
Interpelanca e Zv.Kryeministrit Hashim Thaçi për demarkacionin Kosovë – Mali i Zi
Prishtinë, 25 Qershor 2015 Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryetar!
I nderuar Kabinet qeveritarë,
Kolegë deputetë,
Çështja e demarkacionit pa dyshim që është një temë mjaft e ndjeshme dhe pikërisht për shkak të peshës, rëndësisë së saj që ka të bëjë me çështje shtetërore dhe sigurisht për qytetarët e Kosovës në fillim të mandatit të kaluar, konkretisht në muajin mars të vitit 2011, e kam ngrehur këtë çështje.
Kanë kaluar pothuajse 4 vjet dhe kjo gjë ka mbetur e fjetur edhe nga Kuvendi, edhe nga qeveritë e ndryshme të Kosovës. Prandaj, çka do që mund të flasim këtu, qoftë nga Kuvendi, qoftë nga Qeveria, të gjithë e dimë se gjendja në terren është çfarë është, çfarë u tha edhe më herët, se autoritetet malazeze e kanë invaduar territorin e Kosovës, edhe në Kullë, në vijën Pejë – Kullë -Rozhajë, edhe në vijën Pejë – Çakorr. Prandaj, gjendja në terren nuk është e mirë, është mjaft e rëndë dhe pretendimet e autoriteteve malazeze për ta invaduar territorin e Kosovës nuk janë të shëndosha dhe nuk janë qëllimmira.
Prandaj, unë mendoj që duhet një mobilizim urgjent, edhe i Qeverisë, edhe i Kuvendit të Kosovës, edhe pse jemi të vonuar, prapë po e them, se katër vjet pasi e kemi hapur këtë, temë unë personalisht, prapë kemi ardhur në situatë që të bisedojmë, por gjendja në terren është e ndryshuar në aspektin negativ. Ajo çka më inkurajoi të flas, ta marr fjalën përsëri, pas katër vjetësh për këtë temë, po
befasohem, se jam i bindur që këtu në Kuvendin e Kosovës ka juristë dhe ne e dimë që jurisprudenca është e ndarë në çështjen civile dhe penale, ndërsa ata që janë njohës të çështjes civile e dinë edhe një fakt në jurisprudencë, që nëse një person, qoftë person fizik, qoftë person juridik, qoftë shoqëri, apo shtet, e shfrytëzon një pronë më shumë se 10 vjet, atëherë ajo pronë automatikisht kalon në pronësi të tij. Prandaj, ne e dimë që nga viti 2002 kilometra të shumtë të territorit të Kosovës janë në shfrytëzim të Republikës së Malit të Zi.
Prandaj, është shumë e drejtë dhe shumë me vend që ne kemi humbur një pjesë të territorit të Kosovës dhe shumë vështirë për ta kthyer atë.
Por, të mos e harrojmë edhe një fakt tjetër, sikur dikujt i ka konvenuar kjo gjendje në terren. A e dini pse? Se qindra kubik dru të maleve të Kosovës janë prerë ilegalisht, në bashkëpunim me autoritetet malazeze. Do të thotë, kjo nuk është bërë vetëm rastësisht. Kush e ka bërë këtë duhet ta dinë të gjithë, por edhe mund ta dimë një fakt, se gjendja e tillë në terren prapë po them nuk është mirë. Shumë vështirë do ta kemi t’i kthejmë ato pjesë që i kemi humbur, por mbetemi me shpresë që ne të jemi më vigjilentë dhe të punojmë. Pa dashur të hyj më shumë në histori në detaje, ngase tema e njëjtë është përmendur nga unë pikërisht para katër vjetëve, por po them që gjendja nuk është lehtë, për të mos thanë fare pesimiste.
Ne duhet të jemi prapëseprapë optimistë, të punojmë për kthimin e atyre kilometrave të humbur, por të jemi mjaft të vetëdijshëm se një gjë e tillë është shumë vështirë e realizueshme, për të mos me thënë fare.
Faleminderit!