
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës – Vrasjet në Komunën e Pejës 
Prishtinë | 18 Prill 2013 | Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Falemnderit!
I nderuar kryetar,
I nderuar
Kabinet qeveritar,
Të nderuar kolegë dhe kolege,
Dje, padyshim që gjatë seancës në të cilën u debatua për veriun, shumë nga ne, në mesin e tyre edhe unë përmendëm se si bandat kriminale serbe, grupet e organizuara kriminale po i terrorizojnë shqiptarët në veri të Mitrovicës, për qëllime tashmë të njohura të tyre, qoftë për pastrim etnik apo për dëbim të shqiptarëve, ndërsa atë çka dua të them sot është se me keqardhje në Kosovë, prej pas luftës nuk kemi të bëjmë vetëm me banda kriminale serbe, por kemi të bëjmë edhe me grupe apo banda kriminale të organizuara shqiptare.
Qe 13 vjet pas luftës po i terrorizojnë qytetarët e Kosovës, e në veçanti fjalën e kam për rastin e fundit që është duke ndodhur në qytetin e Pejës, ku si pasojë e këtyrekrimeve të organizuara, konkretisht dje ka vdekur, ndërsa sot varroset qytetari i Pejës, Sali Kastrati, i cili është edhe një viktimë e radhës së këtyre bandave që 13 vjet pas luftës që Pejën e kanë shndërruar në një vatër të krimit, të terrorizimit të qytetarëve të asaj ane që pa fije turpi dhe fije ndalese i terrorizojnë shqiptarët.
Duhet cekur që 13 vjet pas lufte, vrasja në Pejë, vrasjet e shumta të qytetarëve të Pejës, duke përfshirë që nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, figurat e ndryshme politike të qytetarëve të Pejës, më pastaj intelektualë, juristë, bizismenë dhe afaristë të ndryshëm, kanë qenë pre e këtyre bandave kriminale serbe çka deri tash ende nuk është marrë kurrgjë kundër këtyre. Veçori tjetër apo dukuri tjetër që është zhvilluar në qytetin e Pejës që këto 13 vjet pas luftës, është dukuria e haraçit apo e reketit që njihet në popull, ku shumë biznese të Pejës, janë pre e këtyre grabitësve dhe bandave kriminale.
Gjithashtu edhe rrëmbimet e shumta, pastaj rrjeti i zhvilluar i drogës, kanë gjetur pre në qytetin e Pejës dhe në Kosovë në përgjithësi. Vite më parë është djegur Dhoma e Hetimeve kur Stacioni i Policisë, konkretisht Njësiti i Hetimeve ka qenë I stacionuar në ndërtesën e ish – Shtëpi së të Kulturës, çka janë pamundësuar shumë hetime të këtyre rasteve, ndërsa me plot përgjegjësi mund të them se gati, jo gati të gjitha, por shumica e këtyre rasteve ende nuk janë zbardhur, vrasjet të cilat kanë ndodhur në qytetin e Pejës për këto 13 vjet pas luftës.
Unë mendoj se qytetarët e Pejës edhe qytetarët e Kosovës, në përgjithësi askujt nuk i kanë borxh që për këto 13 vjet të jenë pre e vrasjeve të tyre, pre e rrëmbimeve të tyre, pre e reketit apo e haraçit dhe krimeve të tjera.
I ndjeri i cili sot varroset, është vrarë në pragun e shtëpisë së tij, vetëm e vetëm duke mos bërë kompromise me bandat e tilla duke mos u dhënë reket atyre që kanë kërkuar nga pasuria e tij, ndërsa ne sot vazhdojë të jemi pre ende e këtyre grabitësve.
Peja është duke shkuar në një rrugë, në një qytet i cili vetëm tash ka marrë përmasa të mëdha qoftë në Meksikë, siç Meksiko Siti apo edhe Sicilia çka vetë kam pasur rastin ta vizitoj, kur krimi dhe mafia e kontrollojnë jetën e qytetarëve, nuk e kontrollon policia…
Më vëmendje dje dëgjova raportin e ministrit të Punëve të Brendshme, doktor Bajram Rexhepi, i cili paraqiti para neve masat e ndërmarra për kalimin e situates së tensionuar në veri dhe përmendi se në mesin e këtyre masave është dërgimi i një togu special i Njësisë Speciale në atë anë. Unë propozoj dhe kërkoj nga ministri që një gjë të tillë ta ndërmarrë edhe në rajonin e Pejës.
Përveç njësive speciale, të dërgojë edhe forca speciale, qoftë nga ana e hetuesisë, të merren me hetimin e këtyre krimeve dhe ndalimin e këtyre krimeve që 13 vjet e kanë pllakosur Pejën.
Falemnderit.
