E hënë, Korrik 27Mirë se vini në faqën zyrtare të Partisë FJALA

Premtimi i partisë Fjala: 4 orë punë për gratë, por me pagë të plotë

viber_image_2026-05-30_11-59-19-317-1024x576

 

 

Premtimi i partisë Fjala: 4 orë punë për gratë, por me pagë të plotë

Të ftuar në ‘Debat Përnime’, përfaqësuesi i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, për çështjen e barazisë gjinore dhe arsimit, tha se dhuna ndaj grave në shoqërinë kosovare është e patolerueshme dhe se programi i partisë synon fuqizimin e rolit të gruas përmes politikave specifike në tregun e punës dhe sistemin arsimor.

Ai propozoi që gratë të kenë mundësi të punojnë me orar të reduktuar, duke marrë pagesë të njëjtë me burrat për orar të plotë.

“Gruaja në vendin tonë, pavarësisht statusit të saj, të punojë vetëm katër orë dhe ta marrë pagën sa një mashkull për tetë orë” – deklaroi Kelmendi, duke shtuar se kjo masë synon, sipas tij, fuqizimin e rolit të saj në shoqëri.

“Një mashkull mund ta ndërtojë një shtëpi, por një grua e ndërton një shoqëri” – tha ai, duke theksuar se gruaja mbetet shtyllë e pazëvendësueshme e shoqërisë.

I pyetur nëse kjo nënkupton orientimin e grave drejt shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët, Kelmendi tha se bëhet fjalë për “liri zgjedhjeje”, por me garanci ligjore për orar të reduktuar pune.

“Të jetë e lirë le të vendosë çfarë të do, por me ligj ajo katër orë i ka” – deklaroi ai.Në vazhdim, ai lidhi fuqizimin e gruas me reformën në arsim, duke theksuar se partia Fjala e ka paraparë vendosjen e mësimit gjithëditor në shkolla.

Sipas tij, kjo reformë ka dy qëllime kryesore, rritjen e cilësisë së arsimit dhe lehtësimin e barrës mbi familjet.

“Fëmijët që kanë marrë mësim tërëditor janë më të suksesshëm” – tha Kelmendi, duke përmendur edhe përmirësimin e rezultateve në sistemet arsimore ndërkombëtare si shembull.

Ai shtoi se mësimi gjithëditor do të ndihmojë edhe në aspektin shëndetësor të nxënësve, duke shmangur bartjen e çantave të rënda.

“Dëmet në shtyllën kurrizore janë të pakthyeshme” – deklaroi ai.Sipas tij, brenda këtij sistemi nxënësit do t’i kryejnë detyrat dhe mësimet brenda shkollës, pa nevojë për ngarkesë në shtëpi.

I pyetur për përfshirjen e edukatës fetare, Kelmendi tha se ajo është pjesë e kurrikulës dhe duhet të jetë vullnetare.

“Edukata fetare është pjesë e kurrikulave arsimore” – tha ai, duke shtuar se modeli duhet të jetë i ngjashëm me praktikat e disa vendeve evropiane si Gjermania dhe Austria, ku, sipas tij, lënda ofrohet në bazë zgjedhjeje.

Përfaqësuesi i partisë Fjala theksoi se reformat në arsim synojnë përgatitjen më të mirë të nxënësve për tregun e punës, duke e orientuar sistemin drejt mësimit praktik dhe profesional.

 

Kliko në linkun e kaltërtë për të parë videon