
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës
Fjalim lidhur me Arkat Fiskale
Prishtinë | Kuvendi i Kosovës
Në emër të Grupit Parlamentar Koalicioni për Kosovë të Re, Gëzim Kelmendi e ka kërkuar fjalën.
GËZIM KELMENDI: Faleminderit!
I nderuar kryetar i Kuvendit,
I nderuar kryeministër,
Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra,
Kolegë deputetë dhe deputete të nderuar,
Pa dyshim që ndër prioritetet tona mbetet rritja dhe zhvillimi ekonomik dhe I mirëqenies së qytetarëve të Kosovë, por përballë kësaj sfide ne nuk guxojmë që në asnjë formë që për t’i realizuar synimet dhe prioritetet tona, të rëndojmë situatën e atyre që vite me radhë e kanë bartur peshën e rritjes së zhvillimit ekonomik.
Ne jemi të vetëdijshëm që kontribuuesit më të mëdhenj kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë bizneset e vogla dhe bizneset e mëdha, që janë një ndër taksapaguesit më të mëdhenj të Republikës së Kosovës, por ajo që viteve të fundit i ka rënduar ata është vendimi i tyre për blerjen e arkave fiskale.
Nuk dua të ketë keqkuptime, as unë dhe as ata, nuk jemi kundër arkave fiskale, por jemi kundër strategjisë se këto arka t’u imponohen atyre. Çmimet e larta që ata janë detyruar t’i paguajnë për këto arka fiskale, pa dyshim që edhe më shumë e rëndojnë statusin e tyre ekonomik dhe biznesor.
Nga kjo strategji e shitblerjes së arkave fiskale, fitimtare nuk është as Qeveria e Kosovës, as bizneset, por janë ato kompani të cilat e kanë fituar të drejtën e shitjes së këtyre arkave fiskale.
Çmimet e larta të këtyre arkave fiskale dhe gjithashtu kamatat e larta në rast të blerjes së këtyre arkave me këste, kanë ndikuar që nga numri i përgjithshëm i bizneseve që janë regjistruar në Republikën e Kosovës, 105 mijë, deri tani vetëm 9 mijë janë pajisur me këto arka. Një vërejtje të tillë e kemi pasur edhe në Raportin e Progresit, ku një gjë të tillë mjaftë mirë dhe në mënyrë profesionale e ka elaboruar deputeti i nderuar Ali Sadriu.
Nuk janë vetëm çmimet e larta të këtyre arkave fiskale të cilat e bëjnë edhe më të rëndë këtë, por fakt tjetër me rëndësi që rëndon situatën e bizneseve kosovare është edhe fakti se këtyre bizneseve u imponohet që çdo vit të bëjnë servisimin e këtyre arkave, në vlerë prej 116 eurove. Do të thotë, nëse nuk bëhet kjo pagesëatëherë atyre u bllokohet funksionimi i këtyre arkave fiskale.
I nderuar ministër Hamza,
Unë jam plotësisht i vetëdijshëm që në mandatin e kaluar junuk keni qenë pjesë e kësaj Qeverie, por duke pasur parasysh qysh në fillim të mandatit jeni përkushtuar për rritje dhe zhvillim të ekonomisë dhe lehtësime biznesore, kam arsye dhe besim të fortë të shpresoj që ju nuk do të lejoni edhe më tutje të rëndohet gjendja e bizneseve kosovare, ku fitues nga kjo situatë janë vetëm kompanitë të cilat e kanë fituar të drejtën e shitjes së këtyre arkave.
Faleminderit!