
Interpelanca e kryeministrit të Kosovës, z. Isa Mustafa për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, të propozuar nga GP “Vetëvendosje”
Prishtinë | 27 Mars 2015 | Kuvendi i Kosovës
Seanca plenare
KRYESUESI: Ftojmë Deputetin e pavarur të Republikës së Kosovës Gëzim Kelmendi
GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!
I nderuar kryeministër, Kabinet qeveritar,
Kolege deputete dhe kolegë deputetë të nderuar,
Në këtë debat i cili po vazhdon nga dita e djeshme, përveç se kemi të debatojmë, po debatojmë dhe për 100 – ditëshin e punës së kryeministrit Mustafa, e kemi edhe fushën tjetër të cilën dje kryeministri e paraqiti, edhe programin qeverisës gjatë këtij mandati.
Por, para se të ndalem, qoftë te puna e kryeministrit gjatë 100 – ditëshit apo plan-programit qeverisës, unë mendoj që edhe ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës apo në përgjithësi si Kuvend i Kosovës, duhet të jemi më aktivë dhe në nivel të përgjegjësisë më të madhe, për faktin se duhet të kërkojmë më tepër llogari dhe transparencë nga Kabineti qeveritar.
Pra, unë i propozoj drejtpërdrejt Kryesisë së Kuvendit, që një ditë në javë, qysh se është e caktuar e dita e enjte për pika të ndryshme dhe projektligje të ndryshme, të caktohet një ditë në javë, për shembull mund të jetë ditë e mërkure që çdo ministër të raportojë para deputetëve për punën në kabinetin e tij, kështu që do të ketë mundësinë që një ministër së paku gjatë një sesioni vjeshtor të raportojë një herë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë mënyrë, ne do ta mbajmë më aktive edhe Qeverinë edhe do të kërkojmë më shumë llogari dhe transparencë se sa të lihet vetëm kur inicion ndonjë grup parlamentar.
Prandaj, i propozoj drejtpërdrejt Kryesisë së Kuvendit, të caktojë një ditë në javë për raportimin e secilit ministër, një herë në javë nga secili, ngase ne e pamë, shpejt na përfshiu plogështia dhe dje, ende pa u bërë ora 19:00, veç përfundoi debati.
Pra, unë mendoj që ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht të ardhurave të majme që i marrim dhe privilegjeve të ndryshme, nuk po jemi në gjendje më shumë se një seancë në javë dhe atë kur bëhet ora 19 po dorëzohemi para kohe dhe, duke pasur që puna e deputetëve apo e parlamenteve në rajon është shumë më aktive dhe dinë të zgjasin edhe pas orës, pasmesnatës.
Në anën tjetër, kur jemi te puna e 100 – ditëshit të kryeministrit Mustafa dhe plani qeverisës, unë mendoj se është një fazë shumë fillestare, shumë e hershme, dhe ndoshta të lëshohemi në kritika për faktin se i kemi vetëm 100 ditë të kaluara.
E para se të kaloj në fazën e kritikave, unë kam propozime apo këshilla konkrete për kryeministrin Mustafa, fillimisht duke filluar nga Kabineti i tij, kërkoj që qysh në fillim, pasi që është fillim i mandatit të tij, me automatizëm ta ndërpresë emërimin e zëvendësministrave nëpër ministri të ndryshme, ngase jam plotësisht koshient dhe i vetëdijshëm se kryeministri Mustafa e din një gjë të tillë, se zëvendësministrat pothuaj se nuk kanë fare rol ekzekutiv në proceset vendimmarrëse.
Pra, ata janë më shumë për plotësimin e apetiteve partiake se sa për fuqi vendimmarrëse, dhe një zëvendësministër i kushton buxhetit të Kosovës në muaj, me kabinetin e tij, 2 000 deri në 3 000 euro, e që në vit paraqet një shumë deri në 2 milionë euro, prandaj gjatë elaborimit të temës më tepër, mund të jap edhe propozime konkrete se ku është më mirë të alokohen ato mjete, prandaj kërkoj nga kryeministri që së paku në këtë fillim të mandatit të ndalojë emërimin e zëvendësministrave të mëtutjeshëm.
Sa i përket punës dhe programit qeverisës, unë mendoj se për këtë Qeveri dhe Kabinet qeveritar, sfidë kryesore në këtë mandat lufta kundër krimit të organizuar e cila njëherit është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, duke i pasur parasysh se në vitet e kaluara, çdo vit me radhë, kemi parë nga Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian se Kosova, fatkeqësisht ballafaqohet me shkallë të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, prandaj unë mendoj se kjo mbetet sfida kryesore e kësaj Qeverie, përkrah sfidës tjetër që është zhvillimi ekonomik i vendit.
E shfrytëzoj edhe prezencën e ministrit të Punëve të Brendshme, që ta inkurajojë për punën që e ka bërë javën e kaluar me arrestimin e një grupi fajdexhinjsh në komunën e Vushtrrisë, por ministri, mendoj edhe pse është fillimi i mandatit të tij, një gjë të tillë e din që fatkeqësisht në Kosovë kemi shumë fajdexhinj, jo vetëm në Vushtrri, por në tërë Kosovën.
