E martë, Nëntor 4Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për barazi gjinore

GK - Kuvendi 6
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për barazi gjinore

Prishtinë | 6 Maj 2015 | Kuvendi i Kosovës

Në bazë të nenit 56 të Rregullores së Kuvendit, Komisioni Funksional e ka shqyrtuar projektligjin dhe Kuvendit ia ka paraqitur raportin me rekomandime për shqyrtim dhe miratim në parim.

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, zoti kryesues!

I nderuar kryeministër,
Ministra të nderuar,
Kolegë deputetë të nderuar,

Ky projektligj, i cili është i titulluar si “Projektligji për barazi gjinore” është, mendoj që ndër projektligjet më të rëndësishme në sistemin legjislativ të Kosovës, për faktin se flet për gjininë femërore e në parim gjinia femërore është gjysma e popullatës së Kosovës dhe, me rolin që ka në edukimin e brezave të ri, atëherë mund të themi lirisht se është tërë popullata e Kosovës.

Prandaj, unë mendoj se duhet një vëmendje e veçantë, si nga ana e deputetëve, ashtu edhe nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është e vërtetë se kam shumë vërejtje në përmbajtje, në aspektin përmbajtjesor të këtij projektligji, të cilat do të mundohem shkurtazi t’i them këtu, për faktin se duke mos qenë as pjesë e komisioneve, në pamundësi të ndërhyj e të propozoj, po e shfrytëzoj rastin këtu, të them në mënyrë gojore, ndoshta Komisioni për të Drejta dhe Barazi Gjinore do t’i marrë parasysh këto propozime.

Në anën tjetër, ne e dimë edhe gjendjen shumë të rëndë të gjinisë femërore në vendin tonë, fatkeqësisht. Ajo që më bën më tepër të jap vërejtjet apo konkretisht, propozimet te ky projektligj, jemi tek neni 3, te përkufizimet, ku kemi të bëjmë me paragrafin 1.7 dhe 1.8. Sipas këtyre paragrafëve, do të thotë paragrafi 1.7 i titulluar si “seksi”, definon kush është mashkull dhe kush femër, ndërsa 1.8 “gjinia” e thotë të kundërtën. “Gjinia – thotë, – është identitet i fituar.”

Unë kërkoj falje, ndoshta është bërë pa qëllim kjo, por mendoj se prapëseprapë kjo i mbetet përgjegjësi komisionit, se gjinia nuk është identitet i fituar, gjinia është identitet i lindur, se njeriu lind mashkull apo lind femër. Prandaj, nuk është seksi ai që definon kush është mashkull e kush femër, por është gjinia, ngase nëse i referohemi këtyre përkufizimeve, konkretisht, nëse i referohemi nenit 3, përkufizimit 1.7 “seksi” atëherë, do të bie që ky projektligj të mos titullohet për barazi gjinore, por të titullohet “Projektligji për barazi seksuale”.

Prandaj, prapë po them, përgjegjësia kryesore i mbetet këtij komisioni të punojë në këtë projektligj dhe t’i harmonizojë këto përkufizime, ngase gjinia e definon kush është mashkull e kush femër. Është e vërtetë, që klima në Kosovë është mjaft e rëndë për gjininë femërore në shumë fusha, duke filluar nga familja. Jemi dëshmitarë për dhunën e madhe që ndodh në familje në raport ndaj gjinis femërore.

Padrejtësia më e madhe, kur jemi te familja, është se femrës i mohohet edhe e drejta në trashëgimi, e cila fatkeqësisht është kjo mendësi për shkak të sistemit patriarkal, që ekziston në Kosovë. Prandaj, unë mendoj se qysh nga familja kemi shtypje të gjinisë femërore, pastaj në evoluimin apo avancimin tjetër shoqëror të gjinisë femërore kemi prapë shtypje të rëndë të gjinisë femërore, duke filluar nga shkollimi i saj, punësimi i saj. Edhe pse, ky projektligj një vëmendje të veçantë i ka kushtuar diskriminimit në baza gjinore në çështjen e punësimit, unë mendoj se edhe në fusha tjera, përveç kësaj, se te punësimi ne e dimë, fatkeqësisht, kriter kryesor për punësim nuk merret kualiteti i një gruaje apo përvoja e saj e puna e saj, por fatkeqësisht, në të shumtën e rasteve merret edhe dukja e saj.

Prandaj, kur jemi prapë te punësimi, flasim këtu edhe për një shkelje më të rëndë, që kemi të bëjmë, të gjinisë femërore. Do të flas për kategorinë e lehonave. Ne e dimë, që lehonat fatkeqësisht, jemi i vetmi vend në rajon, për të mos thënë edhe në Evropë, ngase nuk jemi ende pjesë e Bashkimit Evropian, që kemi shtypur mjaft rëndë të drejtat e lehonave dhe, nga kjo padrejtësi që është bërë ndaj tyre, ato shpeshherë detyrohen ndoshta të ndërmarrin, po flas për gjininë femërore, të marrin hapa konkretë të kufizimit të shtatzënive të tyre dhe, kjo deshtë e pa deshtë po ndikon drejtpërdrejt në natalitetin e popullsisë së Kosovës.

Prandaj, unë mendoj që kësaj Qeverie i mbetet një punë mjaft për të bërë, veçanërisht këtë pikë, për të drejtën dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pushimit të lehonave, sa i përket fushës së punësimit të tyre.

Prandaj, pa dashur ta zgjas më shumë, prapë po them, është ky një projektligj i një rëndësie të veçantë, ngase flet për gjysmën e popullatës së Kosovës dhe, kur e kemi parasysh rolin e edukimit të brezave të rinj, atëherë mund të themi, se po flasim për tërë popullatën e Kosovës.

Unë pres një mobilizim më të madh nga kolegët e gjinisë mashkullore këtu deputetë në Kuvendin e Kosovës, ngase është e jona ta dëshmojmë, se duhet ta mbrojmë gjininë femërore, e cila fatkeqësisht dhe padrejtësisht është e atakuar në Kosovë. Mos të harrojmë, se gjinia femërore është viktimë e shumë trafikimeve me qenie njerëzore, është viktimë e prostitucionit, por fajtori kryesor është gjinia mashkullore, në këtë aspekt.

Ne, fatkeqësisht, jemi dëshmitarë dhe kemi shumë tekste apo më mirë me thënë, libra universitarë të cilët flasin dhe atakojnë padrejtësisht gjininë femërore për të gjitha punët jo të mira. Jemi dëshmitarë, se edhe në vitet e fundit dhe në muajt e fundit kemi pasur shumë raste në shumë qendra të Kosovës të ngacmimit seksual nga mësimdhënësit ndaj vajzave e nxënëseve të tyre.

Prandaj, unë mendoj që është koha e fundit, ne si shoqëri e veçanërisht ne si gjini mashkullore të ngremë zërin dhe njëherë e përgjithmonë gjinisë femërore t’i japim vendin e merituar, e cila ka kontribuar në çdo fazë të ndërtimit të shtetit të Kosovës, qoftë në kohën e luftës, në kohën e paqes dhe tash.

Prandaj, edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë kolegëve të gjinisë mashkullore që të jemi më të vendosur në mbrojtjen dhe përfaqësimin dinjitoz të gruas kosovare në shoqëri.

Faleminderit!

https://www.youtube.com/watch?v=0hLohlnV13g

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.