
Shqyrtimi i Projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së
Prishtinë | 14 Mars 2013 | Kuvendi i Kosovës
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit numër
04/L – 054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe për familjarët e tyre
KRYETARI: Në emër të Koalicionit për Kosovë të Re, Gëzim Kelmendi e ka fjalën.
GËZIM KELMENDI: Faleminderit,
I nderuar kryetar!
I nderuar Kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë,
Projektligji, i cili ka ardhur në procesim në Kuvendin e Kosovës, pa dyshim se I trajton kategoritë më të ndjeshme të vendit tonë, njëkohësisht edhe kategorinë e cila e ka dhënë kontributin më të çmueshëm për lirinë e këtij vendi.
Sa i përket kësaj të dytës, do të thotë dëshmorëve të rënë dhe invalidëve të luftës në vitin e kaluar, ne si komision, mendoj në përgjithësi, pa dallim nga grupet parlamentare, kemi qenë unikë dhe e kemi dhënë kontributin tonë, dhe e kemi dhënë fjalën përfundimtare me atë rast, duke u munduar dhe duke e amendamentuar ligjin e tillë në favor të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
Por, arsyetimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kostoja buxhetore e atij ligji, me arsyetimin bazë, do të thotë me vend, arsyetim me vend në mungesë të numrit real të kategorisë së tillë, kanë bërë që ato amendamente nga komisioni të shfuqizohen dhe më pas ligji të kalojë si i tillë, qysh e ka formën në lexim në parim nga Qeveria.
Përndryshe, ne e dimë që komisioni aktual në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës është duke e kryer punën e tij, është duke e identifikuar dhe konstatuar numrin e saktë, faktikisht duke e regjistruar numrin e veteranëve, e më pas do të dalë me të dhëna zyrtare se sa është numri i saktë i atyre që kanë marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Por, sa i përket kategorisë tjetër që përmendet në këtë projektligj, do të thotë viktimave civile, konkretisht grave të dhunuara gjatë luftës, unë nuk besoj që në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka ndonjë deputet, ka grup parlamentar që është kundër që t‟i ndihmohet kësaj kategorie të ndjeshme, e cila ka pësuar gjatë luftës në Kosovë.
Por, poenta është që të gjendetvërtet saktë, të evidentohet numri i atyre të cilët kanë pësuar nga kjo luftë, e kur jemi te evidentimi i saktë i tyre, unë mund të them me përgjegjësi të plotë morale, si mjek profesionist, është shumë vështirë të vërtetohet një numër i tillë për faktin se nuk ka ekspertizë ligjore gjinekologjike dhe obstetrike, e cila e vërteton saktë se sa ka qenë numri i tyre.
Ky është një fakt tjetër, që na bën të mendojmë përballë këtij ligji, e para. E dyta, e dimë se pjesa dërrmuese e gjinisë femërore, që ka pësuar gjatë luftës në Kosovë, ka ngurruar dhe vazhdojnë të ngurrojnë të dokumentojnë se ato kanë qenë pjesë e këtij krimi në Kosovë.
Prandaj, duke i pasur parasysh këta dy faktorë, mungesën e regjistrimit të saktë të tyre dhe ngurrimin e tyre që të deklarojnë se kanë qenë vërtet të dhunuara, bën që ne si deputetë të hamendemi dhe të mendojmë pak më larg se kujt në fakt po dëshirojmë t‟i ndihmojmë, kujt dëshirojmë t‟i çojmë me një fjalë popullore, siç thotë populli ujë në mulli, për faktin se nëse ne e legjitimojmë një ligj të tillë, duke menduar t‟u ndihmojmë atyre dhe në fakt nuk u ndihmojmë atyre, se ato nuk po deklarohen, po ngurrojnë të dalin dhe ta marrin ndihmën. Me këtë fakt ne dihet shumë mirë se politikisht po e dëmtojmë kauzën tonë, po e dëmtojmë vendin tonë për faktin se, ne të gjithë e dimë, fatmirësisht edhe opinioni ndërkombëtar e di që në Kosovë ka pasur gjenocid, ka pasur krime, deportime dhe ka pasur dhunime masive seksuale, por me këtë ligj ne do të hapim dyer tjera, të cilat do ta disfavoriz
ojnë situatën tonë politike përballë faktorit ndërkombëtar, duke menduar që do t‟i ndihmojmë kësaj kategorie dhe, në fakt, nuk kemi mundësi që t‟i ndihmojmë për faktin siç e përmenda më herët, kjo kategori, konkretisht pjesa dërrmuese e gjinisë femërore, që kanë pësuar gjatë luftës, po ngurrojnë të deklarohen dhe ka metodë, apo nuk ka metoda ekzakte për ekzaminimin e vërtetë të tyre.
Unë si deputet i Koalicionit për Kosovë të Re, në parim jam që të formohet një komision brendaqeveritar me evidentimin e saktë të tyre. Prapë po them, është shumë vështirë të evidentohen, por fillimisht të bëhet e njëjta procedurë siç është duke ku bërë me dëshmorët dhe invalidët e luftës, të evidentohet saktë numri i tyre dhe atëherë të gjenden mundësitë dhe ligji që ata të ndihmohen, për faktin se nëse në këtë rast kalon ky ligj, atëherë pa dyshim do të dëmtohet kauza e vendit tonë, do të dëmtohemi politikisht para opinionit ndërkombëtar dhe kjo nuk do t‟u bëjë nder atyre, po as vetes si shoqëri.
Faleminderit!
