
Shqyrtimi i Projektligjit për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës
Prishtinë | 29 Gusht 2011 | Kuvendi i Kosovës
Debat nga Deputeti Gjini dhe Kelmendi
Komisionet parlamentare kanë shqyrtuar Projektligjin për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe Kuvendit i kanë parashtruar raportet me rekomandime.
Vazhdojmë me amendamentin 8.
Gjithashtu, propozim i Grupit Parlamentar Koalicioni Kosova e Re, SLS dhe “6+” pa përkrahjen e komisionit funksional dhe të Komisionit për Legjislacion. Nuk ka të paraqitur për diskutim, apo u paraqit tash, kryetari i Komisionit për Legjislacion, zoti Gashi.
ARBEN GASHI: Ju faleminderit, i nderuar nënkryetar!
Komisioni e ka shqyrtuar dhe ka mbërri në përfundim që është në kundërsh tim me frymën e Kushtetutës dhe i ka rekomanduar seancës që të mos e aprovojë, sepse është në kundërshtim me ato parimet të cilat i ka vendosur Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ju kisha lutur që ta keni në konsideratë vlerësimin që mos të shkoni vullnetarisht drejtë shkeljes së Kushtetutës qysh shkuat herën e parë.
Ju faleminderit.
KRYESUESI: Ju faleminderit! Deputeti Gjini është paraqitur.
ARDIAN GJINI: Ju faleminderit, zoti nënkryetar!
Në këtë amendament është ma e qartë ajo që synohet të bëhet, se sa në amendamentin paraprak, edhe pse e kemi pasur të qartë të gjithë që synimi ka qenë për lejimin e shamive në shkolla. Përmes këtij amendamenti synohet që në shkollat publike të mësohet feja. Ky është qëllimi i këtij amendamenti.
Komisioni për Arsim, me plotë të drejtë nuk e ka mbështetur këtë amendament, edhe Komisioni për Legjislacion, ashtu si tha kryetari i Komisionit pak më përpara, konsideron se është një shkelje, e shkel Kushtetutën një propozim tillë. Arsyetimi ka qenë se shkollat publike janë shkolla publike, aty mësohet shkencë, ndërsa feja mësohet në institucionet fetare dhe Kosova gjatë gjithë historisë së vet të ndërtimit të arsimit formal, pa marrë parasysh në cilat periudha të zorshme ka qenë ajo, qoftë në kohen kur kemi mësuar nëpër shtëpia, qoftë në kohën kur kemi mësuar nëpër institucione të ndryshme.
Kosova ka ndërtuar një traditë mos ta ngarrojë mësimin e fesë me mësimin e shkencës. Arsyetimet të cilat janë dhënë deri më tani, absolutisht janë kundër asaj që Kosova ka ndërtuar për më shumë se 70 vjet dhe mendoj se prapë Kuvendi i Kosovës nuk duhet ta votojë një amendament të tillë, e ne duhet ta mbështesim fenë, cilindo konfesion fetar që e kemi këtu, Islamin që është feja shumicës së qytetarëve në Kosovës, por edhe fetë tjera, krishtenizmin katolik dhe ortodoks, mirëpo ne duhet të krijojmë kushte që ata që dëshirojnë që ta mësojnë fenë, ta mësojnë nëpër institucione fetare, jo nëpër shkolla publike, të cilat janë pronë e shtetit e shteti ynë është një shtet laik.
Ju faleminderit!
KRYESUESI: Ju faleminderit! Deputeti Kelmendi e ka fjalën.
GËZIM KELMENDI: Ju faleminderit, i nderuari kryesues!
Me keqardhje duhet të them për deputetin Gjini, i cili ka përvojë mjaft të madhe dhe po tregon që është shumë i painformuar. Është e vërtetë që ne kemi kërkuar që jo të futet edukata fetare në shkolla publike të arsimit të Kosovës, por të rikthehet edukata fetare, se edukata fetare ka qenë para periudhës së komunizmit, komunizmi e ka eliminuar këtë edhe nëse tash eliminohet, atëherë ku është dallimi ynë në mes neve dhe mes komunizmit, e para. E dyta, është e vërtetë që kemi kërkuar që të kthehet në shkolla publike, por le të më thotë deputeti Gjini që shkollat e Gjermanisë, të Belgjikes, Francës, Britanis, a janë shkolla private që e kanë edukatën fetare në shkolla, a janë shkolla publike edhe ato, e çfarë kushtetute kanë vendet e Bashkimit Evropian e çfarë e kemi ne.
Ata e kanë kushtetutë laike, kushtetutë laike kemi ne, ata e kanë edukatën fetare me dekada shkollat e tyre, dhe në dallim prej neve, prej propozimit tonë, se ne s’kemi edukatë, shkollat publike të Bashkimit Evropian edukatën fetare e kanë lëndë obligative, ndërsa ne kemi propozuar që lënda e edukatës fetare të jetë lëndë jo obligative, lëndë zgjedhore, ku nxënësi mund të zgjedhë të shkojë apo mos të shkojë, por edhe mos të notohet dhe nuk bien ndesh fare me laicitetin e Kushtetutës, se ne kohën e fundit shumë po abuzohet me këtë laicitet, kujt po i konvenon, po shkelet laiciteti, kujt s’po konvenon, po e merr si po do vetë, kështu që mua shumë më vjen keq, në këtë Parlament të Kosovës kemi deputetë që marrin guximin të flasin të pa informuar.
