
Kabashi: Nuk e duam Liberalizimin e vizave, por rritjen e mundësive për punësim në vendin tonë
Shkruan: Sali Kabashi (Magjistër i Historisë)
Kanë kaluar shumë vite prej që janë duke na manipuluar e duke na gënjyer për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ku nga këto gënjeshtra të vetmit që fituan janë Serbia dhe Mali i Zi, por pa dyshim, këtu hyjnë edhe partitë e mëdha politike të cilat me premtim të kësaj të drejte evropiane, qytetarët ua mundësuan vite të tëra pushtet e pasurim të vetvetës!
Por sa na hyn në punë liberalizimi i vizave, kur dihet që jemi një ndër shtetet më të varfëra në Evropë? A s’do ishte më mirë që këtyre të rinjve që po u premtohet “parajsa” në vendet evropiane, t’u ipej mundësia për punësim në Kosovë!? Pa dyshim se kjo e dyta është më e mirë për qytetarët dhe për vendin tonë.
Nuk e di se si mund ta quajn vetën atdhedashës, këta politikanë që iu ofrojnë të rinjve largimin nga vendi!?
Me liberalizim, fitojnë partitë politike, duke thënë se “ne ua sollem liberalizimin”; fitojnë artistët të cilët nuk do të kenë nevojë për viza; fitojnë biznismenët; fitojnë studentët, bijtë e këtyre biznismenëve, ndërsa qytetarët, prapë do kthehen në Kosovë, sepse do shohin se ky liberalizim, ishte mashtrim, sepse nuk iu dha asnjë rast për rregullimin e jetës apo ndonjë mundësie të punësimit. Prap ne të gënjyerit! Prap ne vesh gomarët që hingëllojmë për barkmëdhenjët!
Ndoshta, më e udhës do të ishte që këto kompromise që i bëri pushteti me Evropën dhe shtetet fqinjë, ti kishte kushtëzuar me hapje të fabrikave, sjelljen e investimeve ku do hapeshin vende të reja pune për të rinjtë kosovarë, sesa që i bënë në këmbim të liberalizimit të vizave, e që nga gënjyen! Ndoshta do ishte më e arsyeshme!
Kjo klasë politike, po e shfrytëzon naivitetin e mendësisë së qytetarëve, duke ua helmuar trurin e një populli, e që është rinia, me theks të veçantë, studentat e Universitetit të Prishtinës! Këta të fundit, në vend që të protestojnë për cilësi në UP dhe mospunësime të favorizuara nga “shefat” e fakulteteve, këta dalin me protesta për Liberalizim të vizave, tashmë kanë paralajmëruar edhe një protestë të dytë me të njejtën kërkesë!
Studentët, asnjëherë nuk kanë qenë më të shkelur, të nënshtruar dhe frikësuar se sot! A e dini se studentat kanë frikë të hyjnë në zyrat e profesorëve!? A e dini se studentat e shohin vetën si skllav të shefave të mëdhenjë të UP-së? A e dini se studentat s’kanë guxim të ankohen apo të kërkojnë të drejtat e tyre elementare? E gjithë kjo, për shkak se kanë frikë se mos po hidhërohen profesorët dhe mbesim mbrapa me provime! (Eh sikur të lexonin më shumë libra, e më pak skripta!)
Pra, ky pushtet, me pak, po merr shumë, me helmimin dhe frikësimin e të rinjve, po mbizotëron dhe do të mbizotëroi, përderisa të jetë kjo mendësi e të nënshtruarve.
Neve, nuk na duhet liberalizimi, nuk na duhet të takojmë kultura dhe qytetrime evropiane, ne kemi kulturen e qytetrimin tonë, që është mësim dhe edukim për Evropën, ne duam vende pune në vendin tonë, ne duam dinjitet, duam të jetojmë të lirë, e jo peng i premtimeve dhe kercënimeve nga të fuqishmit. Nga këta politikan dhe ky pushtet, as veprën e mirë që na dërgon në Parajsë nuk e duam. Thjeshtë, nuk iu besojmë më dhe nuk iu duam. Hiqni dorë.
Andaj, nga ky shkrim, zyrtarosht dalë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën dhe pro hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë.