
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Prishtinë | 13 Mars 2014 | Kuvendi i Kosovës
GËZIM KELMENDI: Faleminderit!
I nderuar kryetar!
Të nderuar ministra,
Deputetë të nderuar,
Pa dyshim që është për t’u përshëndetur procedimi i këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase vërtet mund të themi që në kuptim të plotë të fjalës që veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë kategoria gati në mesin e kategorive më të margjinalizuara pas luftës në Kosovë, pa fajin e tyre kanë mbetur jashtë çdo institucioni të tyre, jashtë çdo mbështetje të tyre të cilën ata vërtetë e meritojnë për faktin se ata kanë dhënë më së shumti për këtë liri, të cilën ne sot po e gëzojmë.
Ndërsa, ata 15 vjet mbas luftës ne duhet tek sot të diskutojmë se si duhet ata të kenë një mbështetje institucionale, se si duhet t’i trajtojnë institucionet tona, por megjithatë është një fjalë popullore “më mirë vonë se kurrë”. Ne qysh vitin e kaluar si Komision për Shëndetësi e kemi amendamentuar një ligj të tillë i cili ka qenë … në komision, por fatkeqësisht atëherë është tentuar dhe është refuzuar ai amendamentimi i atij projektligji me të vetmin arsyetim se nuk janë të përfshirë të gjithë veteranët apo nuk është i ditur saktë numri i tyre, të cilët vërtetë e meritojnë të jenë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, sot ashtu si u përmend edhe më herët e kemi një shifër mjaftë të madhe të atyre që vërtet janë lajmëruar, diku rreth 63 mijë konkretisht janë lajmëruar dhe pat zëra që vërtet nuk janë numri i saktë i tyre, ngase është shumë më i vogël numri i atyre se sa që janë lajmëruar, por unë mendoj se me këtë rast duhet të merret prapë edhe Ministria ç’ është bërë me evidentimin e tyre dhe të konsiderojë, të nxjerrë një akt nënligjorë, që të gjithë ata që marrin guximin të lajmërohen pa qenë vërtet veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndiqen edhe penalisht, ngase mos t’ju mohojnë të drejtën atyre të cilët vërtet e meritojnë, ngase sherri i këtyre që gjithmonë kanë tentuar të manipulojnë me numrin e saktë të tyre kanë pësuar ata që vërtet e kanë merituar.
Dhe, unë mendoj që ka ardhur koha e fundit që vërtet edhe atyre t’u jepet ajo çka vërtet ata e meritojnë, ndërsa në anën tjetër të mos harrojmë se vetëm gjatë këtyre 14 vjetëve mbas luftës, në vitin e 15 jemi tash më, më shumë se 40 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë vetëvrasje nga gjendja e rëndë ekonomike e tyre. Dhe, fatkeqësisht edhe një numër shumë i madh i tyre sot vazhdojnë të jetojnë në gjendje shumë të rëndë ekonomike përderisa disa kolegë të tyre, të cilët janë edhe pjesë e politikës, por edhe jo politikës nuk i keni lehtë të vëreni se sa kanë arritur pasuritë e tyre, qoftë brenda natës, qoftë brenda javës, ndërsa shokët e tyre vazhdojnë për kafshatën e gojës.
E unë mendoj që ne duhet si Kuvend padyshim me procedurën më të shpejtë ligjore të kontribuojmë që ky projektligj sa më shpejt të hyjë në fuqi dhe ata ta gëzojnë statutin, të cilët vërtetë e meritojnë se ata kanë jep shumë për atë çka ne sot e gëzojmë.
Faleminderit!