FJALA: Nga padrejtësia historike tek padrejtësia ligjore
Partia FJALA shpreh shqetësimin e thellë lidhur me miratimin e Ligjit të Shtetësisë në Kosovë, i cili në vend se të korrigjojë padrejtësitë historike, rrezikon t’i thellojë ato.
Sot, përmes kritereve formalisht neutrale, po krijohet një realitet ku përfitojnë edhe ata që janë vendosur në Kosovë si rezultat i politikave të kohës së Slobodan Milošević, ndërsa në anën tjetër mbeten të harruar mijëra shqiptarë që u detyruan të shpërngulen me dhunë gjatë regjimit të Aleksandar Ranković, veçanërisht drejt Turkijës.
Kjo nuk është thjesht çështje ligjore. Kjo është çështje e drejtësisë historike dhe e ndërgjegjes shtetërore.
Është e papranueshme që të lehtësohet rruga për ata që janë produkt i politikave të zhvendosjes dhe kolonizimit,ndërsa të mos krijohet asnjë mekanizëm i veçantë për ata që janë viktima të dëbimit dhe represionit.
Një shtet serioz nuk ndërton ligje vetëm mbi dokumente, por mbi të vërtetën historike dhe drejtësinë.
Partia FJALA kërkon rishikim të menjëhershëm të dispozitave që lidhen me verifikimin e shtetësisë, vendosjen e kriterit të lidhjes reale dhe të drejtë me Kosovën, dhe mbi të gjitha, krijimin e një mekanizmi të veçantë për njohjen dhe rikthimin e të drejtave të shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, sepse një shtet që nuk i njeh viktimat e veta, rrezikon të legjitimojë padrejtësinë.
Dhe nëse kjo padrejtësi institucionalizohet përmes ligjit, atëherë nuk do të kemi vetëm një problem juridik, por një deformim të vetë bazës mbi të cilën ndërtohet shteti i Kosovës.
Nëse kjo çështje nuk trajtohet me seriozitet, pasojat nuk do të jenë vetëm juridike, por do të prekin vetë themelet e besimit qytetar në shtetin e Kosovës.
Partia FJALA
