Me besim, FJALA 🤝
Inxhinieri i Ndërtimtarisë – Isuf Hoti
Isuf Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit është një profesionist i dëshmuar në fushën e ndërtimtarisë dhe njohës i avancuar i sektorit të ndërtimit, me përvojë të gjatë profesionale dhe angazhim të vazhdueshëm në këtë fushë.
Ai rrjedh nga një familje me kontribut të veçantë në çështjen kombëtare dhe në rrugëtimin për lirinë e Kosovës. Isufi është djalë dëshmori, babi i tij është vrarë në luftën e fundit, ndërsa dy gjyshërit e tij, nga ana e nënës dhe babait, vazhdojnë ende të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Po ashtu, xhaxhai i tij u vra nga forcat serbe gjatë luftës.
Historia e familjes së tij lidhet ngushtë me qëndresën kombëtare ndër breza. Stërgjyshi i tij, Mulla Nura, ishte dënuar me vdekje për shkak të mbajtjes së mësimit në gjuhën shqipe brenda objektit të xhamisë dhe u vra në rrethana misterioze në burgun famëkeq të Nishit në vitin 1954. Nga ana e gjyshes, Isufi është nip i Ramë Bllacës, i njohur për rezistencën ndaj fushatave për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Nga e njëjta familje, katër breza janë goditur nga i njëjti armik, por asnjëherë të thyer në idealin për liri, dinjitet dhe atdhe.
Kjo trashëgimi e sakrificës dhe qëndresës e bën Isuf Hotin jo vetëm trashëgimtar të një historie të dhimbshme, por edhe bartës të një përgjegjësie të madhe për të kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e Kosovës së lirë.
Kjo histori e rëndë familjare dëshmon se sakrifica për liri, identitet kombëtar dhe të drejtën për të jetuar i lirë nuk ka qenë vetëm pjesë e një periudhe, por një barrë e mbajtur nga breza të tërë të familjes Hoti.
Shkollimin e mesëm e ka përfunduar në gjimnazin “Ukshin Hoti” në vendlindje, ndërsa studimet bachelor dhe master i ka përfunduar në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në drejtimin e Ndërtimtarisë, ku është dalluar për rezultate të larta akademike dhe angazhim profesional.
Që nga viti 2011, ai ushtron profesionin e inxhinierit të ndërtimtarisë në kompani vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa njëkohësisht është angazhuar edhe si konsulent profesional në projekte të ndryshme të sektorit të ndërtimit. Gjithashtu, është trajnuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare në fusha profesionale, menaxhim, treg dhe marketing në ndërtimtari.
Isuf Hoti përfaqëson profilin e profesionistit që ndërthur përvojën akademike, angazhimin profesional dhe trashëgiminë e sakrificës kombëtare, me synimin për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe forcimin e institucioneve.
📌 Në listën zgjedhore, Isuf Hoti mban numrin 10
