
Intervistë me Gëzim Kelmendin: Për koalicionin me LDK’në vendos Këshilli Drejtues i PD’së
Prishtinë | 10 Maj 2014 | Portali Express
Partia e Drejtësisë është duke biseduar me partitë tjera për koalicione parazgjedhore. Kemi vlerësuar se më mirë është të mos shkojmë të vetëm në zgjedhje. Me LDK’në kemi pasur disa takime, por ende s’ka asgjë zyrtare. Jemi të hapur edhe për AKR’në dhe Partinë e Fuad Ramiqit. Në zgjedhjet lokale i kemi pasur 16 mijë vota, ndërsa në ato nacionale 25 mijë. Nënkryetari i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, flet për Express.
Express: Meqë jemi në prag të zgjedhjeve, me cilën parti politike do të shkojë në koalicion Partia e Drejtësisë?
G. Kelmendi: Fillimisht, Parti e Drejtësisë është duke u përgatitur për të shkuar në zgjedhje e vetme. Megjithëkëtë, asgjë nuk është definitive. Ditët në vijim, edhe Kryesia e PD’së dhe edhe Këshilli Drejtues do të marrin vendimin përfundimtar se me kë do të shkojmë. Kështu, që ende është e hapur mundësia dhe asgjë nuk është e sigurt.
Express: Kryetari i PD’së, Ferid Agani, ka pasur disa takime me Kryetarin e LDK’së për koalicion të mundshëm parazgjedhor. Ka ndonjë marrëveshje?
G. Kelmendi: Takime ka pasur, por ende marrëveshje s’ka ashtu siç është thënë në Këshillin Drejtues të PD’së. Për këtë arsye ka dallime mes anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues. Por, ditët në vijim pritet që Këshilli Drejtues të thotë fjalën përfundimtare se si dhe më kë do të shkojë PD në zgjedhje.
Express: Rrjedhimisht, jeni më afër me LDK’në për të bërë koalicion parazgjedhor?
G. Kelmendi: Nuk mund të them asgjë për faktin se ka divergjenca edhe brenda Partisë së Drejtësisë. Nuk mund të them asgjë konkrete se më kë jemi afër të bëjmë koalicion. Qëndrimi paraprak ishte që të shkojmë në zgjedhje si parti e vetme, ndërsa, tash janë bërë propozime që është më mirë të shkojmë në zgjedhje me koalicione. Pra, mbetet ende të hapura opsionet.
Express: Me cilën parti tjetër e keni të hapur mundësinë për koalicione parazgjedhore?
G. Kelmendi: Partia e Drejtësisë mbetet e hapur për të gjitha partitë për bashkëpunim, për të gjithë ata që e pranojmë programin e Partisë së Drejtësisë. Kështu, që mbetemi të hapur për të gjitha subjektet politike. Ne jemi në bisedime dhe në ditët në vijim do të marrim një vendim.
Express: Sa vota llogarisni se i keni, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet e fundit lokale?
G. Kelmendi: Nëse i referohemi rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve komunale, ne i kemi 16 mijë vota. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 i kemi pasur diku 25 mijë vota. Tash, nuk e dimë se si do të jetë gjendja reale e Partisë së Drejtësisë.
Express: Ka pasur njoftime se Partia e Drejtësisë mund të bëjë koalicion edhe me Partinë e Fuad Ramiqit?
G. Kelmendi: Partia e Drejtësisë është e hapur për të gjitha subjektet politike dhe ne nuk kemi rezerva ndaj askujt. Të gjithë ata që e mbështesin programin e Partisë së Drejtësisë, jemi të hapur për bashkëpunim.
Express: Njëra prej premtimeve të PD’së ka qenë edhe zgjidhja e problemit të shamisë nëpër shkolla. Ferida Agani tha se kjo çështje do të zgjidhet deri në vjeshtë?
G. Kelmendi: Të them të drejtën, është e vërtetë se ne në vitin 2010 kemi premtuar se do të punojmë maksimalisht për zgjidhjen e kësaj çështje. Por, ajo nuk është varë krejt prej nesh sepse ne nuk e kemi udhëhequr Ministrinë e Arsimit. Ndërsa, sa i përket shtatorit, unë, nuk di, nuk kam ndonjë informatë. Edhe pse ai udhëzimi administrativ mund të shfuqizohet edhe me vullnetin e Kryeministrit.
Express: Në zgjedhjet e fundit keni pasur koalicion me AKR’në?
G. Kelmendi: Nuk ka asgjë të mbyllur sa i përket koalicioneve. Edhe AKR mbetet opsion i hapur.
Express: Shumëkush, e ka vlerësuar legjislaturën e fundit si më të dobëtën. Cili është vlerësimi juaj për ish-deputetët?
G. Kelmendi: Ajo që mund të them është se kanë rënë poshtë të gjitha hipotezat edhe të partive opozitare, edhe të analistëve të ndryshëm, se ka pasur mendime se kjo Qeveri dhe kjo legjislaturë nuk do të zgjasë më shumë se një vit. Por, realiteti është se gati deri në fund të mandatit mbërriti kjo legjislaturë. Nuk mund të them se ka qenë legjislatura më e dobëta. Por, përkundrazi, një legjislaturë që iu ka ofruar fundit të mandatit dhe ka funksionuar si e tillë dhe kompakte.
