E enjte, Maj 2Shtyllat kryesore të Partisë FJALA janë: 1.Zhvillimi ekonomik i vendit, 2.Sundimi i drejtësisë, rendit dhe ligjit.

Çka synon Lista Srpska me ankesë në Gjykatën Kushtetuese – përgjigjët Dr.Gëzim Kelmendi për portalin Gazeta e re

GK - Gazeta e Re
Çka synon Lista Srpska me ankesë në Gjykatën Kushtetuese – përgjigjët Dr.Gëzim Kelmendi për portalin Gazeta e re

Sllavko Simiç, shefi i Grupit Parlamentar të “Lista Srpksa” e cila përfaqëson komunitetin serb në Kosovë me 10 deputetë, ka dorëzuar dje në Gjykatën Kushtetuese një ankesë drejtuar Kuvendit të Kosovës.

“Miratimi i Ligjit për Trepçën nuk respekton të drejtat e popullit serb, për këtë arsye Ligji për Trepçën duhet të rishikohet dhe të pranohet në pajtim me nenin 81.1 dhe po ashtu me Kushtetutën e Kosovës. Gjithashtu Ligji për Trepçën nuk ka marrë parasysh komisionin për komunitetin dhe me këtë rast është shkelur neni 78 i Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu ligji nuk është rishqyrtuar dhe nuk janë konsultuar anëtarët e këtij komuniteti, me çka është shkelur neni 68 i kushtetutës”, tha Simiç.

Mirëpo, këtë qëndrim po e kundërshton deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës e ka proceduar Ligjin për Trepçën në mënyrë të rregullt dhe se nuk ka asnjë dyshim për shkelje kushtetuese siç pretendojnë deputetët e Listës Serbe.

“Unë mendoj që procedimi dhe votimi i Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në mënyrë të rregullt dhe nuk ka pasur kurrfarë shkelje as kushtetuese e as procedurale. Ligji për Trepçën hyn në kuadër të legjislacionit për ndërmarrjet publike dhe nuk ka kurrfarë shkelje kushtetuese. Atë natë Ligji për Trepçën ka kaluar nëpër komisione, do të thotë ne nuk i kemi shmangur komisionet. Seanca e asaj nate ka kaluar me disa orë vonesë, më shumë se që kemi pritur, pikërisht për faktin se ka kaluar nëpër të gjitha komisionet”, sqaron për Gazeta e Re, deputeti Kelmendi.

Kelmendi thekson se procedurat e kuvendit kanë qenë të rregullta mirëpo është problem i deputetëve të Listës Serbe që nuk kanë marrë pjesë në komisione.
“Pse ata nuk marrin vet pjesë në komisione është problem i tyre. Ne nuk i detyrojmë të marrin pjesë në komisione pa dëshirë”, thotë Kelmendi.

Sa i përket ankesës që kanë dërguar deputetët e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, Kelmendi thotë se pret që ai vendim të jetë në disfavor të tyre.
“Është e drejtë e tyre të mos pajtohen ose edhe ta dërgojnë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Çdo kush ka të drejtë ta shprehë mendimin e vet. Unë mirëpres që gjykata të ndërmarrë një vendim në favor të Ligjit për Trepçën, në favor të vendimit të kuvendit, pa dashur të hyj në vendimet e gjykatës”, thotë Kelmendi.

Linku i intervistës për Gazetën e Re
http://www.gazetaere.com/cka-synon-lista-srpska-me-ankese-ne-gjykate-kushtetuese/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.