
Kundër benificioneve të Presidentit, Kryeministrit, Ministrave dhe Deputetëve
Prishtinë, 9 Korrik 2015 Kuvendi i Kosovës
Kundër benificioneve të Presidentit, Kryeministrit, Ministrave dhe Deputetëve
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryesues!
I nderuar ministër,
Kolege dhe kolegë deputetë të nderuar,
Debati i sotëm që ka të bëjë me rishikimin e buxhetit, pa dyshim, unë mendoj se është ndër debatet më të rëndësishme dhe më maratonike në raport me kuvendet tjera rajonale apo më gjerë evropiane, ngase ne e dimë kur kemi debate të tilla në kuvende e parlamente të ndryshme, seanca të tilla zgjasin me orë por edhe me ditë të tëra, për faktin se bëhet fjalë për të ardhmen kryesore të një shteti, ekonominë e një vendi, zhvillimin ekonomik të një vendi. Rishikimi i buxhetit ashtu siç e tha edhe ministri, që është hap paraprak për buxhetin e vitit 2016, unë pajtohem plotësisht që nuk është një buxhet i mjaftueshëm, nuk i plotëson në tërësi kërkesat e qytetarëve të Kosovës, por është edhe një fakt tjetër, që shqetëson edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe perspektivën e qytetarëve të Kosovës, është fakti se për 16 vjet të pasluftës deri më tani nuk kemi pasur një menaxhim të mirëfilltë të Buxhetit të Republikës së Kosovës, apo më mirë me thënë, ka qenë një keqmenaxhim me përmasa mjaft të mëdha dhe, kjo ka reflektuar edhe me perspektivën ekonomike të këtij vendi.
Mos të harrojmë, se shumë në fusha ka ngecur dhe nuk është investuar aq sa duhet. Unë, fatkeqësisht, më duhet ta pranoj një fakt, se Kosova është i vetmi vend që më së paku ka investuar në shëndetësi. Është sektori që është i lënë pas dore në raport me të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian. Pastaj, është i vetmi vend që më së paku ka investuar edhe në ekonomi dhe në fund të fundit, na është paraqitur një dukuri shumë e rëndë, ka vazhduar nga mandati i kaluar, ndërsa edhe tash në këtë mandat, shumë familjeve që kanë qenë të përfshira me asistencë sociale u janë ndërprerë të ardhurat mujore të asistencës sociale, pastaj edhe shumë qytetarëve të Kosovës që janë invalidë me nevoja të veçanta, si rasti i të verbërve dhe të gjitha këto dukuri të tjera, rëndojnë gjendjen e ekonomike të Kosovës.
Unë çfarë desha të potencoj në këtë fjalimin tim kryesor, është se përveç vërejtjeve që u dhanë këtu nga kolegët deputetë, ne duhet të jemi edhe vetëkritikë.
I nderuar ministër, jemi të vetëdijshëm që edhe Kuvendi i Kosovës edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe Qeveria e Kosovës e edhe ministrat e ndryshëm marrin të ardhura të mjaftueshme mujore, bile, bile pagat tona i kalojnë të gjitha pagat e deputetëve të rajonit dhe më gjerë.
Dhe, sikur kjo nuk na mjafton, unë kërkoj nga ju ministër, që në buxhetin e vitit 2016 ta zvogëloni buxhetin për financimin e partive politike. Nuk është korrekte, që partitë politike të marrin në muaj 2500 euro për kokë deputeti financim për zhvillimin e aktivitetit të tyre politik. Do të thotë, nëse një parti politike ka dhjetë deputetë, ajo me automatizëm në muaj i merr 25000 mijë euro.
Prandaj, kjo është tej mase, përveç pagave të mëdha që i kemi si deputetë, ne marrim edhe para të tjera për financimin e partive të ndryshme politike.
Dhe, është një fakt, se ne e dimë që këto mjete arsyetohen si për zhvillimin dhe rritjen e partisë politike dhe fushata të ndryshme. Ne e dimë, se kur po vjen koha e fushatave, pjesa dërmuese e partive politike nuk financohet nga ato para, por gjejnë rrugë të ndryshme, nga firma apo donatorë të ndryshëm.
