Ministër, nxënësit po i presin paratë për tekstet shkollore
Kanë mbetur vetëm pesë ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit dhe nxënësit ende nuk kanë informacion të qartë se kur do të ekzekutohen mjetet për blerjen e teksteve shkollore, sa do të jetë shuma e ndarë dhe cilat tekste apo shtëpi botuese do të jenë të përcaktuara për përdorim.
Partia FJALA kërkon nga Ministria e Arsimit që të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe të përshpejtojë procedurat për ekzekutimin e mjeteve financiare, në mënyrë që prindërit të kenë kohë të mjaftueshme për t’i siguruar librat para fillimit të mësimit.
Është e papranueshme që, vetëm pak ditë para nisjes së vitit shkollor, familjet të mbeten pa njoftim të qartë si nga Ministria e Arsimit, ashtu edhe nga institucionet përgjegjëse për ekzekutimin e pagesave.
Prindërit dhe nxënësit nuk duhet të jenë viktimë e vonesave administrative. Fillimi i vitit shkollor kërkon organizim, përgjegjësi dhe informim në kohë.
Ne në FJALA presim që, më së largu deri nesër në mëngjes, të ketë një njoftim të plotë dhe konkret si për ekzekutimin e mjeteve, ashtu edhe për tekstet shkollore që duhet të përdoren.
Arsimi nuk pret.
Nxënësit nuk duhet të presin.
FJALA
Prishtinë, 27.08.2026
