E diel, Korrik 26Mirë se vini në faqën zyrtare të Partisë FJALA

Fjala në Debat Përnime: Rritje pagash në shëndetësi deri në 3,000 euro

viber_image_2026-05-30_11-59-07-880-1024x576

 

Fjala në Debat Përnime: Rritje pagash në shëndetësi deri në 3,000 euro

Të ftuar në ‘Debat Përnime’, përfaqësuesit e partisë Fjala thanë se sistemi shëndetësor në Kosovë vuan nga probleme strukturore, përfshirë mos-funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, mungesën e digjitalizimit dhe ikjen e personelit mjekësor.

Gëzim Kelmendi deklaroi se një nga dështimet kryesore mbetet moszbatimi i ligjit për sigurime shëndetësore, i cili sipas tij është miratuar, por nuk është bërë funksional.

“Ndër dështimet kryesore në fushën e shëndetësisë është mosfunksionalizimi i ligjit për sigurime shëndetësore”, – tha ai.

Ai shtoi se reforma e dytë e domosdoshme është digjitalizimi i sistemit shëndetësor, ndërsa si prioritet të tretë e përmendi zhvillimin e turizmit shëndetësor në Kosovë.

“Kosova i plotëson të gjitha resurset njerëzore për turizëm shëndetësor”, – deklaroi Kelmendi, duke shtuar se vendi ka staf mjekësor profesional dhe potencial për t’u shndërruar në qendër rajonale.

Sipas tij, për ta zhvilluar këtë sektor nevojiten investime në infrastrukturë, rritje të pagave për mjekët dhe promovim ndërkombëtar.

“Rritja e kushteve të punës për mjekë dhe rritja e pagave të tyre janë të domosdoshme”, – tha ai.

Kelmendi kritikoi gjithashtu strukturën aktuale të buxhetit të Kosovës, duke thënë se ai mbështetet kryesisht në të hyra doganore dhe jo në industri prodhuese.

Sipas tij, zhvillimi i prodhimit vendor do të mundësonte rritje të ndjeshme të buxhetit dhe si pasojë edhe të pagave në shëndetësi.

Ai propozoi gjithashtu ndërtimin e një spitali sekondar në Prishtinë, duke theksuar se kryeqyteti nuk duhet të mbështetet vetëm në QKUK.

Nga ana tjetër, kandidati i partisë Fjala, Avni Çakmaku, u fokusua te ikja e mjekëve dhe financimi i sistemit shëndetësor përmes sigurimeve.

Ai tha se Kosova po përballet me hemorragji të ikjes së personelit mjekësor dhe se kjo po e dëmton rëndë sistemin shëndetësor.Sipas tij, një nga zgjidhjet është funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore dhe rritja e pagave.

“Ne do të insistojmë që pagat detyrimisht e mjekëve duhet, e specialistëve, duhet të jenë minimum 2200 euro baza, baza, me gjithë ato pagesat shtesë të cilat do t’i merr e që mund të shkojnë deri në 3.000 euro.”, – deklaroi Çakmaku, duke shtuar se kjo do të ndihmonte në ndaljen e emigrimit të stafit mjekësor.

Ai theksoi gjithashtu se me funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, sistemi mund të gjenerojë qindra milionë euro në vit, të cilat sipas tij do të përmirësonin furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore në spitale.

Të dy përfaqësuesit e partisë Fjala u pajtuan se reformat në shëndetësi duhet të përfshijnë sigurime funksionale, rritje pagash dhe investime në infrastrukturë, si dhe zhvillim të turizmit shëndetësor si një potencial i pashfrytëzuar i Kosovës.

 

Fjala në Debat Përnime: Rritje pagash në shëndetësi deri në 3,000 euro

 

 

Kliko në linkun e kaltërtë për të parë videon