
Islami i përgjigjët ish kryeparlamentarit Jakup Krasniqi
“Lojtarët” me topin e hedhur nga fqinjtë!
Prishtinë, 09.12.2018
Shkruan: Lulzim islami – IT – Anëtarë i kryesisë së Partisë FJALA
“Lojtarët” me topin e hedhur nga fqinjtë!
“Pështyj lart të kthehet në fytyrë, pështyj posht të bie në gji!” një thënie shumë e mençur nga të vjetërit tanë.
– Kohët e fundit në portalet tona seç dalin tituj e tekste
bombastike, intriga, shpifje e rrena të kulluara, saqë të vije të qeshësh nga trishtimi, të bën të mendosh, se me të vërtetë ne, për nga dija apo pranimi i informatave “të besueshme”, jemi të parët në botë, se CIA, MI, KGB janë thjesht kalamajë për ne në këto çështje.
– Dje lexova edhe shkrimin e zotëriut Jakup Krasniqi, se atij i
paska rënë në dorë një dokument sekret serb, që qenka i besueshëm, dhe se ajo çfarë është e shkruar në atë dokument qenka realizuar sipas etapave që paska parashikuar shërbimi sekret serb.
I nderuari zotëri Jakup Krasniqi, si pikë e parë, do ta marr atë të fundit, e që duhej të shënohej në këtë shkrim. Në web faqen KohaNet, pos shkrimit tuaj, gjendet edhe dokumenti sekret (nëse e kam shikuar mirë i nivelit 2) i skenuar për KohaNet. Për çudi, i nderuar, ajo që më habit është, se nëse ju nuk e keni vërejtur dyshimin në dokumentin e siguruar këtë është dashur ta vërej redaksia e portalit ku ju keni publikuar shkrimin.
– Në dokumentin “e besueshëm”, siç e quani ju, për çudi asnjë shkronjë nuk është serbe, jo që nuk është çirilicë, por asnjë shkronjë e vetme serbe nuk gjindet as në formatin latin, si p.sh.:
fjala “nasim” (përkth. TANË-t) do të duhej të ishte e shkruar me alfabet serb “našim”, apo fjala “mundemi”, në dokumentin e siguruar e të plasuar në KohaNet, është “mozemo” dhe sipas alfabetit serb do të duhej të ishte “možemo”. Edhe fjalët e tjera që janë shkruar me alfabet latin në këtë dokument nuk kanë edhe një shkronjë të vetme të alfabetit serb.
– I nderuari Krasniqi, ky është vetëm një fakt prej fakteve që ju
nuk do të duhej ta quanit “të besueshëm” këtë dokument.
– I nderuar, përmes këtij dokumenti, kushdoqoftë që e ka hedhur
në oborrin tonë (e bërë publike) është i habitshëm fakti, se është i njëjti skenarë si gjithmonë.
– Pas çdo skandali (nëse mund ta quajmë kështu) që ndodh në
shtetin tonë, qoftë demarkacioni, nënshkrimi i Pakos së Ahtisarit, apo edhe gabimi- keqmenagjimi politik i çështjeve madhore (e që janë jetike për vendin tonë dhe të ardhmen e saj) ne dalim dhe luajmë me “topin” e hedhur nga “dikush”.
– Duke akuzuar një komunitet, siç është ai Islam, nuk rregullohen
gabimet e qeveritarëve tanë. Shkojmë aq larg duke e denigruar aq shumë, saqë po të mos kishim dije do të ngriheshim në këmbë e t’i hidhnim të gjithë në “grykë të zjarrit për tradhëtitë që po na bëjnë”, (kështu lë të kuptohet edhe nga disa portale në Kosovë), duke harruar që ky komunitet që akuzohet për të „këqijat“ janë shumica shqiptare e vendit tonë.
– I nderuari Krasniqi, ju keni qenë dhe jeni një figurë tashmë e
njohur dhe e respektuar në mbarë popullin tonë. Më habit fakti, se si mund të besoni një gënjeshtër kaq të madhe dhe të harroni përpjekjet-sakrificat e popullit shumicë (që edhe ju jeni pjesë e saj) të besimit Islam dhe BIK-ut në lirinë dhe pavarësimin e shtetit tonë? Si mund të jetë tradhëtar, apo bashkëpunëtor i Serbisë cilido hoxhë, shumica e të cilëve ishin në krahun tënd (UÇK) ballë për ballë kundër okupatorit serb, duke luftuar në të njëjtën vijë të frontit me ju?!
