E hënë, Maj 6Shtyllat kryesore të Partisë FJALA janë: 1.Zhvillimi ekonomik i vendit, 2.Sundimi i drejtësisë, rendit dhe ligjit.

Gëzim Kelmendi, njeriu që inicoi anti-Demarkacionin: ja pse PDK dhe LDK nuk votuan pezullimin e bisedimeve me Serbinë – Intervista për portalin Te Sheshi

GKelmendi3
Gëzim Kelmendi, njeriu që inicoi anti-Demarkacionin: ja pse PDK dhe LDK nuk votuan pezullimin e bisedimeve me Serbinë – Intervista për portalin Te Sheshi

Është deputeti i parë në Kuvendin e Kosovës që ngriti shqetësimin e tij për çështjen e Demrkacionit, temë kjo që për më shumë se një vit ka shkaktuar krizë politike në vend, por që shetësimi i tij i bërë në vitin 2011 hasi në vesh të shurdhër.

Pesë vjet pas, thotë se kjo çështje vazhdon të jetë e komplikuar, dhe shton se qeveria aktuale e ka të pamundur ta miratoi versionin atkual të projektligjit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Bëhet fjalë për deputetin e pavarur Gëzim Kelmendi i cili është një prej ligjvënësve më aktiv kosovar.

Kjo u dëshmua edhe në thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me arrestimin e komandantit e policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, që po mbahet në burg në Serbi.

Në një intervistë dhënë për tesheshi.com deputeti Kelmendi tregon arsyet pse partitë në pushtet PDK dhe LDK, nuk e përkrahën rezolutën e propozuar nga ai në bashkërendim me partitë opozitare për lirimin e policit Thaçi.

Ai flet edhe për tema tjera si; Demarkacioni, Listën Serbe, zgjedhjet e ardhshme si dhe për partinë që e udhëheq, FJALA …

Intervistoi: Blendi Gashi

Ju si deputet i pavarur me përkrahje të deputetëve opozitarë inicuat seancë të jashtëzakonshme për rastin e policit të arrestuar, Nehat Thaçi. Pas një debati maratonik kërkesa e juaj dhe e opozitës që të pezullohet dialogu me Serbinë derisa të lirohet polici dhe të heqen flet arrestet për shqiptarët e Kosovës nuk u përkrah nga koalicioni qeverisës. Si e shihni këtë?

Pas një debati të gjatë të zhvilluar mbrëmë dhe sot në Kuvendin e Kosovës, nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes grupeve parlamentare që të dilet me një rezolutë të përbashkët. Propozimi im si inicues i seancës i përkrahur edhe nga opozita ka qenë që të pezullohen bisedimet me Serbinë derisa të lirohet Nehat Thaçi dhe të ndalen fletarrestet dhe aktakuzat nga Beogradi për ish-ushtarët e UÇK-së. Por për këtë gjë nuk janë pajtuar dy partitë në koalicion PDK dhe LDK që të pezullohen bisedimet dhe më pas kanë dalë me një rezolutë tjetër.

A treguan dy partitë në pushtet PDK dhe LDK se kur është në pyetje Serbia nuk mund të marrin vendime të vështira, siç është ndërprerja e përkohëshme e dialogut? Ndërpreja e bisedimeve a do ta bente shtetin tonë më serioz edhe ndaj Bashkimit Evropian? Pra reciprociteti është rrugë e duhur dhe a do të sjellte rezultat?

Po dy partitë në pushtet kanë frikë edhe nga Serbia por kanë frikë edhe mos e humbin pushtetin. Andaj kjo është një arsye pse deputetët e pozitës nuk e kanë mbështet pezullimin e bisedimeve me Serbinë, por fatkeqësisht partitë në koalicion qeverisës nuk janë pajtuar në këtë pikë. Edhe pse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, fatkeqësisht partitë politike në vend nuk arritën që njëzëri të kërkojnë përkohësisht pezullimin e bisedimeve me Serbinë, derisa të lirohet polici Thaçi dhe të hiqen fletarrestet ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

Në momentin që lirohet nënkolonel Thaçi dhe kthehet në vendlindje a duhet të kërkohet nga ai sqarim se pse ka shkuar nëpër Serbi, dhe pse nuk ka lajmëruar përgjegjësit e tij?

