
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Policinë
Prishtinë | 16 Tetor 2011 | Kuvendi i Kosovës
Në emër të Grupit Parlamentar Koalicioni Kosova e Re, Gëzim Kelmendi.
GËZIM KELMENDI: Faleminderit!
I nderuar kryesues,
I nderuar ministër,
Kolegë deputetë dhe deputete të nderuara,
Projektligji, të cilin e kemi para veti, padyshim që është një projektligj i një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh rolin që ka Policia e Kosovës në rendin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës si një faktor edhe i mirëqenies në përgjithësi.
Padyshim që vërejtjet tona do t’i adresojmë në Komisionin përkatës, por janë disa gjëra të cilat ndoshta nuk bën të tejkalohen, siç është fakti, këtu shumë mirë është cekur në ligj se familja e policit të vrarë në detyrë, do të ketë kompensime të cilat janë të definuar këtu me ligj. Por, unë mendoj se polici në detyrë edhe nëse nuk është i vrarë edhe të gjithë zyrtarët policorë duhet të kenë benificione në krahasim me shtresat e tjera të segmentit të Kosovës.
Në radhë të parë, nëse një polic është i lënduar apo është i plagosur në e detyrë, ai duhet të ketë kompensim gjithashtu jo vetëm nëse është i vrarë, por edhe nëse është i lënduar apo i plagosur.
Në anën tjetër, nuk bën pjesëtari Policisë së Kosovës të barazohet me pjesëtarë apo sektorë të tjerë të administratës në Kosovës, duke pasur parasysh rolin dhe detyrën që e ka dhe gjithmonë jeta e tij është ekspozuar rrezikut. Ajo çka desha të potencoj këtu- një vërejtje me rëndësi është se kemi një diskrepancë apo mospërputhje të neneve 32 dhe 36.
Në nenin 32 shihet, tregon se stacionet policore kufitare duhet të jenë nën juridiksionin e Drejtorisë së përgjithshme, ndërsa neni 36 thotë se stacionet policore kufitare duhet të jenë nën juridiksionin e Policisë rajonale. Do të thotë kemi një mospërputhje në mes të këtyre dy neneve, çka ndoshta ketë anëtarët e Komisionit janë më së miri në gjendje ta korrigjojnë, për arsye se është një mospërputhje mjaft e dukshme.
Ndërsa, sa i përket ndryshimeve tjera, ne si Grup Parlamentar do të japim kontributin tonë në komisionin përkatës dhe në parim e përkrahim këtë projektligj.
