
Ratifikimi i vendimeve të Qeverisë, për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, Gjilan dhe në Mitrovicë
Prishtinë | 30 Maj 2013 | Kuvendi i Kosovës
Ratifikimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, si institucione publike të arsimit të lartë
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryetar!
I nderuar kryeministër, ministra të nderuar,
Deputetë të nderuar,
Vendimi për themelimin e universiteteve të reja padyshim që i ka edhe anët pozitive dhe negative. Por, unë uroj dhe jam optimist që ky vendim për hapjen e universiteteve të reja publike, le të jetë si motiv shtesë për mbylljen e fakulteteve apo si quhen sot kolegjeve private, ngase prej momentit kur kanë hapur, lulëzuar universitetet private, konkretisht kolegjet private në Kosovë, nuk kemi cilësi në arsim. Këtë duhet ta dimë, se u përmend cilësia në arsim.
Nuk ka cilësi. Dihet kriteri i provimeve në fakultete private dhe dihet në fakultete publike. Po e bëj vetëm një krahasim me fakultetin tim ku e kam kryer, në fakultetin publik të Universitetit të Prishtinës –në Fakultetin e Mjekësisë, i cili vetëm vite i ka 6 vjet teori provime dhe praktikë, ndërsa fakulteti privat që ka qenë dhe është funksional në Kosovë, po edhe në vende jashtë Kosovës janë me vetëm 4 vjet dhe studentët me 4 vjet fakultet privat, por edhe duke iu nënshtruar edhe kritereve joreale, kanë marrë nota shumë të larta dhe kanë garuar e zënë vende të atyre që e kanë kryer fakultetin publik në Universitet publik.
Do të thotë sot nuk mund të flasim për cilësi, gjithçka mund të flasim por cilësia ka rënë. Mirëpo, uroj ministrin e Arsimit, që ky vendim për hapjen e universiteteve publike në vende të ndryshme të qyteteve të Kosovës, të jetë hap nxitës që të mbyllen ato private, ngase është degraduar arsimi në Kosovë.
Unë shpresoj dhe jam optimist që ministri do të ndërmarrë hapa të tillë ngase nëpërmjet fakulteteve private s‟kemi prodhuar cilësi, por kemi prodhuar vetëm diploma e shpeshherë në momente të caktuara, edhe ashtu u përmenden, diploma fals dhe tituj postdiplomik pameritor.
Faleminderit!