
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës, kërkoi Njësi Speciale për qytetin e Pejës
Prishtinë | 27 Mars 2014 | Kuvendi i Kosovës
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës
Kërkoi Njësi Speciale për Qytetin e Pejës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryetar!
Të nderuar ministra,
Kolegë deputetë të nderuar,
Pothuajse ka kaluar një vit nga muaji prill i vitit të kaluar 2013, kur në të njëjtin vend, të njëjtën foltore, pothuajse për të njëjtën arsye kam dalë ta ngre këtë çështje dhe prapë fatkeqësisht më duhet ta bëj pas një viti, ngase është e natyrës së njëjtë.
Rasti në fjalë ka qenë që në muajin prill të vitit të kaluar në qytetin e Pejës është vrarë afaristi pejan, Sali Kastrati. Dhe, unë këtu, nga kjo foltore e Kuvendit të Kosovës i kam kërkuar nga ministri i Brendshëm të organizojë një njësi special ‘task forcë’ për atë regjion si qytet i ndjeshëm për shkak të situatës së rëndë, me të cilën atje po ballafaqohen qytetarët e Pejës, dhe fatkeqësisht, jo që nuk është arritur të themelohet ajo njësi speciale, por ne në vitin 2013 është shuar njësia speciale në rajonin e Pejës.
Dhe, ç’është më e keqja, rastet e rënda dhe vrasjet po ndodhin, ashtu siç është kjo vrasja e fundit, i cila është mjaft tronditëse për qytetarët e Pejës, kur në mes të ditës, në qendër të qytetit të Pejës, në largësi jo më të madhe se 300 metra nga Stacioni Policor i Pejës, vriten qytetarët e Pejës, ndërsa vrasësit ende sot e kësaj dite, as ata në të kaluarën dhe as tash, nuk zbulohen.
Unë e di që Policia e Kosovës ka nevojë për mbështetje, edhe logjistike, edhe morale, edhe materiale. Pa dyshim që rritja e pagave duhet ta përfshijë këtë sektor shumë më shumë se sektorët të tjerë për faktin se kemi të bëjmë me një shkallë të lartë të krimit të organizuar dhe mungesës së sigurisë.
Jo rastësisht në Raportin e Progresit, Kosova cilësohet si vendi me shkallën më të lartë të krimit të organizuar.
Prandaj, kërkoj edhe një herë nga ministri i Brendshëm që maksimalisht ta shfrytëzojë potencialin e tij në kuadër të Ministrisë së Brendshme, që në atë rajon të themelohet një njësi speciale e Pejës, e cila do të kontribuojë për të gjitha këto vrasje që ka ndodhur deri më tash dhe njëherë e përgjithmonë qytetarët e Pejës, rajonit në përgjithësi dhe Kosovës në përgjithësi të jenë të qetë dhe të mosballafaqohen me vrasje të tilla të përditshme dhe të dhunës se, në fund të fundit, një fjalë e urtë popullore thotë: “Në çdo send të keq ka një dritë”.
Edhe këtu po them, në të gjitha këto po ndodh diçka që vërtet na jep të kuptojmë diçka të mirë dhe një argument se në kohën e fundit, e di që ndoshta dikush nuk do të pajtohet me mua, por është përfolur shumë për mandatin e EULEX -it në Kosovë dhe unë mendoj që me gjithë këto vrasje që po ndodhin në Kosovë, shkallës së lartë të krimit të organizuar, është herët të mendohet për largimin e EULEX -it nga Kosova.
Ende ka mjaft punë këtu për EULEX -in për faktin se mungon vullneti, mungon dëshira që të luftohet krimi i organizuar në Kosovë.
Faleminderit!
