisur përmes një rruge të cilën ne vetëm e injoruam para disa muajve këtu në Parlamentin e Kosovës përmes edukatës fetare në shkollat publike e private.
Faktor tjetër që e bën gjendjen më të rëndë të gruas në shoqërinë tonë është edhe dhuna e tepërt që ushtrohet ndaj gruas, qoftë në viset rurale, qoftë në viset urbane. Kjo torturë dhe dhunë që ushtrohet ndaj gruas pa dyshim e ka një adresë, e ka një bazë negative dhe ajo është për shkak të dominimit të sistemit patriarkal që ende ekziston në disa familje kosovare dhe mendësisë apo prezencës së kanunit të Lekë Dukagjinit i cili në nenin 20 dhe 28 thotë se “gruaja është tepricë në familje, nuk ka të drejtë në trashëgimi dhe burri nëse e rrah gruan deri në alivanosje, nuk ka përgjegjësi ndaj gruas”.
Ju e dini mirë se të gjitha këto duhet të ndryshohen dhe duhet një punë për të ndërruar vetëdija e tillë e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, neve na duhet punë për gruan e cila ka qenë dhe është shtyllë e familjes dhe e shtetit në përgjithësi.
Unë e përgëzoj Grupin e grave deputete për një nismë të tillë dhe iniciativë të tillë dhe kërkoj që këto debate të jenë më të sheshta dhe të fuqishme. Njëherit kërkoj nga Grupi i grave deputete për mirëkuptim, të kenë mirëkuptim edhe për gjininë e tyre, konkretisht për vajzat e reja të cilat po privohen nga shkollimi i tyre fillor e i mesëm, që është obligativ dhe të cilat padrejtësisht po largohen nga shkolla për shkak të mbulesës dhe shamisë.
Ne e dimë fort mirë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji aktual I arsimit para – universitar e definon qartë dhe lejon manifestimin publik për bindje fetare, por është një udhëzim administrativ i nxjerrë në vitin 2010 i cili po i largon këto vajza nga shkolla në mënyrë të padrejtë e aq më të rëndë po e bën faktin me atë se ky shkollim është obligativ.
Fundi i fundit, edhe Kosova është përcaktuar për një rrugë dhe ajo është rruga për në Bashkimin Evropian dhe këto vajza nuk po kërkojnë më shumë asgjë se sa koleget e tyre në Bashkimin Evropian, të jenë të lira, të shkollohen pavarësisht bindjeve të tyre fetare.
Asnjë vend dhe asnjë rajon i Bashkimit Evropian nuk e ndalon shkollimin e vajzave për shkak të mbulesës, ndërsa ne, një gjë të tillë po e bëjmë.
Ju faleminderit.