Prandaj, ministër, keni parasysh këtë për vitin 2016 e kam kërkesë të drejtpërdrejtë, që të zvogëlohet ky financim, të zvogëlohet ky buxhet për financimin e partive politike. Në anën tjetër, ne e dimë që edhe grupet parlamentare brenda vet Parlamentit të Kosovës marrin para të mira për kokë deputeti. Edhe ky është shqetësim, që duhet të korrigjohet nga ana juaj.
Unë jam në përgjithësi, i nderuar ministër, për atë që të reduktohen të gjitha të ardhurat dhe benificionet e ndryshme të zyrtarëve të lartë publikë, duke filluar nga posti i presidentit dhe te poshtë, te kryeministri e të gjithë të tjerët.
Nuk është korrekte në një vend, ku kemi një shkallë të lartë rreth 40% të varfërisë e papunësisë, me një 17% varfëri mjaft të lartë, që presidenti, kryeministri e zyrtarë të lartë tjerë, kryeparlamentari dhe kryeprokurori dhe të gjithë të tjerët, pas përfundimit të mandatit të tyre, të marrin pagë të përjetshme. Nuk e kemi atë komoditet që atyre t’u sigurojmë pagë të përjetshme, asistentë të përjetshëm, zyrë të përjetshme dhe veturë zyrtare.
Unë mendoj se duhet të korrigjohemi njëherë e përgjithmonë, për faktin se ne u ballafaquam me një dukuri shumë të rëndë në muajin janar të këtij viti që lamë pas, me një fluks shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, që migruan drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Prandaj, dashur e padashur në mënyrë indirekte kemi ndikuar edhe ne si pjesë e politikës kosovare, që dekurajojmë qytetarë të ndryshëm dhe të marrin rrugën e migrimit.
Prandaj, reduktimi fillimisht duke qenë vetëkritik, i zyrtarëve tanë duke u nisur nga vetvetja si Kuvend i Kosovës, si deputetë, si Qeveri e Kosovës, e hap derën që të bëjnë një menaxhim edhe më të mirë institucionet e ndryshme. Ju e dini, se qeveritë e ndryshme, apo më mirë me thënë, ministritë e ndryshme nga paslufta, qe 16 vjet kanë tejkaluar çdo normë etike dhe morale, sa i përket shpenzimit të mjeteve buxhetore. Ka shpenzime ekstreme në dreka, darka, udhëtime jashtë vendit, bileta aeroplani, karburante e vetura luksoze. Është paradoksale, se si është e mundur pothuajse në çdo mandat ministrat kanë blerë vetura të reja, zëvendësministrat e tillë dhe unë mendoj që vetëm në këtë formë mund të kontribuohet në rritjen e buxhetit të Kosovës dhe të mos vijmë në një situatë, kur të themi se nuk kemi buxhet të mjaftueshëm.
Do të thotë, ne përveçse nuk kemi buxhet të mjaftueshëm, kemi edhe keqmenaxhim të tepruar të buxhetit të Kosovës. E kam dhënë si vërejtje parimore dhe prapë qëndroj pas asaj, se mendoj që zëvendësministrat nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës, për faktin se aktualisht Kosova nuk gëzon një pozitë të mirë ekonomike, as një GDP të mire filltë në raport me vendet e rajonit.
Prandaj, zëvendësministrat as kurrfarë detyre nuk kanë, kurrfarë roli nuk çojnë, prandaj veç i shkaktojnë shpenzime buxhetit.
Unë mendoj që kam propozime konkrete, ministër. Të hapni më shumë vende të reja të punës, të cilat do të ndikojnë më shumë në luftimin e krimit të organizuar. E kam propozuar se në cilin sektor, prapë po e përsëris, kemi rastin konkret me inspektorët e punës dhe inspektorët e tregut, të cilët janë, kanë mungesa në kapacitetet e tyre dhe të shtoni potencialet e tyre, nga se vetëm në këtë formë mund të luftohet krimi i organizuar, ngase dimë mirë që në tregun e Kosovës, fatkeqësisht, sikur në çdo institucion, ka lulëzuar dhe fatkeqësisht, ende mbretëron krimi i organizuar, shkelen të drejtat e punëtorëve, largohen njerëz nga puna, nuk respektohet orari i punës, nuk paguhen kontributet shteti, vërtet sa duhet të paguhen.
