NJË DOKUMENT I VJETËR, NJË DEBAT I RI: PSE MUSLIMANËT SHQIPTARË SËRISH NË BANKËN E TË AKUZUARVE?
Dokumenti që këto ditë u paraqit në opinion si një zbulim i ri dhe si dëshmi për një strategji serbe që synon instrumentalizimin e Islamit në Kosovë, në fakt, nuk është i ri.
Ai ka qarkulluar publikisht së paku që nga viti 2018 dhe, çka është edhe më e rëndësishme, autenticiteti i tij është vënë në pikëpyetje qysh atëherë.
Më 9 dhjetor 2018, Lulzim Islami, anëtar i Kryesisë së Partisë FJALA, kishte reaguar publikisht pikërisht ndaj këtij dokumenti dhe ndaj shkrimit të Jakup Krasniqit. Ai kishte ngritur një vërejtje shumë konkrete sa i përket autenticitetit të atij dokumenti: në versionin e publikuar mungonin shenjat karakteristike të alfabetit serb, edhe aty ku duhej të ishin domosdoshmërisht.
Për shembull, shkruhej “nasim” në vend të “našim” dhe “mozemo” në vend të “možemo”. Vetëm ky fakt nuk mjafton për të provuar se dokumenti është i falsifikuar, por është një arsye serioze që autenticiteti i tij të verifikohet para se mbi të të ndërtohen akuza politike e shoqërore.
Prandaj, pyetja ime është shumë e thjeshtë: pse një dokument i njohur publikisht që nga viti 2018 dhe i kontestuar që atëherë rikthehet në vitin 2026 sikur të ishte informacion i sapozbuluar?
Dhe pse pikërisht tani?
Kjo pyetje bëhet edhe më legjitime kur shohim kontekstin politik. Kosova po kalon një periudhë të rëndë ngërçi dhe polarizimi politik.
Në vend që debati publik të përqendrohet te përgjegjësia institucionale, funksionimi i shtetit dhe rrugëdalja nga kriza, opinionit i serviret përsëri një temë që e zhvendos vëmendjen drejt identitetit fetar dhe e vendos komunitetin musliman nën dyshim kolektiv.
Nuk mund të pohojmë pa prova se Qeveria Kurti i ka organizuar apo drejtuar këto fushata. Një pretendim i tillë kërkon dëshmi. Por është plotësisht legjitime të konstatojmë një përkim politik që meriton analizë: gjatë kësaj periudhe janë bërë gjithnjë e më të dukshme narrativa dhe lëvizje që e problematizojnë identitetin islam të një pjese të madhe të shqiptarëve.
Pra jemi dëshmitar që gjatë mandatit të kaluar të kryeministrit Albin Kurti, u themeluan “Lëvizja e Deçanit” dhe organizatat tjera si motra që në fokus e kanë sulmin ndaj Fesë Islame dhe besimtarëve musliman.
Nuk po them se të gjithë këta veprojnë nga një qendër e vetme, sepse kjo duhet provuar. Por efekti politik dhe shoqëror mund të jetë i njëjtë edhe pa ekzistuar një komandë e përbashkët: krijimi i perceptimit se muslimani shqiptar është më pak shqiptar, se Islami është një trup i huaj në identitetin tonë kombëtar dhe se besimtari musliman duhet vazhdimisht të dëshmojë lojalitetin e tij ndaj Kosovës dhe kombit.
Këtu qëndron rreziku i vërtetë. Një dokument që pretendohet se përshkruan strategjinë serbe për të krijuar përçarje ndërmjet shqiptarëve mund të përfundojë, paradoksalisht, duke u përdorur pikërisht për të prodhuar atë përçarje. Dokumenti i vjetër, i ripaketuar në rrethana të tjera, po shndërrohet në instrument për t’i vënë shqiptarët myslimanë në bankën e të akuzuarve.
Siguria kombëtare ndërtohet mbi inteligjencë dhe prova, jo mbi dokumente që riciklohen pas tetë vjetësh dhe paraqiten si sensacion i ri.
Dhe këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe politikisht. Ngërçi politik kalon, qeveritë ndërrohen. Por përçarjet që mbillen brenda një kombi mund të mbeten për breza.
Prandaj, në vend që të pyesim vetëm se çfarë shkruan ky dokument, duhet të shtrojmë edhe pyetjen tjetër:
Kush përfiton sot nga rikthimi i tij, nga paraqitja si diçka e re dhe nga transformimi i një pretendimi për strategjinë serbe në një fushatë dyshimi ndaj muslimanëve shqiptarë?
Sepse, nëse synimi i Serbisë ka qenë përçarja e shqiptarëve sipas fesë, gabimi më i madh që mund të bëjmë është që, duke pretenduar se po e luftojmë atë strategji, ta zbatojmë vetë.
Reagimi ynë para 8 viteve
