E shtunë, Nëntor 1Mirë e vini në faqen informuese të Partisë FJALA

Dr.Gëzim Kelmendi: Shqyrtimi i Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura

GK - Kuvendi
Shqyrtimi i Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura

Prishtinë | 23 Mars 2015 | Kuvendi i Kosovës

Seanca plenare rreth Shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!

Të nderuar ministra,
Të nderuar kolegë deputetë,

Ky projektligj për të cilin ne sot debatojmë këtu pa dyshim se të gjithë jemi koshientë dhe të vetëdijshëm se qëllimin e tij ka të bëjë me parandalimin e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit. Por, unë mendoj që ne si shtet, si Kuvend i Kosovës, jemi të vonuar në këtë pikë, e në veçanti edhe Qeveria është e vonuar, ngase e kemi pasur një mundësi që kjo të zgjidhet qysh vitin e kaluar. Të mos harrojmë nga përvoja që kemi si deputetë të Kuvendit të Kosovës se shumë projektligje kanë kaluar me procedurë të shpejtë, bile – bile edhe brenda ditës, por ky projektligj ka ardhur një herë në Kuvendin e Kosovës, pothuajse është i njëjtë me atë që ka ardhur në mars të vitit 2014, ndërsa

Kuvendi është shpërbërë në muajin maj të vitit 2014.
Do të thotë, dy muaj ka pasur hapësirë që ky projektligj të ndryshohet, të amendamentohet dhe të fuqizohet, dhe në një formë të parandalohet shkuarja e qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë vendit.Ndërsa mungesa e këtij projektligji atëherë ka dhënë hapësirë të kemi edhe arrestime, edhe deklarata, edhe përfitime politike të udhëheqësve të ndryshëm kinse në emër të terrorizmit që po ekzistuaka në Kosovë.

Ne të gjithë e dimë që Kosova duhet të jetë prijatare në luftën kundër terrorizmit, qoftë në nivelin vendor, qoftë në nivelin ndërkombëtar, për faktin se askush më keq dhe askush më rëndë se qytetarët e Kosovës në rajon nuk e ka përjetuar terrorizmin, ngase terrorizmi nuk njeh as fe, as ngjyrë, as komb.

E kemi përjetuar një terrorizëm shtetëror të një regjimi të paraluftës, kemi përjetuar terrorizëm edhe pas luftës, akte të ndryshme terroriste edhe në veri të Kosovës, ku janë vrarë edhe Selver Haradinaj, edhe polici në detyrë Enver Zymberi, por fatkeqësisht askush nuk e ka përmendur këtë. Edhe rastin e fundit kur e kemi pasur, tentativën për një sulm të rëndë me përmasa mjaft fatale për një sulm terrorist, siç është rasti i qytetarit nga Serbia, me 12 kilogramë eksploziv, që është zënë nga autoritetet e Kosovës, këto nuk përmenden. Por, kur vijnë në pyetje përfitimet politike, atëherë të gjithë janë gojëhapur në luftën kundër terrorizmit.

Unë mendoj që Kosovës, më shumë se çdo vendi tjetër i takon ta luftojë terrorizmin, por kjo çka unë mendoj me këtë projektligj, që dy herë po vjen në Kuvendin e Kosovës është një lloj dyfytyrësie, është një lloj hipokrizie, edhe përballë qytetarëve të Kosovës, por edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë, qoftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimit Evropian, ngase nuk është treguar kur gatishmëri që të parandalohet qoftë largimi i qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit, qoftë ky largimi i fundit aktual, që ka të bëjë me migrimin, që sot do të debatohet, në vendet drejt Bashkimit Evropian.Prandaj, ka munguar gatishmëria, e kurrë s’ka munguar montimi, dyfytyrësia dhe shpifja përballë qytetarëve të Kosovës.

Ju të gjithë e dini, deputetë të nderuar, se në asnjë dokument zyrtar ndërkombëtar nuk shkruan se Kosova është e kërcënuar nga terrorizmi. Kosova është e kërcënuar nga terrorizmi aq sa të gjitha vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian, e në veçanti raportet e progresit, edhe të kaluarit, edhe ai i fundit, Kosovën e cilësojnë me shkallën më të lartë të krimit të organizuar dhe meshkallën më të lartë të korrupsionit.