Kemi edhe njerëz të përfshirë në grupe të ndryshme kriminale, qoftë në vrasje, qoftë në haraç, rrëmbime dhe të gjitha këto të cilat Ministrinë e Brendshme e përballin me një sfidë jo të lehtë, po flas në kuptimin e plotë, me një krim mjaft mirë të organizuar në Kosovë dhe ministër i nderuar i Brendshëm, unë mendoj se e ke një sfidë mjaft të rëndë përballë të gjithë ministrave tjerë – kolegëve tuaj në Kabinetin qeveritar.
Dhe ajo çka kërkoj nga ti, është se në zonat që veçanërisht janë të ndjeshme dhe të përfshira kohë më parë dhe në kohën e tashme nga krimet dhe vrasjet e ndryshme, të rritni potencialet dhe kapacitetet njerëzore të policisë dhe të themeloni njësi speciale.
Ministër i nderuar,
Është paradoksale ajo çka ndodhur në mandatin e kaluar. Për shembull, rasti konkret në komunën e Pejës, është pezulluar Njësia Speciale, kështu që ne e dimë se komuna e Pejës, fatkeqësisht po ballafaqohet ende, edhe pse në shkallë më të vogël, me vrasje dhe forma të ndryshme të krimit të organizuar, prandaj unë e kam një propozim konkret për ju që ta shqyrtoni këtë çështje dhe komuna e Pejës të mos të mbetet pa Njësi Speciale.
Ne e dimë që Gjakova e ka, kurse Gjakova fatmirësisht, qëndron në shkallën më të mirë në raport me komunën e Pejës sa i përket krimit dhe vrasjeve, prandaj mos e injoroni një gjë të tillë.
Jam i bindur se nuk do ta injoroni, por edhe të keni parasysh këtë propozimin tim, sepse është mjaft thelbësor dhe substancial për sigurinë në Kosovë.
Dhe, propozimi konkret, apo shqetësim kryesor kur jemi te krimi i organizuar, është paradoksale se një vend me një numër kaq të vogël të banorëve, në një pozitë strategjike mjaft të mirë, pozitë gjeografike siç është Kosova në Evropën Juglindore, në Ballkan, me një popullatë mbi 2 milionë banorë ka aq shkallë të lartë të krimit të organizuar, trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, droga, pastrim parash, dhe dihet se në qendrat kryesore të pastrimit të parasë janë kazinot.
Në kohën pas lufte, një ndër burimet kryesore ku bëhet shpëlarja e parave janë kazinotë, prandaj mos i neglizhoni këto dhe merrni hapa konkretë në mbylljen e tyre dhe luftimin e krimit të organizuar. Dhe, kur jemi te krimi i organizuar, unë mendoj, edhe pse një pjesë e madhe e ministrave mungojnë këtu, në shumë sektorë të tyre është prezent krimi i organizuar.
Ministri aktual, për momentin nuk është këtu dhe i cili doli, e ndoshta e dëgjon mbrapa atje, ministri I Arsimit dhe i gjithë sektori i arsimit fatkeqësisht është i përfshirë nga krimi i organizuar. Ka të dhënat të ndryshme se krimi i organizuar ka shkuar aq në shkallë të lartë sa janë dhënë diploma pa e pa kandidatët kurrë fakultetin me sy. E keni mega – skandalin në komunën e Pejës ku flitet se mbi 500 diploma janë dhënë, ndërsa argument për këtë, se vërtet ka pasur diçka aty, është edhe djegia e objektit të Fakultetit të Biznesit në vitin e kaluar.
Do të thotë, aty kur është djegur ajo godinë, ajo djegie e qëllimshme dhe jep të kuptojë diçka që ka dashur të fshihet pas asaj djegie diçka, prandaj prapë po ju referohemi që si Qeveri e Kosovës keni mjaft përgjegjësi, keni mjaft sfida përballë krimit të organizuar dhe unë ju inkurajoj në punën e mëtutjeshme.
Dhe, fakti se shumë ministra po mungojnë, dhe po më hendikepon të flas në mungesë të tyre, ndoshta në seancat e ardhshme do ta kam mundësinë ta shfrytëzoj një gjë të tillë, por desha t’i kthehem dhe referohem asaj kur në fillim thashë pse është më mirë mos të emërohet një zëvendësministër dhe të alokohen mjetet tjetërkund, desha ta ndërlidhi me Ministrinë e Punës, sepse ne e dimë që në Kosovë shkelen të drejtat thelbësore të punëtorëve, veçanërisht në sektorin privat.
Dhe, duke qenë vetë pjesë në mandatin e kaluar, si deputet e anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kemi inspektuar punën e Inspektoratit të Punës dhe kur kemi kërkuar nga Inspektorati i Punës të ndëshkohen ato ndërmarrje private të cilat shkelin të drejtat e punëtorëve konkretisht, nuk respektohet Ligji i punës që është 40 orë në javë dhe punëtorët punojnë mbi 40 orë, punojnë edhe vikendeve, dhe nuk paguhen me kontrata dhe përmes transaksioneve bankare.
Arsyetimi i Inspektoratit ka qenë që nuk kemi kapacitete njerëzore, me një fjalë nuk kemi njerëz dhe nuk mundemi për t’i inspektuar të gjitha bizneset në Kosovë.
Dhe në këtë rast, e kam propozimin konkret, në vend të zëvendësministrave, rriteni kapacitetin e inspektorëve të punës, të inspektohet Ligji i punës, mos të shkelen të drejtat e punëtorëve dhe të happen vende e mundësi të reja të punës me afatgjatë dhe të shihet produkti i tyre në mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Faleminderit, për kureshtjen tuaj!