Vetëm me një mbikëqyrje të tillë, me rritjen e potencialit të inspektorëve mund ta ndaloni këtë dukuri dhe krim të organizuar.
U përmend edhe më herët çështja e tatimeve. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm te çështja e ngritjes së tatimeve, të cilët në anën tjetër i kontribuon rritjes së Buxhetit të Kosovës. Unë mendoj që duhet pasur parasysh qytetarët, shtresat e qytetarëve të Kosovës dhe jam absolutisht kundër tatimit në pronë, nuk është në rregull kur kemi shumë familje me asistencë sociale, të paguajnë tatim barabartë me disa familje, që kanë nga dy tri paga në familje.
Prandaj, te kjo çështja e tatimeve është një pikë mjaft e ndjeshme dhe keni parasysh në rritjen dhe ku po prekni, në cilat shtresa. Edhe pse e dimë se shumë biznese të mëdha, të lidhura me nëntokën politike u ikin tatimeve të mirëfillta, paguajnë vetëm sa për sy e faqe, nga se kanë benifite të tjera.
Ajo çka vlen të përmendet dhe shihet si e ardhur kryesore e Buxhetit të Kosovës është, se në vitet e fundit e me këtë po krenohen edhe qeveritë e ndryshme të Kosovës, janë doganat e Kosovës.
Prandaj, unë jam… është e vërtetë, të ketë kontroll të shtuar dhe të mos ndalohet kontrabanda, por të mos ketë mbidoganim në raport me vendet tjera. Kosova është prijatare në raport me të gjitha vendet e rajonit, sa i përket doganimit të produkteve të ndryshme, veçanërisht produkteve të tekstilit.
Të mos harrojmë, se Kosova deri vonë ka qenë qendër tregtare, ku në vendet e rajonit kanë ardhur, kanë marrë dhe kanë eksportuar produkte nga Kosova, ndërsa sot një gjë e tillë ka rënë mjaft në nivel të ulët, për faktin se dogana i ka kufizuar tregtinë për qytetarët e Kosovës në këtë formë dhe ka reduktuar numrin e vendeve të punës.
Mendoj se duhet të kihet parasysh për faktin se është kufizuar dhe është dekurajuar tregtia e lirë në Kosovë me rritjen e doganave. Doganat duhet të jenë shumë vigjilente, shumë rigoroze, në raport me kontrabandën, por jo të jenë në raport me ndëshkimet apo më mirë të them me taksat e tyre shumë më të mëdha në raport me vendet e rajonit.
Dhe, e fundit, duke mos dashur ta zgjas më shumë, një gjë e tillë e cila i kontribuon edhe ekonomisë së vendit, pa dyshim, përveç doganave që i përmenda, është të fuqizohet edhe roli i eksportimit vendor. Ne e dimë, fatkeqësisht, shumë prodhues vendor janë të hendikepuar të eksportojnë produktet e tyre në tregun e rajonit dhe më gjerë dhe kjo gjë e pamundëson rritjen e buxhetit të Kosovës dhe rritjen e perspektivës. Ka shumë produkte vendore, qoftë nga bujqësia, qoftë nga industria e tekstilit, të cilët nuk mund të gjejnë vend në tregjet e rajonit dhe më gjerë, për shkak të ekonomisë jo të lirë të tregut, për shkak të konkurrencës jo të drejtë.
Prandaj, unë kërkoj që tu mundësohet qytetarëve të Kosovës, njëherë e përgjithmonë të jenë të barabartë me të gjithë të tjerët, edhe në eksportin e produkteve të tyre, në punën e tyre, dhe në pagesën e taksave me qëllim që njëherë e përgjithmonë, buxheti i Kosovës përveç që do të rritet e të konsolidohet, por do të jetë i drejt, i barabartë dhe jo ndëshkues për shtresa të ndryshme të qytetarëve të Kosovës.
Faleminderit!