– I nderuari Krasniqi, më habit fakti, se në shkrimin e përkthyer të dokumentit “të besueshëm” nga ana juaj, citoj:
“Krerët e Bashkësive Islame në Serbi, Maqedoni, Kosovë e Bosnje janë nën kontrollin tonë dhe punojnë që të inkuadrojnë sa më shumë njerëz me ndikim në mesin e shqiptarëve të sportit, muzikës, medieve dhe politikës. Në disa parti shqiptare me ndikim kemi arritur që të kemi njerëz të cilët punojnë fuqishëm për ne dhe fuqishëm mbështesin besimin islam, dhe janë të lidhur ngushtë më të parët e fesë që përhapin islamin edhe atje ku islam e xhami nuk ka pasur kurrë”, keni shkruar: “kjo që thuhet në këtë paragraf, i gjithë realiteti i sotëm e konfirmon katërçipërisht……”.
– I nderuari Krasniqi, shteti ynë sot ka mekanizma profesionalë të
stërvitura nga shtetet mike, si Sh.B.A., Anglia, Gjermania, Turqia etj., për luftimin e terrorizmit dhe se lavdërohet nga shumë shtete të botës për këtë (operacionet e zhvilluara në vendin tonë nga këto dy organizata). Edhe AKI tashmë ka filluar të dëshmohet me aftësitë e saja për zhvillimin dhe mbrojtjen e shtetit tonë. A thua strukturat tona si AKI dhe Forcat Policore janë kaq të dobëta? A thua vallë e meritojnë nënçmimin tonë?
– I nderuari Krasniqi, pajtohem me ty nëse do të thoshit, se duhet të jemi vigjilentë ndaj çdo strukture, qoftë humanitare, apo çfarëdolloji të jetë e që hyn në vendin tonë. Pajtohem, nëse thua të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të bojkotojnë të gjitha prodhimet serbe dhe se duhet të konsumohen prodhimet vendore, se duhet të ndalet korrupsioni, drogimi i fëmijëve tanë, prostitucioni dhe degradimi në çfarëdo forme të poshtër që bëhet ndaj dhe në vendin tonë, por nuk mund të pajtohem as unë dhe asnjë qytetar i vendit tonë, nëse për shkak të tërheqjeve të njohjeve ndaj shtetit tonë, si shtet i pavarur nga shtetet e tjera, të akuzohet një komunitet fetar, nuk mund të pajtohemi nëse si shkak i keqpërdorimit të pozitave dhe parave publike, apo të ndonjë afere tjetër nga politikanët tanë, të merren prijësit fetarë në burgje, pa pikë faji (pasi kjo u dëshmua edhe në gjyqë dhe u liruan të gjithë nga akuzat e ngritura).
– I nderuari Krasniqi, të vjetrit tanë të mirë kanë përdorur dhe
lënë trashëgimi “fraza” për brezat tonë, për vetëdijësim tonë, sikurse: “Mal pa ujk nuk ka!”, apo “Shtëpi pa oxhak nuk ka!”. Pra, mund të ketë të krisur, mund të ketë të luajtur, mund të ketë tradhëtarë të popullit tonë, të cilët fshihen pas fesë (në këtë rast fesë Islame, e që në fenë islame, edhe te të parët tanë këta persona janë quajtur me emrin MUNAFIK), por, i nderuar, ju siguroj dhe ju garantoj, se as BIK-u e as komuniteti musliman (shumicë) në Kosovë, nuk e paraqet këtë rrezik, siç e cekni ju në shkrimin tuaj duke aluduar në dokumentin “e besueshëm”, që juve ju ka rënë në dorë.
– I nderuari Krasniqi, sa për t’jua kujtuar juve, mua dhe lexuesve,
intervenimi i Natos, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur mori pjesë në ndaljen e masakrave ndaj popullit tonë, ishte në dijeni se jemi muslimanë, apo jo? Dhe, të tjetra pyetje, që dua t’ia parashtroj vetes, juve dhe lexuesve tanë: deri kur për dështimet tona politike do të fajësojmë një besim fetar, që e bartin në vete mbi 95% e popullit tonë? Ç’faj ka BIK-u, hoxhallarët, apo edhe besimtarët e besimit Islam, për mosliberalizimin e vizave?
Dhe, pyetja e fundit i nderuar, për të gjithë ne, është: Deri kur do të luajmë me topin që na e gjuajnë në oborrin tonë fqinjtë tanë?
