
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Prishtinë | 8 Dhjetor 2014 | Kuvendi i Kosovës
Fjalimi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me datë 08.12.2014
GËZIM KELMENDI:
Faleminderit, i nderuar kryesues!
Të nderuar ambasadorë të vendevetë ndryshme,
E nderuara zonja Lunaçek,
Të nderuar kolegë deputete dhe deputetë,
Përfaqësues të medieve,
Fillimisht dua të uroj për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve si derë hyrëse për formimin e Qeverisë, edhe pse vetë personalisht kam votuar kundër, ngase qëndrimet e mia tashmë vetëm i dini. Jam deklaruar kundër, për faktin se nuk jam as pjesë e grupit parlamentar. Edhe në të ardhmen do të veproj si deputet i pavarur.
Por, ajo çka më intrigoi dhe më shtyri të flas para juve sonte, pa dashur të ju marrë shumë nga koha juaj e çmuar, është që të flas sadopak, qoftë për koalicionin e tashëm, qoftë për të kaluarën, ngase për të ardhmen është hipotetike edhe paragjykuese të flasim se si do të jetë.
Është shumë e padrejtë të akuzohet drejtpërdrejt dhe sonte këtu i mandatari për kryeministër, deputeti Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike, ngase ende nuk e dimë se si do të veprojë.
Unë e di pse vijnë edhe ato kritika ndaj tij, po në anën tjetër është shumë e padrejtë të kritikohet edhe Partia Demokratike për gjendjen aktuale në Kosovë, për faktin se nuk është vetëm ajo përgjegjëse për gjendjen në Kosovë. Është përgjegjës tërë spektri politik për 15 vjet të pasluftës që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.
Populli i Kosovës nuk e meriton një gjendje të tillë. Populli i Kosovës meriton shumë, ngase ka vuajtur shumë në raport me të gjithë popuj tjerë të Ballkanit e të Evropës, në përgjithësi.
Është shumë e rëndë të flitet për ne si shtet i ri me 2 milionë banorë. Po thuhet edhe në raportet ndërkombëtare, e në veçanti në Raportin e Progresit që Kosova është një vend me shkallë të lartë të krimit të organizuar dhe me shkallë të lartë të korrupsionit.
15 vjet pas luftës është mbjellë ky korrupsion, është mbjell ky krim i organizuar. Kemi vrasje të pazbuluara ende. Kemi ende krim të organizuar, kemi haraç, kemi fajde në të gjitha trevat e Kosovës. Prandaj, vetë sundimi i krimit të organizuar e ka krijuar një njollë jo të mirë për Kosovën. Të mos të harrojmë, për 15 vjet pas luftës asnjë zyrtar i lartë i
Qeverisë së Kosovës, qoftë kryeministër, qoftë ministër, nuk është i burgosur për korrupsion.
A mendoni se të gjithë janë të pastër? Nuk po dua të paragjykoj se të gjithë i kanë duart e përlyera, por unë mendoj që këtu ka diçka, e fatkeqësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ka qenë në gjendje ta luftojë një gjë të tillë.
Të mos harrojmë se në vendet e rajonit, pa dashur të përmend emra, kemi kryeministra dhe ministra të cilët janë arrestuar dhe janë burgosur për korrupsion. Atëherë, nëse na del kjo dhe e analizojmë, e shohim që Kosova nuk ka problem as me sundimin e ligjit, as me problemin e korrupsionit, por fatkeqësisht është e kundërta.
Kemi numër të madh dhe shkallë të lartë të korrupsionit në çdo institucion shtetërorë, publik dhe privat të Kosovës. Fatkeqësisht, nëse e shikoni vetëm gjendjen – statusin e zyrtarëve qeveritarë, gjatë 15 vjetëve të pasluftës do të shikoni se si ata kanë punuar më shumë për vetveten se për popullin e tyre.
Nëse i shkoni vetëm veturat e ministrave, të gjithë të kaluarit, nuk po flas me emra të përveçëm, as të kësaj apo asaj qeverie, dhe luksin si ka jetuar një ministër, do ta shihni se Kosova nuk është Kosovë, por është Monako. Por, fatkeqësisht 40% e popullsisë jeton në varfëri me 17% ekstreme.
Nuk është kritika vetëm për ministrat. Kritika është për deputetët, se fatkeqësisht jemi të vetmit deputetë në rajon që e kemi pagën tetë fish më të madhe se paga mesatare në Kosovë, përderisa në vendet tjera të rajonit e kanë dy – tre fish. Prandaj, ne duhet t’ia bëjmë një vetëkritikë vetvetes, t’ua bëjmë një vetëkritikë të gjithë të tjerëve, pastaj të ulemi dhe të punojmë për të ardhmen.
Unë dëshiroj t’i falënderoj këtu edhe përfaqësuesit e vendeve ndërkombëtare, ambasadorët e nderuar.
Vendet e tyre pa dyshim që e kanë dhënë një kontribut të madh në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të japin ende kontribut.
