
Dr.Gëzim Kelmendi – “Shkrimi i Azem Deliut duhet të hetohet nga Prokuroria e Kosovës si vepër penale “nxitje e urrejtjes ndër fetare” | Intervistë për portalin Indeksonline
Prishtinë, 25.02.2017
Deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi e ka quajtur të papranueshme gjuhën e përdorur nga Azem Deliu, pasi ky i fundit ofendoi pejgamberin e myslimanëve, Muhamedin a.s.
Madje, Kelmendi ka apeluar organet e drejtësisë që të merren më shumë me këtë rast që po ashtu shkeli Kushtetutën e Republikës.
“Shkrimi i Azem Deliut duhet të hetohet nga Prokuroria e Kosovës si vepër penale “nxitje e urrejtjes ndër fetarë” ngase ka sulmuar drejtpërdrejtë personalitetin më të lartë dhe shëmbëlltyrën e gjithë myslimanëve, Pejgamberin Muhamed alejhiselam”, ka thënë ai për Indeksonline.
Më tej, kryetari i Partisë “Fjala” ka thënë se është kundër dhunës, mirëpo nuk duhet lejuar më gjëra të tilla sikurse deklaratat e Deliut.
“Padyshim që jam kundër çdo forme të dhunës, por jam që të respektohet drejtësia në vend, dhe ky i ashtuquajtur “poet” duhet të merr dënimin e merituar nga institucionet e drejtësisë për nxitje të urrejtjes ndërfetare”, është shprehur ai.
Ndryshe, Azem Deliu për disa ditë debatoi me shumë persona në rrjetet sociale rreth martesës së profetit Muhamed a.s, mbrëmjen e së enjtes është sulmuar edhe fizikisht nga disa persona.