Fillimisht lutemi dhe po punohet që zyrtari i policisë të lirohet sa më shpejt dhe kjo çështje për të cilën po e ngritni është përgjegjësi e brendshme e policisë së Kosovës. Megjithatë polici Thaçi ka qenë në udhëtim privat dhe Serbinë e ka shfrytëzuar si vend transit për të shkuar në Austri. Ai ka shkuar edhe më herët nëpër Serbi, por kjo e fundit nuk lë rrugë pa e shfrytëzuar për ta shantazhuar Kosovën.

Të kalojmë në një temë tjetër. Lista Serbe ka pezulluar përkohësisht të paktën punët në institucionet e Kosovës. Qeveria “Mustafa”, ka ftuar për dialog “Srpska-n”. A ka rrezik që në këmbim të rikthimit të tyre në Kuvend të bëhet ndonjë pazar?

Ata janë partnerë të koalicionit dhe nuk ka fije dyshimi se do të kërkojnë një gjë të tillë prej Listës Serbe për Demarkacionin, por tash varet sa Lista Serbe është e vendosur të bëjë kompromis. Tani është edhe çështja e “Trepçës”, për çka nuk është pajtuar kjo listë dhe varet prej vullnetit të saj a do të bëj kompromise për Demarkacionin në dëm të qëndrimeve të saj për “Trepçën”

Ka mendimi se “Srpska” duhet të largohet nga skena politike kosovare dhe të ftohet në qeveri parti tjetër serbe SLS. Çfarë mendoni ju?

Dihet se deputetët e Listës Serbe janë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Jam që deputetët serbë të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të mos jenë dorë e zgjatur e Serbisë, por fatkeqësisht Lista Serbe është më e privilegjuara në Parlament gjë që nuk është korrekte në raport me komunitetet tjera. Unë pajtohem që qeveria të bëj koalicion me deputet tjerë serbë por nuk ka. Është vetëm Sllobodan Petroviq që nuk është pjesë e Listës, kurse Nenad Rashiq me qëndrimet e fundit ka treguar se mban anën e tyre. Se a do të duhej qeveria e ardhshme të mos bëj koalicion me Listë Serbe kjo gjë varet pas zgjedhjeve kurdo që mbahen, pasi të kuptohet se cila parti serbe do të marrë vota më shumë.

Jeni deputeti i parë që keni ngritur zërin për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. A keni informata se kur qeveria do ta rikthejë në Kuvend për ratifikim dhe a mund ta bëj një gjë të tillë pa votat e serbëve?

Çështja e Demarkacionit vërtet është e komplikuar. Po ashtu është e vërtetë se jam deputeti i parë që e kam ngritur shqetësimin për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, por fatkeqësisht reagimi im ka hasur në vesh të shurdhër atë kohë. Është parë se koalicioni nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ratifikuar këtë marrëveshje, por tash me largimin e Listës Serbe, pezullimin e punës së tyre në institucionet e Kosovës, qeveria e ka të pamundur të procedoj Demarkacionin.

Jeni kryetar i partisë FJALA. A besoni se subjekti që udhëheqni do të kaloj pragun zgjedhor? A keni vija të kuqe për ndonjë parti pas koalicionit pas zgjedhor apo jo?

Si kryetar i partisë FJALA mund të ju them se subjekti ynë është në përgatitje të kuvendeve, por jemi gati edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që e kërcënojnë Kosovën në çdo moment. Jemi duke u përagtitur për zgjedhje dhe do të hyjmë të vetëm në zgjedhje. Partia që udhëheq unë është e hapur për të gjitha partitë që punojnë për të mirën e Kosovës. Partia FJALA nuk punon vetëm me ata që e mbështetin krimin dhe korrupsionin, sepse ne jemi kundër dukurive negative që përmenda më lartë. Por tani është një fazë shumë e hershme që të them se me kënd mund të lidhim koalicion pazgjedhor. Jam optimist se me ndihmën e Zotit, pastaj me mbështetjen e qytetarëve dhe votave që kam marrë si deputet, besoj se partia FJALA do ta kalojë pragum zgjedhor prej 5 për qind. /tesheshi.com/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.