Por, unë jam plotësisht i bindur që as këta nuk janë të kënaqur me lidershipin e këtyre 15 vjetëve në Kosovë, meqë kanë qenë këtu të pranishëm.
Këta duhet të dinë dhe unë jua bëj publikisht unë, të jem i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë me ta se fatkeqësisht, të nderuar partnerë ndërkombëtarë, për 15 vjet të pasluftës nuk keni pasur lidership të mirëfilltë dhe parimor të Kosovës që ju ka mbështetur dhe ju ka respektuar.
Më vjen keq që e them këtë, të nderuar partnerë ndërkombëtarë, por lidershipi i Kosovës, pa dallim, shumica në përgjithësi, ju ka shikuar ju si mjet për ardhje në pushtetin e tyre.
Prandaj, ju si partnerë ndërkombëtarë, nuk guxoni të lejoni në asnjë moment që të zbehet kjo simpati e qytetarëve të Kosovës ndaj jush, nga njerëz të cilët vërtet nuk e meritojnë një gjë të tillë.
Unë ndoshta pas po flas në vija të trasha, por për gjysmë minute do ta shpjegoj edhe në vija të holla se si po ndodh kjo.
Ju e dini që Kosova i ka caktuar prioritetet të saj. Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimit Evropian dhe pa dyshim harmonizimi i ligjeve, legjislacioni i Kosovës, duhet të njihet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Por, mos harroni, po e shfrytëzoj rastin ta përshëndes këtu në veçanti përsëri zonjën Lunaçek, e cila është mjaft e zëshme në çështjen e të drejtave të njeriut, se Kosova vazhdon të jetë … vetëm në Ballkan dhe në Bashkimin Evropian, ku shkelen të drejtat fundamentale të njeriut.
Vajzat e Kosovës nuk lejohen të shkollohen në shkollat fillore dhe të mesme për shkak të bindjeve të tyre fetare, për shkak të mbulesës. Një gjë të tillë e lejon Kushtetuta e Kosovës, por është udhëzimi administrativ i njëministri të kaluar, i cili i ka ndaluar, i ka privuar këto vajza të shkollohen.
Kjo është shkelje e rëndë. Unë i kam vizuar shumë vende të Bashkimit Evropian dhe në asnjë vend vajzat nuk privohen për shkak të mbulesës.
Bashkimi Evropian i respekton në plotësi të drejtat e qytetarëve të vet pa dallim feje dhe kombi. Prandaj, edhe ne qytetarë duhet të jemi koshientë dhe të veprojmë konform, asaj që desha ta sqaroj, ta ndërlidhi me punën dhe politikën që ka bërë lidershipi është se: ndalimi i vajzave, ndalimi i shkollimit të vajzave nga ministri i caktuar, i udhëzim cili vazhdon të jetë prapë në fuqi, është bërë për shkak të bindjeve të tij personale.
Ky lidership shumë gjëra i bën për shkak të bindjeve personale.
Por, kur vjen koha e fushatës e thotë ‘këtëpo e kërkojnë ndërkombëtarët’.
Te populli, fajin ua lë ndërkombëtarëve, ndërsa veprat e tij bëhen për shkak të qëllimeve të tij.
Prandaj, nuk guxojmë të lejojmë që qytetarët e Kosovës ta humbin simpatinë dhe mbështetjen që e kanë aktualisht, qoftë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë për Bashkimin Evropian, ngase edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian, në plotësi respektohen të drejtat e shkollimit dhe të punësimit të vajzave me mbulesë.
Kosova është i vetmi vend që është i privuar nga mësimi fetar, përderisa në shumë vende të Bashkimit Evropian është obligativ dhe diku joobligativ. Ne ende nuk e kemi një gjë të tillë. Prandaj, këto janë mjaft të rënda për neve si shtet që synojnë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian.
Dhe për fund, pa dashur ta zgjas shumë, unë kërkoj nga Qeveria e ardhshme që do të votohet këtu në Kuvendin e Kosovës, prapë po them nuk do ta votoj për faktin se jam i tradhtuar, jo në interesa personale, por në parime dhe në marrëveshje, prandaj e kam të vështirë ta votoj këtë koalicion, por mirëpres nga kryeministri dhe Qeveria që së paku në këtë mandat dhe tutje në të ardhmen të punojnë për qytetarët e Kosovës, se populli i saj meriton më shumë.
Me mijëra fëmijë i kemi në gjendje të rëndë shëndetësore, të cilët nuk kanë mundësi të shërohen, ndërsa ministrat e ndryshëm kanë vetëm vetura prej mijëra euro.
Kemi mbi 40% të papunë, kemi shkallë të rëndë të papunësisë dhe shkallë të rëndë të krimit të organizuar.Prandaj, nga kryeministri pres që kësaj radhe së paku, si dhe ministrat, Kabineti qeveritar,
të mendojnë për popullin, e jo vetëm për vete.
Faleminderit!