Ndërsa kemi një diskrepancë, apo më mirë të themi mospërputhje ndërmjet qëndrimeve zyrtare të autoriteteve vendore, udhëheqësve politikë vendorë përballë atyre ndërkombëtarë, të cilët thonë se në Kosovë paska terrorizëm.

Po ku qenkan ata terroristë? Pse nuk e keni parandaluar shkuarjen e rinisë kosovare? Keni pasur një mundësi me një ligj të tillë qysh vitin e kaluar. Dy muaj ka ndenjur në sirtarët e Kuvendi ky projektligj, nuk është amendamentuar, nuk është ndryshuar.

Dilema në këtë projektligj qëndron kryesisht në nenin 2, paragrafi 2, ku thuhet “Vetëm shtetasve të Kosovës, të cilët kanë shtetësi të huaj, nuk u ndalohet kjo”. Do të thotë, të gjithë qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të shkojnë në konflikte jashtë vendit, ndërsa ata qytetarë që janë të Kosovës, por që kanë edhe shtetësi të huaj, mund të shkojnë. Ky ligj duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, e patën një apo dy shtetësi.

Prandaj, nuk guxojmë të bëjmë aso dallime që qytetarët e Kosovës të diskriminohen.

Ky ligj duhet të votohet sot dhe me procedurë sa më të shpejtë, me të vetmin qëllim, përveç që të parandalohet shkuarja e rinisë kosovare, të parandalohen edhe arrestimet e njerëzve të pafajshëm, të cilët u dëshmuan brenda 2 – 3 – 4 javëve e dolën shumica të pafajshëm nga arrestimet e tyre politike dhe të montuara. Prandaj, të mendojmë për Kosovën, të mos ia prishim imazhin për interesa tona politike.

Udhëheqësit tanë vendorë dhe politikë, në takimet që i kanë brenda dhe jashtë vendit për përfitimet e tyre politike, e cilësojnë Kosovën si lule të terrorizmit, e në fakt një gjë e tillë nuk ekziston. Asnjë dokument zyrtar i tillë nuk ekziston në Kosovë, prandaj të mos harrojmë, të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe për aktet e fundit terroriste që ndodhën në Paris, këtë po dua ta përmend qëllimisht, ngase u përmend këtu ndoshta pa qëllim të keq, por u përmend ashtu – kështu, fatkeqësisht, lufta kundër ekstremizmit islam.

Unë mendoj se Islami nuk ka ekstremizëm, ka individë ekstremistë, ka individë dhe grupe terroriste, të cilat janë të njohura edhe ndërkombëtarisht. Ajo çka desha të ndërlidh me sulmet terroriste që ndodhën në kohën e fundit në Paris, kemi parë liderë të ndryshëm botërorë, të cilët shumë mirë e shumë qartë e kanë definuar vijën e terrorizmit, të grupeve terroriste përballë Islamit si fe.

E kemi deklaratën shumë të fuqishme të kancelares Merkel, edhe të ministrit gjerman, edhe të presidentit francez, i cili cilësoi se këto akte terroriste nuk kanë të bëjnë gjë me Islamit, por përkundrazi janë kundër Islamit.

Prandaj, ne që jemi deputetë, përfaqësues të popullit, të mos e njollosim asnjë fe, qoftë sot Islamin, apo nesër në të ardhmen ndonjë fe tjetër, që është e pranishme në Kosovë. Por, të punojmë e të veprojmë për të mirën e këtij vendi, ta duam dhe ta ruajmë imazhin e këtij vendi dhe të mos e prishim imazhin për interesat tona politike.

Ky ligj duhet të kalojë me procedurë sa më të shpejtë, me të vetmin qëllim që korrigjohen ato gabime që i përmenda dhe me të vetmin qëllim që të mos kemi argumente dhe mundësi të arrestohen njerëz të pafajshëm në Kosovë.

Faleminderit

https://www.youtube.com/watch?v=bR0AwHQS3Qg&t=7s

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.