Le të informohet dhe le ti paraqet argumentet e veta.
Ju faleminderit!
KRYESUESI: Replikë, zoti Gjini.
ARDIAN GJINI: Mendoj se vlentë sqarohet për opinion e jo t’i replikohet deputetit, i cili e merr guximin t’i quaj deputetët të pa informuar, unë ata nuk i quajta të pa informuar, duhet pasur kujdes me gjuhen pak, se nuk janë kah dinë ama bash kurrgjë hiq, vetëm temën e vet.
Para vitit 1945, në Kosovë nuk ka pasur arsim formal në gjuhën shqipe, ka qenë vetëm në gjuhen serbe, po dua të ta kujtoj, zotëri. Nuk jam duke e lavdëruar unë komunizmin, po jam duke të thënë ty se ose ka pasur medrese, shkolla te fesë, ose ka pasur shkolla serbisht, e nuk ka pasur shkolla shqip, ama bash hiç, përpos dy ose tri vjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e mos të na shesin dushk për gogla këtu.
Le të mësojnë fe sa të donë nëpër xhamia, neper kisha ortodokse, nëpër kisha  katolike, në shkolla publike të Kosovës nuk duhet të mësohet fe. Kosova është rast unik në botë, shqiptarët janë rast unik në botë. Nuk jemi ne as gjerman, as austriak, edhe për t’ua bërë me dije, gjermanët edhe austriakët kur ta mësojnë Darvinin, niveli i mësimit është më lartë se niveli i mësimit fetar, për derisa te ne askush nuk e dinë filozofinë e Darvinit edhe kemi për t’u kthyer në shekullin XV për shkak se këta janë përgatitur t’ua mësojnë dogmën fetare nxënësve tanë. E kanë vendin ku t’ua mësojnë, askush nuk po ua ndalon atë vend, askush nuk po ua cenon të drejtën, por jo t’i shfrytëzojnë shkollat tona publike.
Ju faleminderit.
KRYESUESI: Ju faleminderit!
Kundër replikë, një minutë z. Kelmendi :
GËZIM KELMENDI: Ju faleminderit, i nderuari kryesues!
Prapë po argumentohet ajo teza ime se deputeti është mjaft shumë i pa informuar. Teoria e Darvinit ka moti që ka rënë poshtë prej praktikimit, është teori e hudhër poshtë nga të gjitha vendet në zhvillim, dhe teoria e Darvinit promovon se njeriu e ka…, kështu që përmes teorisë së Darvinit po donë të na bëjnë neve pasardhës të majmunit. Ne nuk jemi pasardhës të majmunit, ne jemi pasardhës të njeriut, e kush do, mund të informohet edhe më shumë.
Sa iu përket shkollave publike, nuk asht e vërtetë se në 1945 janë çelë shkollat publike në gjuhen shqipe, shumë më herët ka pas shkolla dhe është mësuar edukata fetare në ato shkolla. Me ardhjen e komunizmit në pushtet, është eliminuar edukata fetare, e tash thotë, nuk e argumenton pse nuk duhet, po thotë nuk duhet të ketë.
Këtu nuk është ligj, shtet i cili nuk duhet të ketë, por duhet prurë argumente pse duhet të kemi, e pse nuk duhet të kemi. Edhe çështja e dytë, e cila është shumë në kohën e fundit është abuzuar me neve si shoqëri, është se po na fyn … Ashtu si po e përmendi deputeti – vend unik, çka janë vend unik, çka kanë të drejtë më shumë se ne maqedonët, kroatët, bullgarët, serbët, gjermanët, austriakët për ta mësuar edukatën fetare.
Ju faleminderit!
KRYESUESI: Ju faleminderit!
KRYESUESI: Faleminderit! E qes në votim amendamentin e 8-të. Diskutime tjera nuk ka.
Amendamenti i 8-të është i propozuar nga Grupi Parlamentar Koalicioni Kosova e
Re, SLS, “6+” dhe nuk mbështetet nga komisioni funksional dhe Komisioni për Legjislacion.
Ata që janë për ta votuar amendamentin e propozuar, votojnë “për”, ata që janë kundër votojnë “kundër”, që do të thotë janë për variantin që e ka propozuar komisioni funksional dhe Komisioni për Legjislacion.
Edhe një herë, “kundër” kush voton, voton për propozimin e komisionit funksional dhe Komisionit për Legjislacion, “për” ata që votojnë për grupin parlamentar.
Votojmë tani! Ka pa kartelë?
Atëherë, konstatoj se nuk miratohet amendamenti i 8-të, 64 vota janë “kundër”, 1 abstenim dhe 18 vota janë “për”.
